
Dëshira dhe vullneti për të qenë pranë komunitetit të tij, ka kthyer nga kryeqyteti në vendlindje, fizioterapistin Ergys Cakoni. Prej rreth 3 vitesh Ergysi punon në spitalin e Matit, ndërsa kohën e lirë nuk e kalon si gjithë bashkëmoshatarët e tij, por pasdite atë e gjejmë në qendrën multifunksionale në shërbim të të moshuarve. 27-vjeçari Ergys Cakoni është lindur dhe rritur në qytetin e Burrelit, ndërsa studimet e larta dhe më pas specializimin për fizioterapist i kreu në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë. Zgjedhja për të qenë pjesë e bluzave të bardha nuk ishte e rastësishme për të riun nga Mati, pasi shtysë për të ishte motra e tij, e cila punon infermiere. Lidhja e ngushtë me familjen dhe vendlindjen e tij, e solli Ergysin të ushtroj profesionin e fizioterapistit në spitalin e Burrelit, pas një eksperience 3 vjeçare në kryeqytet. Në qytetin ku ai jeton, nuk është më thjeshtë Ergysi, pasi të shumtë në zonë e etiketojnë si “Ergysi i të moshuarve”, për arsye se 27- vjeçari në mënyrë vullnetare pas pune trajton të moshuarit por jo vetëm në Qendrën multifunksionale.
I intervistuar nga gazetarja Xhoana Collaku për “ABC News” është pyetur rreth sfidës së tij në zotërimin e këtij profesioni. “Sfida më e madhe është mungesa e ndërgjegjësimit mbi rolin dhe rëndësinë e fizioterapisë, kam vënë re se nuk kanë informacion të mjaftueshëm apo kanë përceptime të gabuara rreth fizioterapisë. Për të përballuar këto sfida përpiqem që të krijoj lidhje të ngushtë me ta, duke i dëgjuar shqetësimet dhe inkurajuar për çdo hap të vogël që mund të bëjmë bashkë përpara.”– shprehet Ergysi.
Më pas ai ka shpjeguar dhe se nga lindi ideja për të krijuar një qendër multifunksionale për të moshuarit. “Duke shikuar se pacientët e mi janë grup mosha të treta, duke parë sfidat, vështirësitë dhe problemet që ato kanë, duke nisur që nga dhimbjet kronike të vazhdueshme apo humbja e lëvizshmërisë pashë që kjo moshë ka nevojë për kujdes të veçantë. Ideja ishte të krijoja një vend ku të moshuarit mund të marrin shërbime shëndetësore falas dhe të përfshihen në aktivitete që ndihmojnë fizikisht apo emocionalisht. Kjo qendër ka ndikuar pozitivisht në jetën e shumë të moshurave, ka përmisuar gjendjen e tyre me aktivitete apo ushtrime dhe kanë gjetur një hapësirë ku ata ndihen të mirëpritur dhe të vlerësuar.”-rrëfen Ergysi.
Artikulli është pronësi intelektuale e “ABC News”. Klikoni KËTU për artikullin origjinal.


