
Ish-kryeministri socialist i Shqipërisë Fatos Nano ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare. Nano ishte i shtruar në spital prej ditësh nga një sëmundje që nuk ia doli dot. Ai ishte politikani që bëri shndërrimin e Partisë Komuniste në atë Socialiste, duke sjellë një frymë të re politike në vend. Pas diplomimit për Ekonomi Politike në vitin 1974, u emërua si studiues i problemeve socio-ekonomike dhe reformave të ekonomive të tregut të vendeve të Bllokut Lindor në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë. Pas marrjes së postit të kryeministrit në vitin 1991, Nano pati peshën e transformimit të një Shqipërie që vinte nga një ekonomi e mbyllur, drejt një demokracie liberale dhe ekonomisë së tregut.
Një kthesë e fortë në karrierën e tij ishte marrja e pushtetit nga demokratët në vitin 1992, ku vetëm pak muaj më vonë ai burgoset e dënohet me 12 vite, për “Shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare në lidhje me ndihmat italiane”.
Trazirat e ’97-ës i sollën lirinë dhe i rikthyen pushtetin, po me një përgjegjësi të re, ringritjen e një ekonomie dhe jete sociale të rënduar nga firmat piramidale, por vetëm një vit më vonë u dorëhoq nga posti pas vrasjes së demokratit Azem Hajdari.
Viti 2002 e ktheu përsëri në kryeministri, por kaloi jo pak trazira në jetën familjare, ku i dha fund martesës me Rexhina Nanon me të cilën ka dy fëmijë dhe pak muaj më vonë u martua me Xhoana Nanon. Stabilieti në qeverisje zgjati deri në vitin 2005, kur humbi zgjedhjet përballë kundërshtarit të tij, Sali Berisha i cili e kishte futur në burg. Tentativat për presidencën nuk rezultuan të suksesshme për të edhe pse i synoi.

Pasardhësi i tij politik, me të cilin nuk ka patur pak polemika, Edi Rama në mesazhin e tij të lamtumirës shkruajti: “Lamtumirë kryetar!”, ndërsa Berisha: “Fatos Nano ka meritën e reformimit të Partisë Socialiste, anëtarësimin e saj në forume të majta ndërkombëtare si dhe pranimin nga ai vetë të rotacionit të pushtetit”. Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nga arresti me burg shkruan: “Me vizionin e tij qytetar dhe thellësisht europian, ai besoi se e majta duhet të ishte hapje, debat dhe progres, jo thjesht dogmë”.

Gjatë ceremonisë mortore të Fatos Nanos





