Nga Gent Kaprata
Për disa ditë ndodhi e pabesueshmja: socialistët zbuluan demokracinë.
Kur Rama vendosi t’u suprimojë bashkitë, papritur u kujtuan se ekziston komuniteti. Se territori nuk është pronë e Kryeministrit. Se njerëzit duhen pyetur. Se bashkia nuk mund të fshihet me gomë nga Tirana.
U protestua. U ngrit zëri. U dogjën tesera. Kryebashkiakët socialistë dhanë deklarata që, po t’i dëgjoje pa figurë, mund t’i ngatërroje me opozitën.
Për pak menduam se kishte shpërthyer Revolucioni Francez në organizatat e PS-së.
Pastaj erdhi Kuçi.
Dhe revolucionarët u paraqitën në apel.
Aty Rama nuk kishte nevojë t’u shpjegonte gjatë se si funksionon demokracia socialiste. Pushteti që sot mund t’ua heqë bashkinë është i njëjti pushtet që dje ua siguroi atë.
Patronazhistët, administrata, presioni mbi qytetarin, të dhënat personale të kthyera në dosje elektorale, leja, legalizimi, vendi i punës, gjoba, tenderi, favori — gjithë ajo makineri ku shteti dhe partia janë shkrirë aq bukur sa mezi dallon ku mbaron zyra publike dhe ku fillon shtabi elektoral.
Dhe tani kryebashkiakët socialistë kanë një problem filozofik:
Si rebelohesh kundër makinës që të prodhoi?
Si i thua Ramës “bashkia është e qytetarëve”, kur për vite qytetarin e ke parë si votë për t’u administruar nga patronazhisti?
Prandaj tani presim vazhdimin e revolucionit.
Ku janë teserat që digjeshin?
Ku janë deklaratat heroike?
Ku janë kryebashkiakët që nuk lëshonin asnjë centimetër?
Apo në Kuç u zbulua ndonjë argument i ri shkencor?
Sepse skenari është madhështor:
Të hënën digjet tesera.
Të martën kërcënohet Rama.
Të mërkurën thirresh në Kuç.
Të enjten kupton thellësinë e reformës.
Të premten del t’u shpjegosh qytetarëve se suprimimi i bashkisë qenka pikërisht ajo që ata kishin kërkuar gjithmonë.
Ky është momenti i së vërtetës për socialistët e këtyre bashkive.
Nëse vazhdojnë kundërshtimin, do të kenë provuar se ekziston ende një kufi ku komuniteti vlen më shumë se urdhri i Kryetarit.
Nëse heshtin, atëherë revolta paska qenë vetëm një keqkuptim i vogël brenda familjes.
Sepse në demokracinë e patronazhistëve mund të digjet tesera, mund të suprimohet bashkia, mund të humbasë komuniteti.
Vetëm bindja ndaj Shefit nuk suprimohet kurrë.


