
Gushti i këtij viti rezultoi të ishte një periudhë e vështirë për Shqipërinë për shkak të një vale të fuqishme zjarresh që përfshinë disa zona të vendit dhe shkaktuan dëme të konsiderueshme në natyrë, pasuri dhe infrastrukturë, duke vënë në rrezik jetën e banorëve dhe aktivitetin ekonomik lokal. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes gjatë këtij muaji janë regjistruar maksimalisht rreth 57 vatra aktive zjarri, që kanë djegur mijëra hektarë sipërfaqe duke përfshirë pyje dhe tokë bujqësore, dhe kanë shkaktuar të plagosur, shtëpi të djegura dhe një viktimë.
Zonat më të prekura
Bashkia e Gramshit ka qenë ndër më të prekurit nga zjarret, dhe vatrat e zjarrfikjes u shuan në Teqen e Dushkut dhe Malin e Kushovës, ndërsa forcat e shumta operacionale u angazhuan për të kontrolluar situatën. Në Bashkinë e Bulqizës, në fshatin Tërnovë, u evidentuan dy vatra zjarri me zhvillime në zonën e Liqenit të Zi dhe në Valikardhë, dhe forcat zjarrfikëse pyjore dhe bashkiake ndërhynë për të shuar flakët dhe për të mbrojtur banorët. Bashkia e Delvinës ka qenë një nga zonat më të prekura, ku flakët përfshinë sipërfaqe të gjera duke kërcënuar banesat dhe jetën e banorëve, dhe zjarri vazhdoi me intensitet të lartë edhe gjatë natës, duke rrethuar kodrat e qytetit. Në Bashkinë e Dibrës, në fshatin Konisbaltë në kufi të dy bashkive Dimal dhe Berat, zjarri përparoi drejt fshatrave Mbjeshovë dhe Bistrovicë, dhe forcat operacionale ndërhynë për të shuar flakët dhe për të mbrojtur zonën.

Reagimi institucional
Ministria e Mbrojtjes mobilizoi forcat e saj për të përballuar situatën, duke angazhuar sipas të dhënave të publikuara rreth 690 forca operacionale, 54 automjete zjarrfikëse, 110 trupa të Forcave të Armatosura me 2 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë të Forcës Ajrore Shqiptare dhe 1 helikopter nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Por këto nuk mjaftuan, pasi një nga mungesat më të mëdha në ndërhyrjen e vatrave rezultoi të ishte mungesa e mjeteve ajrore, gjë që e vuri në vështirësi reagimin e shpejtë në dy zonat më të prekura, Delvinë dhe Gramsh, të cilat prodhuan edhe bilancin më të rëndë.
Dëmet dhe pasojat

Janë shkatërruar mbi 200 shtëpi, nga të cilat 40 janë bërë totalisht të pabanueshme, dhe mbi 3,900 krerë bagëti kanë humbur, duke shkaktuar humbje të mëdha për fermerët dhe komunitetet rurale. Aktiviteti ekonomik lokal është prekur pasi fermerët kanë humbur tokë bujqësore, bimësi dhe bagëti, ndërsa bizneset turistike në zonat e prekura po përballen me rënie të numrit të vizitorëve dhe dëme të tjera ekonomike.
Zjarret e gushtit 2025 treguan qartë nevojën për një strategji, e cila mesa duket mungon në zyrat e institucioneve përkatëse, për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve dhe për koordinim më efikas midis institucioneve qendrore dhe lokale. Investimet në infrastrukturë, trajnime për personelin dhe përdorimi i teknologjive moderne për monitorimin e situatave emergjente janë të domosdoshme për të përballuar sfida të ngjashme në të ardhmen dhe për të mbrojtur jetën, natyrën dhe pasurinë e qytetarëve shqiptarë. Mesa duket, dy helikopterë ushtarak nuk mjaftuan për të shmangur dëmet e mëdha që ndikuan tejmase në jetën e banorëve të prekur.
Nga ana tjetër, përgjegjës për zjarret mund të bëjnë pjesë dhe 137 persona të identifikuar gjatë tre muajve të fundit, nga të cilët 46 janë tashmë të arrestuar. Të përgjegjshëm nga ana tjetër mund të quhen edhe banorët që ndihmuan forcat zjarrfikëse, policinë dhe ato të armatosura duke përdorur pompa shtëpie, kova apo mjete të tjera për të ndaluar përhapjen e zjarreve në tokat e tyre.


