
Kryeministri Edi Rama ka vendosur të bëjë ndryshime në kabinetin qeveritar. Në Kryesinë e PS-së që u mbajt këtë të djelë, 28 Korrik 2024, Rama njoftoi që Taulant Balla nuk do të jetë më ministër i Brendshëm dhe e propozoi atë në postin e ministrit të Shtetit për marrëdhënien me Parlamentin.
Në vend të tij si ministër të Brendshëm propozoi Ervin Hoxhën. Të tjerë ministra u larguan nga kabineti qeveritar dhe u propozuan ose jo në pozicione të tjera.
Kështu, Niko Peleshi do të largohet si ministër i Mbrojtjes një vit para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare dhe në vend të tij do të jetë Pirro Vengu.
Megjithatë Peleshi do të jetë kryetar i grupit parlamentar të PS-së, duke ia marrë këtë post Bledi Çuçit. Ky i fundit do të jetë nënkrytetar i Parlamentit. Kryetare e Parlamentit do të jetë Elisa Spiropali, e cila largohet kështu nga posti i Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin duke ia dhënë këtë post Taulant Ballës siç e përmendëm më lart.
Kryeministri shkarkoi Ervin Metën nga posti i ministrit të Financave, për të ia dhënë këtë post Petrit Malajt, i cili aktualisht mban postin e drejtorit te Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN).
Gjatë fjalës së tij, Rama shprehu ambiciet për Shqipërinë si dhe Partinë Socialistë të vitit 2030.
“Është kjo koha duhur për të nisur një tjetër investim të ri për kapitalin njerëzor të Partisë Socialiste dhe për të punuar me një ambicie të re, të madhe paralelisht jo vetëm për Shqipërinë 2030, por edhe për PS 2030.”– tha Rama.
Madje shprehu ambicien që PS të vazhdonte pse jo në pushtet edhe në 50-100 vitet e ardhshme.
“E ndërsa ne të tjerë këtu do të jemi të tërhequr në organizatat e katundeve, Rinia e e Majko do duhet ta mbajë PS në udhëheqje. Do të thoni pse sa do të rrimë ne në pushtet, 50 vjet? Po pse të mos rrimë 100?! Kush na e ndalon?! Ja sheshi ja mejdani ja dhe Muço kapedani, thoshte Ethem Ruka. Po u lodh partia, nuk vrapon qeveria, po vrapoi partia qeveria s’ka rrugë tjetër.”– tha Rama.
Rama: “Pse mos të rrimë 100 vjet në pushtet, kush na pengon?!”Rama: “Pse mos të rrimë 100 vjet në pushtet, kush na e ndalon?!”
Posted by Gogo.al on E diel, 28 korrik 2024
Peleshi nuk e dinte se do shkarkohej
Pasi dha lajmin për ndryshimet në qeveri, disa prej ministrave duket se nuk ishin vënë në dijeni për vendimin e Ramës por u surprizuan sot. Përmendim këtu Niko Peleshin, i cili tha që
“Nuk e kam ditur. S’ka nevojë për konsultim për një njeri që është 100% në politikë si puna ime.
Unë jam mbase ministri më i vjetër në këtë qeveri, do ishte shumë naive nga ana ime që në një moment kur marr një detyrë tjetër të kisha nocion negativ. Kam natyrën që shoh para, më vjen mirë që me seancën e fundit paraletrare arritëm të kalojmë 6 ligje në sektorin e mbrojtjes.”-tha Peleshi.
Rama: S’jemi të pafajshëm, por burimi është PD-ja
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama foli për konfliktin politik dhe Parlamentin. Sipas tij, konflikti politik e ka kthyer Kuvendin në një vend ç’edukues dhe shtoi se megjithëse socialistët nuk janë “të pafajshëm”, konsideron se burimi i atij konflikti është PD-ja, e më konkretisht Sali Berisha.
“Konflikti brutal politik që na ka shoqëruar e ka kthyer Parlamentin në shëmbëlltyrën më acaruese për nervat e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi dhe për këdo që politikën e sheh si një mundësi se çfarë ndodh në arenën e saj jo për të hedhur helm fjalësh të liga. Mund të gjejmë më shumë justifikime për të thënë se ai konflikt në atë mexhelis që është prekja e nivelit më të ulët të sjelljes dhe komunikimit publik s’është faji ynë por ne nuk jemi të pafajshëm. Faji ynë nuk është se jemi burimi i atij konflikti, dihet botërisht që burimi është tjetër kush i njëjti që doli nga shpellat e historisë së trishtë të shqiptarit kundër shqiptarit qysh se mori jetë parlamenti. I njëjti që mori peng sa mundi e kur mundi Shqipërinë, përmes duarsh të mbrapshta shqiptare sapo ajo u vetëshpall shtet në 1912 dhe tani më e ka katandisur PD në një cisternë të ndryshkur helmi që nuk i bën më asnjë punë as dreqit vet.”-tha Rama duke shtuar se socialistët duhej të kishin bërë të gjitha përpjekjet për ta bërë të qartë dallimin.

Rama thirrje shqiptarëve: Kandidoni në platformën ‘Deputeti që Duam’
Mes shumë të tjerash, Rama foli për ndërtimin e skuadrës së re kombëtare për ndeshjen elektorale.
“Do ndërtojmë skuadrën e re kombëtare për ndeshjen elektorale të radhës ku do të futemi jo për të marrë thjesht mandatin e katërt radhazi, por fitoren më shembullore të të gjithë serisë së pandërprerë të fitoreve tona.”– tha ai duke ju bërë thirrje qytetarëve që të kandidojnë në platformën: Deputeti që duam.
“Merreni iniciativën, kërkojani PS-së që ta vlerësojmë kandidimin tuaj për deputet dhe deputete në legjislaturën e ardhshme.”-thirri Rama.
Nga kjo platformë, Rama tha se do të përzgjidhen edhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet e vitit 2025.
Mes të tjerash kryeministri nuk i kurseu kritikat për disa deputetë. Ai tha se disa prej tyre shkojnë në bazë vetëm për të bërë foto.
“Dua të kërkoj ndjesë për ata deputetë që janë këtu të ulur mes nesh, por nuk e kanë përmbushur as minimumin etik të paraqitjes në kohë e në çdo kohë në detyrën për të cilën paguhen nga taksat e shqiptarëve shumë më mirë sesa shumica dërrmuese e shqiptarëve. Kërkoj ndjesë për ata deputetë që dalin në popull vetëm për të më shoqëruar mua kur shkoj në zonën e tyre. Apo që shkojnë në organizatat e partisë vetëm për të bërë një fotografi prezence kur zhvillohet një fushatë anëtarësimesh. Ju kërkoj ndjesë për ata deputetë që u del zëri vetëm kur trokasin nëpër zyrat e shtetit për punët e tyre, familjes dhe tarafit të tyre. Apo edhe për ata deputetë që qysh se kanë zbritur në sallë nga tryeza e qeverisë duken në foltoren e kuvendit një herë në hënë e flasin sikur kanë ardhur nga hëna.”-tha Rama duke shtuar se këta po e turpërojnë atë dhe PS-në në sytë e të gjithë njerëzve.
Megjithatë është një deputet që mesa duket nuk e ka shqetësuar kurrë Ramën, dhe ai është Vullnet Sinaj.
“Fatmirësisht i kemi deputetët pa të cilët kemi arritur shumëcka në këtë mandat të tretë dhe I kemi dhe deputetët që nuk mungojnë as kur duhet të ulen në karrige për të marrë vendime, e as kur duhet ti japin këmbëve për të takuar zgjedhësit. Vullnet Sinaj është njëri prej tyre. I ka në rregull punët e veta, do të thuhej në kafene. Por Vullneti I ka pasur në rregull edhe më përpara. Nuk është I vetmi por se paradisakohësh më tha se dëshiron të mbyllë angazhimin e tij. Kurrë nuk më ka shqetësuar për asgjë personale por nuk e ka pasur problem të më shkruaj pas mesnate duke u kthyer I lodhur në një nga zonat më të thella e të vështira ku ka bërë më shumë se qeveria. Shembull të tillë nuk na mungojnë. Mbi shembuj të tillë do të ndërtojmë skuadrën e radhës, ku do të hyjmë jo thjesht për të marrë mandatin e katërt por për të marrë fitoren më shembullore.”– janë fjalët e kryeministrit. Ndërsa Rama fliste, deputeti Sinaj u përlot.
Në Kongresin e PS-së, Rama dha edhe një mesazh që mesa duket e kishte për ish-bashkëpunëtorët e tij,
“Pazari i politikës ka plot dyqane, por PS është e vetmja derë ku kush do të hedhë një hap për tu angazhuar e ka një mundësi reale. Jo sepse PS është një shtëpi pa probleme, nuk e them dot këtë, kemi plot edhe probleme edhe ne, jo se në PS s’ka njerëz që tjetër të thonë në sy dhe tjetër të bëjnë pas kurrizit, as këtë se them dot. I kam njohur edhe vetë të tillë të paudhë, madje aq të paudhë sa cilido do habitej po të tregoja se çfarë më thoshin në sy dhe çfarë më bënin pas shpine.”-u shpreh ai.
Rama për 19-vjeçaren: Do të jetë udhëheqësja e ardhshme e PS-së
Një tjetër personazh që Rama përmendi ishte dhe 19-vjeçarja Helena Kaçe e cila hapi Kongresin me fjalën e saj. Rama tha se ajo do jetë udhëheqësja e ardhshme e PS-së e me batuta shtoi se për këtë dëshmitar do jetë Pandeli Majko, si i vetmi i pavdekshëm në PS.
“Me shumë gjasë do jesh këtu ku jam unë, udhëheqëse e PS. Me këtë që të thash sapo ta kam hapur një problem, se nga ky moment ti hyre e panjohur dhe kur të dalësh do kesh shumë sy që s’do të shikojnë me dashamirësi, këtë konsideroje si favor, meqë the se s’ke pasur asnjëherë një favor. Kush nuk ka shumë kundërshtarë dhe nuk përballet me kundërshti të mëdha në rrugën e vet, nuk ngjitet dot në majë. Do kem dëshmitar Pandi Majkon kur të mos jem më, se është i vetmi i pavdekshëm. Kur helena të bëhet kryetare, Pandi do dëshmojë para gjeneratës X, e ka thënë dikur njëri nga ata, më duket ishte Edi Rama, se kushedi sa mund të ketë përcjellë në Sharrë dhe Tufinë se është mik me Lali Erin dhe u gjen varret aty ku do.”- tha Rama.

Rama i del në krah Veliajt
Mes shumë të tjerash, Rama u ndal dhe në protestat që opozita çdo javë bën kundër kryetarit të Bashkisë Erion Veliajt.
Kryeministri i doli në krah këtij të fundit.
“Di të them me siguri se lufta antikorrupsion me denoncime të përditshme e baltë të përditnatshme që na bëhen nga cirku i tyre që turren tek Bashkia e Tiranës si para tortës, e në vend të saj hanë muret e bashkisë, nga minjtë që dalin nga vrima syshqyer nga presioni që u bën në stomak kaçkavalli i mykur apo me qime prapanicash, të më falë prapanica për shprehjen, që bëjnë si lajmëtarë të kiametit, nuk pijë ujë me shqiptarët. Ne e kemi ndarë mendjen. Lavdi Zotit na u dha mundësia që mendjen e ndarë, ta vinim në jetë e t’i hynim detit në këmbë që të bënim atë që në Shqipëri nuk ka ndodhur kurrë. Nuk kemi pasur kurrë një drejtësi të pavarur nga politika dhe të thërrasë apo të ngrejë akuza për persona politikë.”-tha Rama.
Rama nuk i shpjegoi vendimet e tij për ndryshimet në kabinetin qeveritar apo në Kryesinë e Kuvendit. Ndryshime ai bëri edhe vitin e kaluar, madje dhe më herët në vitin 2022 kur u shkarkua Arben Ahmetaj, i cili më pas u shpall në kërkim ndërkombëtar pas akuzave për korrupsion.
Pasi njoftoi ndryshimet në qeveri, Rama shkoi në Presidencë për t’i dorëzuar presidentit Bajram Begajt dekretet për ndryshimet e reja.
Begaj edhe pse sot është e dielë, shkoi në Presidencë për të firmosur ndryshimet e propozuara nga kryeministri.


