
Nga Jona Kaso
“Ti Shqipëri, më jep nder, më jep emrin shqipëtar,
Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr.”
Naim Frashëri
Teksa viziton shtëpinë e Vëllezërve Frashëri në Frashër, zemra të mbushet njëkohësisht me krenari dhe dhimbje. Rruga drejt Frashërit ishte e gjatë, e lodhshme dhe në shumë pjesë e dëmtuar, por çdo vështirësi harrohej sapo sytë përballeshin me mrekullinë natyrore që të shoqëron deri atje. Male madhështore, ajër i pastër, gjelbërim pa fund dhe pamje që sytë shumë rrallë kanë fatin t’i shohin, të japin ndjesinë sikur po afrohesh drejt një pjese të shenjtë të historisë shqiptare.
Dhe në një farë mënyre, ashtu është. Sepse aty nis historia e Abdyl Frashëri, Naim Frashëri dhe Sami Frashëri, tre burrave që i dhanë Shqipërisë gjuhën, kulturën, patriotizmin dhe vetëdijen kombëtare. Ata sakrifikuan jetën e tyre për këtë komb, për gjuhën shqipe dhe për identitetin shqiptar. Dhe pikërisht për këtë arsye, dhimbja bëhet edhe më e madhe sapo hyn në fshat dhe përballesh me realitetin e muzeut të tyre.

Një vend që duhet të ishte ndër monumentet më të nderuara të Shqipërisë, duket i lodhur, i heshtur dhe i lënë pas dore. Është e dhimbshme të shohësh se shtëpia ku u rritën figurat më të mëdha të Rilindjes Shqiptare nuk merr kujdesin dhe respektin që meriton nga shteti shqiptar. Në ato mure ku dikur u rritën ëndrrat për Shqipërinë, sot duket heshtja, pluhuri dhe harresa.
Aty të pret një grua e moshuat rreth të 60-ave, me emrin Marjana Naqellari. Në mënyrën si flet për muzeun dhe historinë e tij, kupton menjëherë sa shumë dashuri ka për atë vend. Nga biseda me të mësuam se edhe mirëmbajtjen e muzeut e bën vullnetarisht, me një përkushtim që të prek shpirtin. Të mendosh që një pjesë kaq e rëndësishme e historisë sonë mbahet gjallë falë dashurisë së një gruaje të vetme.
Teksa ecën nëpër dhoma, ndjen një heshtje të rëndë. Pikturat në mure dukeshin sikur flisnin. Sikur tregonin jo vetëm historinë dhe madhështinë e atyre burrave, por edhe dhimbjen e mureve që dita-ditës po rëndohen nga harresa. Disa printime të kohës së tanishme ishin mbuluar nga pluhuri, ambientet kishin nevojë për kujdes dhe gjithçka të jepte ndjesinë sikur koha aty kishte ndaluar në mënyrën më të trishtë të mundshme.

Pluhuri mbi ato piktura nuk dukej thjesht si pluhur. Dukej si indiferenca jonë. Dhe ndërsa shikon ato mure të vjetra, mendon me vete: si është e mundur që shtëpia e tre figurave që i dhanë Shqipërisë shpirtin e saj kombëtar të jetë në atë gjendje? Ata jetuan dhe sakrifikuan për Shqipërinë, ndërsa sot shtëpia e tyre duket sikur po lufton e vetme kundër harresës.
Ajo shtëpi nuk është thjesht një muze. Është një pjesë e shpirtit të Shqipërisë. Është vendi ku nisi ëndrra e një kombi. Dhe është shumë e dhimbshme që një histori kaq e madhe të mbahet gjallë vetëm nga dashuria e pak njerëzve, ndërsa meriton kujdesin, respektin dhe nderimin e të gjithëve.


