
Nga Mentor Kikia
Një mëngjes të shtune….
Gzimi është llustraxhiu që punon në trotuarin pas Muzeut Kombëtar, në Tiranë.
Kisha kohë pa i lyer këpucët tek llustraxhiu.
-Ke punë?- e pyeta
-Shumë pak- tha.
-Ke të drejtë – thash, – ja edhe unë kam vite që e bëj vetë këtë punë. Që kur kanë dalë këto tubetat e bojës dhe furçat që i blejmë në dyqane.
-Jo vetëm kjo – tha Gzimi. Na mori më qafë atletja. Janë bërë të gjithë me atlete. Cuna, goca, gra e burra. Ja, sa je ulur ti, vetëm dy burra kanë kaluar me këpucë.
Gzimi i shikon kalimtaret nga këmbët, çfarë kanë veshur, sepse ai me këmbët e të tjerëve punon.
-Ja dhe ky që ka vesh këpucë, i ka llustru vetë. Nuk e ka bërë mirë, por i ka bërë vetë.
S’kam pension- vijon të tregojë-, s’kam ca të bëj, kam 20 vjet që bëj vetëm këtë punë. Do punoj këtu sa të kem mundësi.
Qytetet dikur gëlonin nga llustraxhinjtë-
-Hajde llustra. -Llustra ketu!
Ndryshojnë kohët. Llustraxhiu thuajse është zhdukur si profesion.
Pale sa profesione do të zhdukë AI-ja tani.
Gjithsesi, unë i premtova Gzimit që do vij më shpesh ti lyej këpucët, pasi unë vesh shumë rrallë atlete.
Ndërsa hidhja këto radhë për Gzimin, u kujtova se edhe unë, ashtu si Gzimi, kam punuar pa sigurime nja 10 vjet të paktën. Dhe kam qënë gazetar pa le. Mos duhet të marr edhe une ndonjë zanat? – mendova – se pensionit nuk i dihet. Se për gazetare nuk ka me nevojë në Shqipëri.


