
Nga Valmora Gogo
Është ngritur një tezë e rrezikshme në Shqipëri mbi “Bojkotin e mediave”, “Mediat na e kanë fajin etj.”, tezë që ngërdhesh të dhëna reale nga raportimi i censuruar, cunguar, manipuluar i televizioneve si Klan, Top Channel etj. por edhe idetë e Lëvizjes Bashkë që duket se një nga kauzat ku beson është se mediat duhen kontrolluar dhe vënë në rresht se nuk po thënkan të vërteta dhe janë të kapura.
Pse mendoj që kjo është një tezë shterpe, e cila nuk i ndihmon lirisë së medias dhe zhvillimit të demokracisë?
1.Është e vërtetë që Klan, Top Channel e TV të tjera censurojnë. Madje ata janë censuruesit më të mëdhenj. Po a e dini ju që sot nuk ka një matje reale të audiencës për peshën reale të tyre nga një autoritet i paanshëm?! Secila servir shifrat e veta te biznesi.
Po atëherë si ka mundësi që shohim transformimin e Blendi Fevziut, një nga drejtuesit më të rëndësishëm të opinionit publik në Shqipëri në 3 dekada, në një influencer hipur në lisharëse?!
Po atëherë, si ka mundësi që Top Channel ka hapur disa podkaste, duke nisur me Grida Dumën, Alma Demirajn etj.?!
Është shumë e thjeshtë. Audienca është në hapësirën e rrjeteve sociale. Nuk sheh më televizor.
2.Lexova një shkrim të Ola Xamës, për të cilën ruaj respekt si profesioniste ku theksonte se shkrimi investigativ i BIRN-it ishte publikuar nga pak portale periferike.
Po sot monopolin e informacionit nuk e kanë më televizionet që ne të na shqetësojë kjo gjë, për sa kohë kushdo shkon te Reporter.al me celularin e tij ose te këto portalet periferike.
Ku mendoni se audienca është informuar edhe mbi shitjen që Sali Berisha i bëri kauzës? E patë besoj protestën e PD-së dhe koalicionit të familjes?!
3.Po mirë, si ka mundësi që protesta dje dhe pardje kishte kaq shumë pjesëmarrje? Fakt që hedh poshtë tërësisht frenimin që këto TV kanë dashur t’i bëjnë popullit.
4.Të kthehemi te sulmi i vazhdueshëm që Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë u bën mediave televizive.
Druaj se po bën gabimin që bënte dikur Berisha-Basha me denoncimet nga PD, ia kalonin dhe çdo medie hulumtuese me volumin e kërkimit.
Çështja është se nga Qori priten zgjidhje politike. Jo vetëm denoncime. Nuk besoj se është në konkurencë me Fevziun për shembull, kush të ketë emisionin më të mirë të drejtimit të opinionit publik në Shqipëri.
Për shembull, në vend se të merren me mediat këto 2-3 ditë pasardhëse apo theksimin e asaj që ndodh në raportin Rama- Kompani që ata i quajnë “oligarkë” mundet të artikulojnë teza për t’u kristalizuar si opozita e vetme meqë vëmendja është mbi ta tani.
Si zgjidhet çështja e Zvërnecit?
Si menaxhohen pronat publike?
Çfarë modeli zhvillimor më të mirë sugjerojnë?
5.E kuptoj që politikanët mendojnë se janë media. Por nuk janë. Janë politikanë që janë votuar apo do votohen për të dhënë zgjidhje për këtë vend që është shitur prej kohësh me dakordësi të plotë nga Rama-Berisha.


