
Shpella e Haxhi Aliut është një nga ndalesat më tërheqëse në gadishullin e Karaburunit. Gojëdhëna flet për një lundërtar nga Ulqini i cili bashkë me të birin strehohej për t’u shfaqur më pas në beteja detare me piratët që kalonin në brigjet e Jonit. “ObserverKult” shkruan se Haxhi Aliu bashkëpunonte me barinjtë dhe banorët vendas për të mbajtur larg ata që synonin të plaçkisnin çfarë gjenin. Ajo që mahnit vizitorët është mrekullia që natyra ka bërë në 30 metra gjatësi dhe një thellësi që arrin deri në 10 m. Stalaktitet mijëravjeçare veshin muret e brendshme duke krijuar pa fund imazhe unike të gdhendura si me dorë. Me një varkë apo anije të vogël detare mund t’i afrohesh hyrjes e cila të bën kurioz të shohën në brendësi.
Studiuesi Moikom Zeqo, vite më parë shkruante mbi një udhëtim në shpellën e Haxhi Aliut, kujtime që i ka cituar “Flasshqip”: “Në Karaburun, pranë Kepit të tij, është shpella ku Haxhi Aliu fuste anijen e tij, tartanën me vela. Është varrosur në Sazan bashkë me të birin, kur u vra. Jetën dhe vdekjen e tij heroike i ka bashkuar e i ka bërë sintezë kënga e shekujve. I afrohemi shpellës, emri i së cilës shkëlqen në gjeografinë poetike të folklorit të detit. Fryn një fllad i lehtë dhe i freskët. Pulëbardhat klithin duke u rrotulluar sipër. Mbi dallgët kërcen me shpejtësi një delfin”.

Ajo që bota nënujore ofron aty është një pasuri më vete. Zeqo përshkruan ato që mundën të shikonin gjatë zhytjes: “Shpella me kulm në lartësi afro 60 metra, të kujton një katedrale gotike. Faqet e brendshme janë plot fole pëllumbash të egër. Një vezullim i çuditshëm e pak i mugët mbush gjithçka. Fundi i shpellës është në formën e një liqeni të vogël, me ngjyrë blu. Veshim pajisjet e zhytjes dhe futemi. Xhami i maskës vishet shpejt si me avull të bardhë. Kjo ndodh nga ndryshimi i papritur i temperaturës. Në trup ndjejmë një rrymë uji tepër të ftohtë: burimi i nënshpellës. Burimi është me ujë të ëmbël. Në një thellësi afro 20 metra gjejmë një grykë amfore të lashtë të shekullit II para erës sonë. Më tej, një spirancë e vogël e shekullit tone”.
Sipas tij një pjesë e shpellës ka gjurmë bloze, kjo nga koha ë luftërave dhe zjarreve të ndezura. “Haxhi Aliu futej me gjithë tartanën në shpellë, prej nga u dilte me shpejtësi anijeve të huaja që donin të sulmonin dhe i fundoste. Sipër, duket një tunel që humbet në thellësi të shkëmbit. Ku të çon vallë ky tunel? Mos ka lidhje me pjesën tjetër të Karaburunit? Ky është një motiv për spelologët”, shkruan Zeqo.


