
Kur Berisha po pretendon se zgjedhjet ia kanë vjedhur, nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ është bërë i ditur vendimi për të hedhur poshtë kërkesat e disa prej kandidatëve për deputetë nga lista e hapur e Partisë Demokratike. Ky vendim në fakt nuk ka ardhur vetëm nga votat kundër të përfaqsuesve të mazhorancës por dhe nga votat kundër të anëtarëve përfaqësues të opozitës. Disa nga kandidatët e listës së hapur që depozituan pranë KAS-it kërkesat për rinumërimin e votave preferenciale janë Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj dhe Lisandër Hoxha për qarkun e Tiranës. Ndërkohë që për qarkun e Durrësit kanë dorëzuar kërkesat e tyre respektive dhe Aulon Kalaja dhe Ilirjana Kuçana. Këto kërkesa erdhën pas vënies në dispozicion të pamjeve filmike nga KQZ-ja për kandidatët apo subjektet politike që pretendojnë parregullsi në procesin e numërimit të votave.
Ky vendim erdhi papritur dhe shkaktoi pakënaqësi te disa prej tyre, të cilët e komentuan vendimin si të padrejtë dhe suprizues për bashkimin e votave midis përfaqsuesve të majtë e të djathtë.
Njëra prej kandidateve Ilirjana Kuçana në një reagim për Report Tv ka shprehur se ndihet e shokuar dhe e zhgënjyer nga anëtarët e opozitës që bashkuan votat me Partinë Socialiste. Ajo shton se dhimbja më e madhe për një kandidat demokrat nuk është kur sheh se një kërkesë nuk pranohet nga antarët e mazhorances por kur sheh anëtarët e opozitës të bashkojnë votat me socialistët, për të hedhur poshtë një të drejtë që e ka secili kandidat.

Më vonë në një konferecë për shtyp lideri i demokratëve Sali Berisha ka justifikuar aktin e djeshëm si një keqkuptim mes kandidatëve dhe rrugës ligjore që Partia Demokratike ka planifikuar të ndjek per të faktuar sipas tij paligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve. Kreu demokrat theksoi madje se anëtarë të Partisë Demokratike në KAS vepruan në perputhje me ligjin, i cili i heq të drejtën kandidatit të dërgojë jo i përfaqësuar nga subjekti kërkesën për rinumërimin e votave në një qark. Sipas tij fillimisht duhet kërkuar paligjshmëria e këtye zgjedhjeve e më pas është partia që dërgon për shqyrtim kërkesat e kandidatëve sipas qarkut. Disa kandidatë kanë depozituar kërkesat e tyre pranë përfaqësuesve të partisë në KQZ dhe presin vlerësimin që partia ka për qarkun nga ku vjen ankimimi.
Nga kjo deklaratë Sali Berisha ka lënë të kuptohet se çdo kandidat që kërkon transparencë për votat e tij preferenciale do duhet të marrin fillimisht aprovimin e partisë e më pas të bëjë kërkesë pranë Komisonit të Ankimimeve dhe Sanksioneve. Në fund ai shton se çdo kandidat do të ketë mbështetjen e tij edhe pse kjo nuk u pa në mbledhjen e fundit të KAS.
Çfarë garancie kanë tanimë kandidatët e opozitës se kërkesat e tyre do të mbështeten të paktën nga antarët demokratë në komision? A do t’i çojnë nga e para të gjithë kandidatët kërkesat duke përdorur rrugën e partisë apo do ndryshojnë mendje papritur?


