
Nga Gjergj Erebara
Nga trollsat te zhurmuesit, nga zhurmuesit te sufllaqet! Në mitologjikë e popujve të veriut, trollët janë sinonim i forcave të natyrës, krijesa të pazbutura që jetojnë në male apo shpella. Janë përbindëshat që kanë forcë të jashtëzakonshme dhe aspak tru. Në fillim të viteve ’90, J. K. Rowling, në atë kohë, një nënë e vetme në të tridhjetat që shkroi një roman të titulluar Harry Potter dhe guri filozofal në të cilin, trolli u mor nga mitologjia norde për t’u vendosur në një nga skenat e romanit të saj për fëmijë. Në skenën ku shfaqet trolli, i keqi e përdor atë për të tërhequr vëmendjen, pra një shashkë që përqendron njerëzit përreth trollit ndërsa i keqi vë në zbatim planin e tij për të vjedhur gurin filozofal apo gurin e mençurisë.
Nga fillimi i viteve 2000, interneti u bë dy drejtimësh, pra që njerëzit mund të merrnin informacion prej tij apo të jepnin informacion. Ndërsa nga viti 2010 e pas, shfaqja me forcë e rrjeteve sociale solli importimin e fjalës troll dhe tipologjisë e nënkuptimeve të saj, nga bota e Harry Potter për te bota e diskursit publik. Trollsat u bënë sinonim i kësaj botës së re, por jo për shkak të fuqive fizike të përdorura pa logjikë. Ata u bënë sinonim i përdorimit të fuqisë së fjalës në mënyrë të pakuptimtë. Shqipëria dha kontributin e vet në këtë terminologji politike, kur, pas tragjedisë së 21 janarit 2021, vrasjes së katër protestuesve të opozitës në bulevard, u shfaq termi “zhurmues” për të përshkruar, jo komentuesin anonim në rrjetet sociale, por për të përshkruar aktivitetin e Grida Dumës, e cila në këtë kohë u shfaq në shumë debate televizive për të mbrojtur Berishën.
Një përkufizim i termit mund të jetë ky: “Një opinionist apo opinioniste që shfaqet në studiot televizive, në përgjithësi në favor të maxhorancës me një ide të qartë për të folur pa mbarim pa thënë asgjë me synimin për të zhurmuar argumentin e palës tjetër me fjalë bombastike por pa thelb.” Gjatë qeverisjes socialiste, u bë e qartë që në fillesat e saj se Edi Rama mban një ushtri trollsash, adresa e të cilëve është kati i tretë i Pallatit të Kongreseve. Ushtria e trollsave të Ramës u etiketua si “sufflaqexhinjtë”. Origjina e termit nuk është e qartë, por hamendësimi është që i referohet grupeve të protestuesve të angazhuar nga partitë politike që sillen në Tiranë dhe, për t’u eglendisur, u qeraset një sufflaqe, një nga vaktet më të lira që mund të gjenden në qytet.

Trollsat, zhurmuesit apo sufllaqexhintë përbëjnë një shqetësim publik në një situatë të zakonshme. Në kushtet kur qytetarët mundet ta pëlqejnë apo të mos e pëlqejnë qeverinë (apo opozitën) që kanë, por mundet gjithsesi ta tolerojnë ekzistencën e saj, trollsat janë në gjendje të frikësojnë apo mbysin zërat e paktë kritikë. Ekzistencën e komenteve të koordinuara nga grupe partiake, e kam mësuar për herë të parë nga viti 2012. Në këtë kohë seksioni i komenteve poshtë shkrimeve në mediat kryesore sapo ishte hapur. Funksioni i këtyre grupeve ishte që, në rast se komenti nuk i shkonte për shtat shefit, të mund të shënjestronin qoftë argumentin, qoftë komentuesin.
Nën stilin e regjimit komunist, apo të çdo makinerie tjetër të një regjimi totalitar, populli ushqehej me përralla për lidhje të padukshme që shpjegonin sjelljen e njerëzve, jo si sjellje spontane, por si hallkë e një ingranazhi armik. Një opinionist nuk mund të kishte mendim kritik ndaj, fjala vjen, kryeministrit, përveçse nëse kishte një interes ekonomik, sado të largët e të tërthortë. Aludimet për interesa të fshehta janë praktikisht akuza për hipokrizi. Ky interesi i fshehtë pasohej nga sharje. Si aludimet për interesa të fshehta që kontrollojnë njerëzit me fije të padukshme, ashtu edhe sharjet ndaj individit shërbejnë për të injoruar argumentet. Sharjet dhe aludimet shërbejnë si dizinformim, diçka që tërheq vëmendjen nga problemi dhe përqendron njeriun në gjëra të paverifikueshme dhe ku logjika zëvendësohet me një sistem besimi. Ti mund ta besosh se dikush ka një interes të fshehtë, ose mund të mos e besosh atë. Por pavarësisht se cilën prej dy opsioneve zgjedh, nuk je në gjendje ta bësh në mënyrë të arsyeshme, përkundrejt argumenteve logjike.
Pavarësisht nëse i quajmë trollsa apo zhurmues apo sufllaqexhinj këto grupe nuk kanë efekt në kushtet e një shoqërie të angazhuar. Kjo u vu re në një situatë të pazakontë gjatë fillesës së Luftës në Ukrainë. Rusia, e cila konsiderohet gjerësisht si superfuqia e dizinformimit, shteti që mban makineri të tëra për të çorientuar publikun brenda dhe jashtë vendit, shteti që, në instancë finale, është origjina e termit Dezinformácia, dështoi pikërisht këtu. Një vëzhguese vërejti se Ukraina pati suksesin më të madh, jo vetëm në terren, ku ushtria e saj e vogël mposhti ushtrinë e stërmadhe ruse, por në Twitter, (sot X), ku mesazhet pro Ukrainës bindën botën perëndimore për nevojën për të ndihmuar me gjithçka mundej Kievin në luftën e saj për demokraci.
Njerëzit mund të dizinformohen kur gjenden të papërgatitur apo janë pasivë në skenën politike. Kur janë të përgatitur dhe nuk janë aktivë, trollsat kthehen në dobësi nga të qenit avantazh. Kjo është ajo që i ka ndodhur Ramës dhe zyrtarëve të tjerë socialistë. Trollsat e tyre dijnë të bëjnë zhurmë. Zhurma është e paefektshme përballë qytetarëve që japin argumente. Jo vetëm e paefektshme, por sheshin e vëmendjes publike, kthehet në liability kthehet në kosto.


