
Disa rryma të paidentifikueshme për publikun duket se po e përjetojnë jo aq mirë krijimin e një lëvizjeje të re në Shqipëri.
Atyre, edhe pse më të përmbajtur, u janë bashkuar edhe personazhe të njohur në politikë dhe rrjete sociale.
“Nisma Thurje”, lëvizja më e re politike në Shqipëri qe një nga ato organizimet shoqërore, kryesisht e shfaqur në rrjete sociale, që luftoi për hapjen e sistemit, duke sugjeruar lista të hapura për zgjedhjet që pritet të mbahen më 25 prill të 2021-shit.
E gjendur përballë mbylljes së veshëve jo vetëm nga maxhoranca por edhe opozita, me mbledhjen e firmave për ndryshimin e sistemit dhe lakimin e ideve për publikun, aktorët kryesorë të këtij organizimi menduan ta kthejnë “Nismën” në një lëvizje tipike politike.

Në fakt, të mësuar me dinamikën politike, mbështetësit dhe militantët e partive kryesore e parashikuan që ky organizim mund të kishte
një synim edhe më të madh se thjesht kërkimi i hapjes së listave. Në këtë nuhatje nisën që para kthimit në lëvizje politike sulmet, me devizën “Ta vrasim këtë ide që në mitër”.
Por çfarë ka ndodhur pas ligjërimit të “Nisma Thurje”-s si lëvizje politike? Cilët janë ata që e kanë sulmuar?!
Një debat, me kritika e vlerësime qe prezent për kreun e lëvizjes për të cilin u lakua emri i aktorit Mirush Kabashi por që një nga personazhet bazë të lëvizjes dhe njëkohësisht një nga themeluesit, Pano Soko, e sqaron se nuk do të jetë kështu.
“Do kemi tip presidiumi që do përbëhet nga disa njerëz. Nuk do të kemi kryetar. Pas zgjedhjeve do të kemi sistem rotativ dhe jemi duke e shqyrtuar: personi që merr më shumë vota bëhet kryetar por kjo për pas zgjedhjeve.
Pra kush merr më shumë vota në zgjedhjet e prillit bëhet kryetar, qëndron një vit dhe vjen i dyti që ka marrë më shumë vota. Kemi përshtypjen që këtë lloj presidiumi do e quajmë Tryeza e Vendimeve”, thotë Pano Soko.
Megjithatë sulmet kryesore ndaj lëvizjes janë ato ndaj personazheve që u janë bashkuar ose që kanë qenë aty në kohën kur “Nisma” ishte një organizim i komunitetit por edhe ndaj atyre që kanë vendosur të jenë pjesë edhe e lëvizjes politike.
Vetë Pano Soko është bërë objekt i sulmeve të një faqeje në “Facebook” e quajtur “Partia Socialiste Official” si dhe i një portali të quajtur “Ekskluzive.al”, i njohur si portal nën ndikimin e qeverisë.
Në thelb të sulmeve të tyre është informacioni që ata publikojnë se Soko është grek, gjë që mohohet nga vetë Soko.

Por përveç Sokos në shkrimet apo statuset sulmuese përmenden edhe personazhe të tjerë si Besjan Pesha, Endri Shabani dhe Rudina Hajdari që i është bashkuar lëvizjes së fundmi. Për Hajdarin sulmet kanë qenë konstante që pas refuzimit të vendimit të Partisë Demokratike për të dorëzuar mandatin të cilin e mbajti, por emra
të tjerë të sulmuar së fundmi mbetën Pesha dhe Shabani.
Sipas burimeve brenda “Nisma Thurje”, edhe pse Pesha është një nga themeluesit e organizimit shoqëror dhe virtual dhe një nga figurat qëndrore, mësohet se nuk do të jetë pjesë e lëvizjes politike, megjithëse portalet, ndër të cilat edhe CNA apo Shqiptarja e kanë shënjestrën kryesore.
Megjithë mohimin e burimeve të kësaj lëvizjeje nuk dihet se cili do jetë roli i Peshës në prapaskenë.

Nuk është hera e parë e evidentimit të sulmeve në fushën ku luajnë aktorët politikë shqiptarë.
Vite më parë, e njëjta sjellje u pa edhe ndaj Gjergj Bojaxhiut kur kandidonte për kreun e Bashkisë së Tiranës.
Bojaxhiu ka qenë një nga angazhimet më serioze në politikë gjatë viteve të fundit në Shqipëri, konstatim ky i vërtetuar me numrin e 16 mijë votave të marra, ndërsa aktivizimi i figurave politike pa peshë jashtë partive kryesore si Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim është ironizuar më shumë se sulmuar.
Shënim: Objekt i shkrimit nuk ishte verifikimi i informacionit të publikuar në artikujt e sulmeve por konstatimi dhe analiza e sulmeve ndaj lëvizjes së re politike.