

Ndeshja e boksit mes lojtares algjeriane Immane Khelif dhe italianes Angela Carini, që përfundoi brenda 45 sekondave ka polarizuar jo vetëm debatin publik në Paris e në botë, por edhe këtu në Shqipëri.
Kjo pasi boksierja algjeriane përgjatë viteve ka patur akuza të shumta se ka lindur mashkull, madje vitin e kaluar u përjashtua dhe nga Kampionati Botëror i Boksit pasi dështoi në testimet për gjininë. Në ndeshjen e së enjtes, boksierja italiane u dorëzua pas dy grushteve që mori brenda 45 sekondave nga Khelifi dhe nisi të qante duke ia dhënë fitoren rivales.
Këtu nisi gjithçka dhe i gjithë debati tanimë po vlon mbi këto tre pyetje, për të cilat askush nuk duket të japë një përgjigje me saktësi:
-A duhet të garojë përballë grave në Lojërat Olimpike boksierja nga Algjeria, Immane Khelif?
-Boksierja algjeriane ka lindur mashkull apo femër?
– Boksierja algjeriane u përjashtua vjet nga Kampionati Botëror i boksit për shkak të niveleve të testosteronit, apo kromozomeve XY?
Analisti Endri Tafani është një prej atyre që janë përfshirë në këtë debat. Ai thotë se nuk do merrej me rastin e po të mos bëhej fjalë për diçka më të madhe në mes. Tafani shikon dy qasjet e kundërta që po qarkullojnë online, ku njëra palë thotë që boksierja ka kromozome XY, nuk është femër dhe nuk mund të konkurrojë me femrat e tjera, kurse pala tjetër nxjerr foto të sportistes kur ishte e vogël e me flokë të gjata dhe për këtë arsye vendos se është femër. Për grupin e dytë, Tafani thotë që nuk po bazohen në shkencë dhe po shkatërrojnë të vërtetën.
“Me dashje apo pa dashje personat e grupit të dytë po bëjnë këtë gjë dhe kjo është e pafalshme. Pasojat do t’i mbajmë bashkë mbi kurriz. Ne dhe fëmijët tanë.”- shkruan Tafani.

Pastori Akil Pano, i cili ka dhe një përvojë personale në boks është përfshirë gjithashtu në debat duke thënë: “Ç’janë këta që rrahin gratë dhe bota bën sehir, madje u jep medalje?” Sipas Panos, është ideologjia gjinore ajo që po vret gratë.
Kurse aktivistja për të drejtat e komunitetit LGBT Xheni Karaj e ka mbrojtur sportisten nga Algjeria duke thënë se në të vërtetë po bëhet një fushatë dezinformuese kriminale kundër saj. Karaj thotë se Khelifi ka lindur femër, por ajo ka nivele të larta testosteroni dhe për këtë arsye ka qenë përjashtuar vitin e kaluar. Ama në lojërat Olimpike të këtij viti, normat e saj të testosteronit kanë treguar që janë brenda normës.
Ndërkohë Edon Qesari gjithashtu del në krah të sportistes algjeriane, duke thënë se ajo ka lindur grua dhe beson se po sulmohet padrejtësisht. Qesari i kërkon publikut të vërë veten në vend të Khelifit dhe të kuptojë se çfarë do të thotë të kesh lindur grua, të kesh derdhur djersë gjithë ato vite dhe në fund të ta hedhin poshtë duke të të thënë se je burrë.
Aktivistja Rezarta Çaushaj nga ana tjetër thotë se ky debat nuk duhej të ekzistonte fare, megjithëse në gjithë këtë zgjedh t’i besojë Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit, që thotë se ka performuar test ADN-je dhe ka identifikuar kromozomin XY te sportistja në fjalë.

Endri Tafani
Nuk do merresha me rastin e skandalit të boksierëve në Olimpiadë po të mos bëhej fjalë për diçka më të madhe në mes.
Shikoni me qetësi. Nga njëra anë janë njerëzit që bazuar në shkencë, në 2 analiza në 2 laboratorë të ndryshëm nga një organ sportiv që organizon Kampionatin Botëror të Boksit për femra dhe thonë që personi ka kromozome XY, nuk është femër dhe nuk mund të konkurrojë me femrat e tjera.
Nga ana tjetër janë njerëzit të cilët thonë që ka lindur femër (sepse helbete janë gjinekologë dhe kanë qenë prezentë aty kur lindi) apo nxjerrin si provë një foto kur personi është i vogël me flokë të gjata e ngjan si femër, prandaj është femër. Asnjë provë shkencore.
Ironike.
Sepse do mjaftonte në analizë e thjeshtë dhe debati mbaronte, por askush nga grupi i dytë nuk merr mundimin ta testojë gjenetikisht dhe të thotë është XX pra është femër. Për ta nuk ka rëndësi shkenca, por si ndihesh apo si dukesh.
Dikush nga pala e dytë “merr mundimin” të shkojë një hap më tej e të spekulojë që personi ka XY me DSD (deformim seksual) prandaj është femër.
Në fakt shkenca është e saktë në këtë pikë. Një person me kromozome XY edhe sikur të ketë DSD, është biologjikisht mashkull, ka formim skeletor dhe muskular të njëjtë me një mashkull, prandaj nuk mund të konkurrojë në kategorinë e femrave pasi është e padrejtë.
Ajo që të bën përshtypje nga ana e grupit të dytë në këtë rast është mungesa totale e respektit ndaj shkencës e cila tregon të vërtetën. Ky grup mundohet të imponojë “të vërtetën” e vetë, bazuar në ato gjëra që ky grup “i ndjen” si të vërteta dhe jo mbi prova shkencore.
Shkatërrimi i të vërtetës të mirëpranuar nga shoqëria dhe imponimi i “të vërtetës” nga një minorancë është një hap më tej në shkatërrimin e kohezionit social. Nëse secili ka “të vërtetën” e tij atëherë shoqëria nuk ka asgjë të përbashkët dhe shkatërrohet.
Me dashje apo pa dashje personat e grupit të dytë po bëjnë këtë gjë dhe kjo është e pafalshme.
Pasojat do t’i mbajmë bashkë mbi kurriz. Ne dhe fëmijët tanë.

Akil Pano
Ç’janë këta që rrahin gratë dhe bota bën sehir, madje u jep medalje?
Në fillim po ju shpjegoj se ç’janë, do jem i drejtpërdrejtë dhe ju lutem as mos harxhoni kohën tuaj të vyer të më ndreqni shkrimin, mendimin, a qëndrimin mbi këtë çështje, se nuk do e marr parasysh.
E them këtë paraprakisht, pasi një mik na dërgoi dje postimin në fb të një personazhi të njohur që kishte ndarë shënimin e tij mbi temën në fjalë.
M’u dhimbs! E kryqëzuan miqtë virtualë me komentet e tyre. Nga komentet dukej që pjesa më e madhe e miqve virtualë që komentonin ishin woke. Por dhimbjen nuk e përjetova nga shënimet e komentuesve në faqen e tij, por nga përgjigjet e tij, komentuesve!
Nga përgjigjet që u jepte miqve, u përthye aq shumë sa pothuaj ishte i keqardhur për çfarë kishte shkruar në fillim! Dukej qartë që kishte frikë prej ‘kryqëzimit’ të miqve virtualë.
Ja pse m’u dhimbs. Nuk është punë eksperience, është çështje qëndrimesh, bindjesh, betejash. Me pak fjalë; shtyllë kurrizore. Sidomos kur kryefjala është rrahje dhe dhunë ndaj grave në sport, maskuar nën termat ‘barazi gjinore’ etj.
Është Ideologjia gjinore që vret gratë!
Ky është lajmi, falë ekspozimit publik në ndeshjen më të shëmtuar dhe të pabarabartë të boksit mes një burri me kromozone XY dhe një gruaje me kromozone XX.
Burri nga Algjeria me emrin Immane Khelif i cili u përjashtua të ndeshej një vit më parë në kategorinë e grave në Kampionatin Botëror të Boksit, përshkak se nuk kaloi dot testin e gjinisë, në Lojërat Olimpike të Parisit u kualifikua dhe masakra ndodhi.
Kampionia Italiane për mendimin tim s’duhej të kishte pranuar të ndeshej dhe duhej të ishte tërhequr që në fillim, por mbase më mirë kështu.
Kampionia Angela Carini në dëshminë e saj tregoi që nuk kishte përjetuar kurrë në një ndeshje boksi grushtim kaq të fuqishëm dhe dhimbje aq të madhe. Këto lojëra olimpike do të ishin mbyllja e karrierës së saj disavjeçare në sport.
Shumë përkushtim, djersitje, dhimbje, sakrificë. Ky është rrugëtimi i një sportisti; udhëtim infinit sakrifice, me një kulm karriere të shkurtër. Imagjinoni tani, në kulmin e udhëtimit të një gruaje sportiste na del një mashkull që i rrëmben fitoren, lavdinë, shkëlqimin, ëndrrën.
Por Angela është një grua që lufton sipas rregullave. Ajo dëshiron të luftojë deri në fund të rrugëtimit dhe në metrat e fundit të km të fundit. Ajo hyn në garë dhe përballet padrejtësisht me një mashkull biologjik me shpresën se ëndrra, mundi, djersa do të fitojë. Por ajo nuk mundet.
Në rrugën e saj drejt medaljes, sfidant është një mashkull. Një personazh që rrihet (në sport) nga meshkujt dhe të vetmen mundësi që ka për t’u ndjerë biçim mashkulli dhe të hakmerret ndaj meshkujve, është të rrahë femrat.
I fundit mes djemve, i pallogaritur askund mes djemve kampionë, në vend që të bëj paqe me dështimin në sport dhe të profilizohet në një fushë tjetër ku mund të shkëlqejë, vendos të grabisë medaljet e vajzave përmes dhunës, duke hyrë në sportin e femrave prej dritares së ideologjisë gjinore.
Biologjia fiton! Endrra humbet. Ideologjia gjinore fiton, sporti humbet. E padrejta ngadhënjen, e drejta humbet.
Kjo është bota woke e përçudnimit, që në thelb është dhunë, dhimbje, përgjakje. Si në një ndeshje boksi ku ndeshet një mashkull me një femër. Paradoks i madh: në emër të barazisë legjitimohet pabarazia inextremis. Kjo është agjenda globaliste dhe këta janë liberalët e majtë që vijojnë të kryejnë ndërhyrjen kirurgjikale woke në kulturën e çdo kombi. Gjakderdhje kudo.
Shqipëria rrezikon!!! Projektligji mbi identitetin gjinor dhe të drejtat e transgjinorëve u bë publik në Tiranë prej eksponentëve të agjendës në muajin Maj. Nëse ky projektligj votohet në Kuvendin e Shqipërisë, ‘masakra e boksit’ do të shndërrohet në skenën makabre të dhunës ndaj grave, fëmijëve dhe familjes si kurrë më parë.
Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës qëndron i përkushtuar në vijim të mbrojtjes së familjes dhe shoqërisë Shqiptare.
Zoti qoftë ndihma jonë! Zoti bekoftë Shqipërinë dhe Shqiptarët kudo!

Xheni Karaj
Fushata dezinformuese që ka targetuar boksieren algjeriane, Immane Khelif është kriminale. Khelif ka lindur biologjikisht femër. Ka konkuruar që në moshë të vogël në kategorinë e vajzave. Gjatë gjithë këtyre viteve konkurimi nuk ka ndeshur asnjëherë probleme nga Federata e Boksit dhe as nga sportistet e tjera me të cilat ka konkuruar.
Shumë ndeshje dhe kampionate i ka humbur pasi në fund të fundit, ky është sporti, në disa raste ti je më e dobët se konkurentet e tjera dhe ky fakt duhet pranuar me ndershmëri dhe jo të viktimizohesh duke fajësuar dhe akuzuar kundërshtaren.
Në vitin 2021 ka pasur sindomën e hiperandrogjenizmit si pasojë e së cilës në trup i është gjendur më shumë prani testosteroni. Testosteroni prodhohet natyralisht si në trupin e burrave ashtu dhe të grave. Disa trupa grash prodhojnë më shumë testosteron se norma por kjo nuk i bën këto gra, burra.
Nëse trupat e këtyre grave sportiste prodhojnë më shumë testosteron se norma nuk lejohen të konkurojnë derisa nivelet të plotësojnë normën. Khelif ka konkuruar në lojërat Olimpike të këtij viti pasi normat e saj të testosteronit kanë treguar që janë brenda normës gjatë testimeve që kryhen 3 muaj para ndeshjeve, sipas të dhenave të Federatës.
Një boksiere që ka një goditje të fortë nuk duhet të përbëjë habi për kundështaret e saj dhe as për publikun, në fund të fundit ky është sporti i boksit. Ti duhet të gjuash fort për të fituar dhe mposhtur kundërshtaren. Nuk është hera e parë në historinë e boksit që një boksiere hedh kundërshtaren ose kundërshtarin knockout që në sekondat e para.

Edon Qesari
Përfytyro të jesh lindur grua; madje, përfytyro të jesh lindur grua – me organe gjenitale dhe pamje të shqueshme vajzërore – dhe kjo lindje të ketë ndodhur në një vend si Algjeria, ku për arsye të ndryshme, social-kulturore kryesisht, të qenit grua nuk është tamam zanati më i thjeshtë në botë dhe përpara nuk të paraqitet një jetë fort e lehtë, pikërisht sepse je grua në një vend ku namuzi mashkullor është shpeshherë sinonim i sundimit shoqëror; ndaj, përfytyro të jesh lindur grua dhe të të bëjë vaki që me rritjen dhe shndërrimet që trupi yt pëson – shndërrime jo rrallëherë të paparashikueshme, pikërisht se nuk kanë të bëjnë me çastin biologjik të lindjes sate por me evolucionin gjenetik të ecurisë së jetës – të përballesh me disa të papritura, në dukje atipike dhe me siguri të papërfytyrueshme (patjetër të papranueshme) për mendësinë prapanike të vendit tënd që haptas sheh gunën dhe jo punën; e megjithatë t’ia dalësh, të mundësh paragjykimet, në vendin tënd dhe përtej, të çosh përpara pasionin tënd për një sport të caktuar, të kalosh kualifikime profesionale, ekzaminime mjekësore, barriera ligjore, fitore dhe humbje në kompeticione sportive, zhgënjime nga vetja, rifillime, stërvitje, dalje para pasqyrës, inat me veten, mëri ndaj atyre që të rrethojnë, lot, djersë pa fund dhe…
… dhe të të mbijnë përreth një mizëri bjerraditësish interneti, shqiptarë por jo vetëm, që janë diplomuar brenda ditës në shkenca facebook-ërore mjekësore, që e shohin më dylbi televizive podiumin ku ti, si grua – sepse e tillë erdhe në jetë dhe si e tillë je mbarsur nga prindërit e tu, mes grash ke qëndruar dhe me gra ke humbur dhe fituar ndeshje – atë podium ku ti je ngjitur duke kapërcyer paragjykime dhe gjykime, tallje dhe kërcënime, aprovime dhe mohime; dhe si i ke kaluar të gjitha këto, të ndalesh veç për një çast dhe të marrësh të lexosh veç një nga komentet më mesatare që prej 24-orësh po vringëllojnë në rrjete sociale – një koment të tipit: “nuk është grua, është burrë, ka marrë fund ai muhabet, ta them unë, duket ajo, nuk ka nevojë për kallauz jazëk kush e ka lejuar një turp të tillë”.
Përfytyro të jesh Immane Khelif (emër që në gjuhën e vendit të vet do të thotë “besim”) dhe për shkak të kësaj lukunie – e cila pas tre ditësh do të jetë përhumbur në të tjera broçkulla interneti – të të trandet, në mos të të shembet, besimi të vetja, te akti yt i lindjes, te veçantitë e zhvillimit tënd trupor, tek arritjet e tua, te të qenit grua. Sa do të buzëqeshje mbas këtij çasti dobësie?
Ama përfytyro se ç’shije të hidhur do t’i linte buzëqeshjes tënde fundore gjithë kjo: asaj buzëqeshjeje që ka të ngjarë të të shënjojë fytyrën nëse e krahason këtë valle sedërlinjsh me ato që ditë për ditë ke kaluar në jetën tënde vetëm 25-vjeçare.
Ndaj, më mirë non ragioniam di lor, ma guarda e passa.

Rezarta Çaushaj
Po hahen njerëzit në internet, me plotë ty drejtë në të dy krahët, mbi mundësinë që sportisti/sportistja algjeriane Khelif mund të jetë trans.
Pse them me të drejtë për të dy krahët?
Sepse si shqetësimi që është lejuar të konkurrojë një burrë me avantazhe fizike ndaj një gruaje, si mundësia që Khelif të jetë një grua me disa tipare burrërore që po mban tërë këtë mllef mbi vete padrejtësisht janë legjitime.
Ky debat nuk duhet të ekzistonte!
Autoritetet ndërkombëtare sportive do të duhet të mos kishin lënë dyshime, duke zbatuar kritere rigoroze në kategorizimin e sporteve e garantimin e konkurrencës së ndershme.
Por, u pa e qartë nga deklarata pa shije e Komitetit Olimpik që duket se kanë parë vetëm se Khelif është grua në pashaportë. Ky nuk është kriter objektiv në kohën e sotme për ta vënë atë në ring me një grua tjetër.
Kë të besojmë, sepse të dy skenarët janë të trishtueshëm, një testament mbi kohët që po jetojmë.
Unë tentoj t’i besoj Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit, që thotë se ka performuar test ADN-je praktikisht dhe ka identifikuar kromozomin XY te sportisti në fjalë. Madje, Presidenti Kremlev ka shkuar më tej duke thënë se vitin e shkuar ishin dy sportistët që u skualifikuan sepse pozonin si gra. Ky është pohim shumë specifik, njësoj si sqarimi i Shoqatës në një tjetër deklaratë, që thotë se skualifikimi nuk ka qenë mbi nivelin e testosteronit, që përjashton çrregullime të mundshme gjenetike.
Uroj të mos i kemi hyrë në pjesë kolektivisht Khelifit, por ngase mungon autoriteti i fushës, jemi “Secili për vete, Zoti për të gjithë!”

Dy boksiere po diskutohen: Immane Khelif nga Algjeria si dhe Lin Yu-ting nga Tajvani. Të dyja të përjashtuara vitin e kaluar në Kampionatin Botëror të Boksit, pasi dështuan në testin e gjinisë.
Për këtë ka folur dhe Umar Kremlev, Presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit që nga viti 2020. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve ruse TASS, Kremlev ka thënë se dy sportistët u skualifikuan vjet nga Kampionati Botëror i Boksit sepse pozonin si gra.
“Në bazë të rezultateve të testeve të ADN-së, ne identifikuam një numër sportistësh që u përpoqën të mashtronin kolegët e tyre dhe pretendonin se ishin gra. Në bazë të rezultateve të testit, u vërtetua se ata kishin kromozome XY. ”– shprehej Kremlev.
Megjithatë zyrtarisht, as Khelif dhe as sportistja tjetër Lin Yu-ting nga Tajvani nuk kanë pranuar kurrë të jenë transgjinore apo të kenë kromozomet XY. Debati vazhdon…


