Ka zgjatur tre orë mosbindja civile e opozitës këtë të martë, që bllokoi akset në 6 kryqëzime kryesore të vendit. Këtë të martë Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë kanë protestuar në shenjë të “mosbindjes civile” duke bllokuar disa, duke djegur goma dhe koshat e mbeturinave si dhe duke bërë thirrje për lirimin e dy liderëve të tyre, Sali Berishën nga “arresti në shtëpi” dhe Ilir Metën i cili ndodhet në paraburgim. Protestuesit kanë filluar të mblidhen në disa kryqëzime kryesore rreth orës 17:00, duke bllokuar qarkullimin dhe duke shkaktuar kaos në trafikun e qyteteve. Rrethrrotullimet e bllokuara përfshijnë Rrogozhinën, Shkozetin dhe rrethrrotullimin te Sheshi Shqiponja. Bllokadat përfshijnë edhe mbikalimin e Kthesës së Kamzës, rrethrrotullimin e Milotit, si dhe rrethrrotullimin e Levanit në Fier.

Opozita ka kërkuar leje për një protestë tre orëshe, por policia i kishte paralajmëruar se bllokimi i rrugëve përbën vepër penale e megjithatë protestuesit vijuan me planet e tyre për bllokim rrugësh. Në një reagim, deputeti Gazment Bardhi e kishte kundërshtuar reagimin e Policisë duke theksuar se protesta është e ligjshme dhe se policia duhet vetëm të merrte masa për t’u siguruar që situata të mos përshkallëzohet. Bardhi vetë nuk ishte në protestë, pasi deputetët opozitarë u ndanë në dy grupe, njëra palë duke protestuar dhe tjetra në takimin e 18 të Asociim-Stabilizimit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Digjen gomat në Shkozet gjatë protestës së opozitës

Posted by Gogo.al on E martë, 29 tetor 2024

Nga protesta kanë qarkulluar disa foto dhe video që ilustrojnë atmosferën në kryqëzimet kryesore të vendit ku kishte forca të shumta policie dhe nuk munguan as momentet e tensionit. Në një moment deputeti Flamur Noka pati një përplasje me punonjësit e policisë duke u shtyrë njëri me tjetrin dhe po ashtu edhe deputetja Albana Vokshi. Noka gjithashtu këtë herë deklaroi se protesta do të vijonte dhe në Surrel.

Në rrethrrotullimin e Shkozetit dhe në Milot qytetarët kanë zgjedhur të protestojnë duke djegur gomat, koshat e mbeturinave, si dhe kanë bllokuar rrugën zjarrëfikses. Ata kanë protestuar në rrugë, herë duke u ulur këmbëkryq në autostradë, herë duke marshuar dhe duke valëvitur pankarta. Një prej pankartave të kësaj proteste tregonte deputetin Ervin Salianji dhe mbante mbishkrimin: “Denoncuesi në burg, Mafia në pushtet”.

Ndërkaq një ish-minator gjatë protestës deklaroi se ish-kryeministri Berisha duhet të lirohet, si dhe u ankua për pensionin e tij prej 150 mijë lekë të vjetra. “Jetën e japim dhe Berishën s’e japim. Sali Berisha rri në burg vetëm pse është atdhetar. Lironi Berishën nga burgu. Po protestojmë për hallet tona, se kjo qeveri është kundër halleve tona. Kam pension minimal 150 mijë lekë, kam qenë mirator. U turpëruam, fëmijët tanë kanë ikur të gjithë jashtë. Shqipëria është bërë vend izolimi dhe internimi, e ka bërë Edi Rama kështu. Rroftë Berisha.”- tha protestuesi.

Ndërsa në zonën e Sheshit Shqiponja në Tiranë, protestuesit janë përballur disa herë me mjete të ambulancës, duke e lejuar vetëm kalimin e tyre dhe të asnjë mjeti tjetër. Por kishte edhe momente të tilla si në Rrogozhinë, ku dikush kishte telefonuar shërbimin e ndihmës së shpejtë duke thënë se dikush ishte ndjerë keq, por kur ambulanca ka vajtur në protestë, doli se askush prej aty nuk e kishte thirrur dhe asnjë nuk kishte nevojë për ndihmë.

Një tjetër moment ishte kur protestuesit i vunë flakën shkurreve anash autostratës Tiranë-Durrës por kur mjeti zjarrfikës shkoi për të shuar flakët, protestuesit i zunë rrugën duke mos e lënë të afrohet derisa flakët të shuheshin vetë. Madje njëri prej qytetarëve u shtri në rrugë para mjetit zjarrfikës.

Qytetari shtrihet përtokë përpara makinës zjarrfikëse për të mos e lejuar të kalojë

Posted by Gogo.al on E martë, 29 tetor 2024

Mesazhet e deputetëve të opozitës

Deputeti Luan Baçi theksoi se qytetarët kanë marrë fatet e tyre në duar dhe se protestat do të vazhdojnë deri në krijimin e një qeverie teknike. Ai akuzoi mazhorancën për fokusimin në korrupsion, duke theksuar se kjo protestë është një bllokim i korrupsionit në disa akse kryesore të vendit. “Nuk do ketë rehat Rama as në Kuvend, as në rrugë, as në shesh dhe asnjë vend.”-shton ai.

Tritan Shehu, nga ana e tij, nënvizoi se qytetarët po protestojnë me dinjitet për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me gjendjen e rëndë ekonomike dhe shkeljen e lirisë. “Qindra qytetarë të revoltuar kanë dalë në mënyrë të vullnetshme për të protestuar për gjendjen e rëndë që po kalon vendi, ekonominë e shkatërruar, varfërinë, shkeljen e lirisë, detyrimin për të braktisur Shqipërinë, duke mbajtur të burgosur politik Sali Berishën duke shkelur çdo parim europian.”– tha Shehu. Ai e quajti protestën një reflektim të ndjenjave të qytetarëve për “regjimin aktual” që e quajti qeverisjen e Ramës dhe theksoi se kjo ishte një lëvizje e organizuar nga Partia Demokratike.

Protestuesit në sheshin Shqiponja, Tiranë

Ivi Kaso, në një tjetër deklaratë, theksoi rëndësinë e protestës dhe kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për situatën. Po ashtu ai komentoi dhe njoftimin e Policisë që paralajmëroi se do të ketë procedime penale për bllokimin e rrugëve, duke kërkuar që autoritetet të tregojnë të njëjtin zell në të gjitha rastet, edhe atëhere kur kryeministri Edi Rama bllokon rrugën. “Policia do të procedojë penalisht organizatorë dhe qytetarë, nuk kemi dyshim. E ka bërë këtë në çdo protestë. Do të donim që Policia e Shtetit të tregonte të njëjtin zell sa herë që kryeministri për çdo aheng vendos të bllokojë qarkullimin normal.”- tha Kaso duke iu bërë thirrje qytetarëve që të përmbahen dhe të mos ketë përplasje.

Flamur Noka e përshkroi kauzën e opozitës si të drejtë për çdo qytetar shqiptar. Ai shprehu angazhimin e tij për të vazhduar protestat deri në rrëzimin e qeverisë dhe nënvizoi nevojën për zgjedhje të lira për të frenuar shpopullimin dhe varfërinë në vend. “Narko-policia të mësojë se çfarë është mosbindja civile.” – shtoi Noka.

Dhurata Çupi, gjithashtu e pranishme në protestë, theksoi se arsyeja për këtë lëvizje është keqqeverisja. Ajo përmendi se pensionistët dhe të rinjtë po përballen me sfida të mëdha, si rritja e papunësisë dhe mungesa e mundësive të zhvillimit. “Arsyet janë të pafunda, janë politike e ekonomike. Janë 700 mijë pensionistë, që nuk iu janë rritur pensionet, të rinjtë që nuk kanë shans të zhvillohen, papunësia është rritur, Shqipëria është shpopulluar. Kemi një opozitë, ndaj së cilës janë marrë masa represive.”– deklaroi Çupi. Deputeti Dashnor Sula gjithashtu vë theksin tek pensionet ndërsa i krahason me Kosovën, ai thotë: “Qeveria e Shqipërisë ka lënë në mjerim pensionistët. Qeveria e Kosovës vetëm ka rritur pensionet dhe rrogat, ndërsa në Shqipëri bëhet një indeksim qesharak.” Ai shton se çmimet janë katastrofike, dhe qytetarët duhet të protestojnë. Ndërsa Elda Hoti tha se “Rama diskriminon veriun”. Sipas saj, sot veriu i Shqipërisë është lënë në harresë totale, ndërsa varfëria e mjerimi është “ulur këmbëkryq” në çdo familje shqiptare.

Edhe deputetja Albana Vokshi gjatë protestës u shpreh se qytetarët sot janë një numër i lartë, teksa paralajmëron se do të ketë dhe në vazhdimësi forma të tjera të mosbindjes civile. “Janë qytetarë që janë të zemëruar sepse nuk marrin shërbimet e ndryshme, nuk kanë shërbim arsimor, shëndetësor, sociale, nuk marrin ndihmën ekonomike etj. Secili prej qytetarëve që i janë bashkuar sot thirrjes së PD e ka jo një arsye por 1001 arsye. Kjo është njëra prej mënyrave të mosbindjes civile, do të kemi në vijim forma të tjera.”– tha Vokshi. Deklaratat e deputetëve të PD-së ilustrojnë një pakënaqësi të thellë me qeverisjen aktuale ndërsa shprehen të vendosur në kauzën e tyre.

Mbyllja e protestës

Pas 3 orëve protestë, në fund Noka dhe Blushi falenderuan qytetarët që ju bashkuan opozitës. “Qytetarët që iu përgjigjën ftesës së opozitës në këtë hap të madh të mosbindjes civile sot. Edhe qytetarët shqiptarë që në përgjithësi shmangën dhe bënë gjithçka që të shmangin përplasjen dhe iu bindën thirrjes së opoitës me heshtjen e tyre duke qëndruar në shtëpinë e tyre.”-tha Blushi.

“Dua të bëj me dije se sot ka qenë një ditë e zezë për narkoregjimin dhe bandat e pushtetit. Të tmerruar, ata kanë sjellë narkopolicinë në çdo kryqëzim me qëllim që të intimidojnë opozitën. Por me këtë sjellje të tyre ata trguan se janë në panik dhe mosbindja civile ka filluar të japë frytet e veta.  Mosbindja civile do jetë ajo që do i sjellë zgjidhje Shqipërisë dhe shqiptarëve. Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje
për Shqipërinë dhe shqiptarët.
“- përfundoi Noka.

Direkt pas proteste, policia shoqëron disa prej protestuesve

Posted by Gogo.al on E martë, 29 tetor 2024

Protesta e sotme u pasqyrua dhe në mediat e huaja, Associated Press e cilësoi protestën me moton “Bllokadë civile, sot ose kurrë!”. Ndërsa të tjera media shkrujatën se mbështetësit e opozitës organizuan protesta në anë të rrugës si dhe dogjën goma.

The Sun: Opozita shqiptare proteston, bllokon rrugët dhe bën thirrje për qeveri teknike

The Washington Post: Opozita shqiptare proteston, bllokon rrugët dhe bën thirrje për qeveri teknike

Protesta përfundoi rreth orës 20:00, ku disa prej protestuesit u shoqëruan në komisariat nga policia, ndërkohë deputetët lajmëruan sërish për mosbindje civile.

LËR NJË KOMENT

Ilse Aigner lindi më 7 dhjetor 1964 në Feldkirchen-Westerham. Në vitin 1981, përfundoi arsimin e mesëm të ulët (Mittlere Reife) në shkollën Wilhelm-Leibl-Realschule në Bad Aibling. Pas përfundimit të formimit...
/ Nov 9
Nga Isa Myzyraj Sot në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian u tregua qartë se përtej vullnetit politik në Tiranë e Bruksel rruga e Shqipërisë drejt BE-së është e vështirë....
/ Nov 10
Tashmë që nuk ka më diskutim që të gjithë po e përdorim Inteligjencën Artificiale, pyetja që lind është: a dimë realisht ta përdorim dhe si po e bëjmë? Inxhinieri i...
/ Oct 28
“Ka ardhur koha për luftë civile, të marrim gjithë armatimet e rënda kundër kësaj policie, granata gjithçka kemi, o burra.”Kjo deklaratë është transmetuar në një ekran televiziv shqiptar. Nuk është...
/ Nov 10