
Një shtetase kosovare e cila u bë pjesë e protestave në Shqipëri është shpallur “Person i padëshiruar”. Me urdhër të ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, Ikbale Berisha Hudutit i është ndaluar hyrja në Shqipëri për 15 vite. Sipas “A2CNN” urdhri i Lamallarit i është dërguar Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit. Dyshohet se masa erdhi pas informacioneve se veprimtaria e saj shihet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike.
“Një protestë që nisi qytetare, u bë përshesh për agjenda të huaja. Ka agjenda të huaja që nuk e duan Shqipërinë në BE. Shqipëria nuk është vendi ku qytetarët nuk kishin frikë të protestonin. Policia e Shtetit, ka edhe detyrimin për të administruar çdo informacion për çdo person që përbën kërcënimin për sigurinë kombëtare. Sigurisht, kjo është detyra jonë. Garantojmë qytetarët, por nuk mund të lejojmë që kjo të abuzohet nga persona me aktivitet të dyshimtë. Kjo është puna e përditshme nga shërbimet informative dhe ato të zbatimit të ligjit, për të marrë masa parandaluese”, u shpreh Lamallari nw njw intervistw pwr “ABC News”.
Huduti ka qenë e pranishme në protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama. Ai ka reaguar pas lajmit duke shkruar se Huduti është shfaqur më herët në foto me ish-presidentin e Iranit, Mahmoud Ahmadinejad. “Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllain e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmadinejad dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, shkruan Rama.

Vetë Huduti i është kundërpërgjigjur Ramës duke theksuar se pjesëmarrja e saj në protestë ka motive përfitimi, duke theksuar se angazhimi i saj buron nga bindjet patriotike dhe qytetare.
Deklarata e plotë:
I nderuar Kryeministër Edi Rama.
Dalja ime në protestë nuk ka motive përfitimi, por motive patriotike dhe qytetare. Unë jam bijë e një familjeje shqiptare dhe kam kaluar shumë sprova, padrejtësi dhe vështirësi në jetë. Pikërisht për këtë arsye nuk mund të hesht përballë padrejtësive që prekin popullin tim.
Edhe sikur trupi im të mos jetë më një ditë, fjala dhe zëri im do të vazhdojnë të jenë në shërbim të së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Unë nuk dal në protestë nga urrejtja ndaj askujt, por nga dashuria për popullin tim dhe nga bindja se çdo qytetar ka të drejtë të ngrejë zërin kur mendon se po cenohet interesi publik.
Ju bëj thirrje juve dhe çdo udhëheqësi botëror si dhe BE që të dëgjoni zërin e qytetarëve të revoltuar. Historia ka treguar se asnjë pushtet nuk është më i fortë se vullneti i një populli të ndërgjegjësuar. Besoj se dialogu, drejtësia dhe respekti ndaj qytetarëve janë rruga më e mirë për të shmangur përçarjet dhe konfliktet.
Zoti është dëshmitar i veprave tona. Pozitat janë amanet dhe përgjegjësi. Kur pushteti përdoret me drejtësi, ai bëhet bekim; kur keqpërdoret, bëhet barrë për mbajtësin e tij.
Unë jam shqiptare dhe ndihem përgjegjëse për fatin e kombit tim. Nuk mund të fle e qetë kur shoh probleme që prekin shoqërinë tonë. Besoj se njeriu vlen aq sa shqetësohet për hallet e të tjerëve dhe aq sa përpiqet të kontribuojë për të mirën e përbashkët.
Nuk kërkoj armiqësi me askënd. Kërkoj paqe me drejtësi, dialog me respekt dhe një Shqipëri më të mirë për të gjithë.
As Lindje, as Perëndim – Paqe me Drejtësi për Shqipërinë.
Me respekt: Ikballe Berisha Huduti


