
Ministrja e re e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka mbajtur fjalimin e saj të parë pas marrjes së detyrës, duke shpalosur vizionin dhe prioritetet që do të udhëheqin punën e saj në këtë mandat. Në prani të kryeministrit, Sala u kthye në vendin ku ka studiuar dikur, duke u shprehur se ndryshimet strukturore që ka parë sot janë më të mira se ato të disa prej spitaleve ku ka punuar jashtë vendit, përfshirë Cambridge-in. “Jam shumë e vetëdijshme që kjo është një sfidë e madhe, por unë e kam dashur gjithmonë sfidën. Suksesi i njeriut varet nga suksesi i skuadrës që ai krijon. Nëse skuadra është e suksesshme, atëherë edhe drejtuesi është i suksesshëm,” – tha ajo.

Prioriteti i parë: Rimbursimi i barnave onkologjike
Ministrja Sala u ndal gjatë tek një nga problemet më të ndjeshme për qytetarët: barnat e shtrenjta që përdoren në trajtimin e kancerit. “Ajo ku dua unë të fokusoj punën time është zgjidhja sa më parë e rimbursimit të plotë të barnave onkologjike. Është e palejueshme që në një vend europian siç do jetë Shqipëria deri në 2030-ën, barnat për pacientët me kancer të mos jenë të gjitha të rimbursueshme. Ky është një premtim personal për mua dhe është në përputhje me vizionin e kryeministrit,” – deklaroi Sala. Aktualisht, një pjesë e barnave onkologjike rimbursohen nga shteti, por pacientët shpesh detyrohen të blejnë medikamente me kosto shumë të larta jashtë listës. Ky është një nga ankimet kryesore të pacientëve dhe i shoqatave që mbrojnë të drejtat e tyre. Ministrja e re ka premtuar se ky boshllëk do të mbyllet plotësisht.

Riorganizimi i shërbimit parësor dhe diagnostikues
Një tjetër pikë e fortë e vizionit të saj është shërbimi parësor dhe diagnostikues, i cili sipas saj duhet të ristrukturohet për të shmangur mbingarkesën në spitale. “Nuk mund të ndodhë që spitalet tona të jenë të tejmbushura. Shumë raste mund të zgjidhen në nivelin e shërbimit parësor me diagnostikim të shpejtë. Vetëm pacientët që kanë realisht nevojë për kujdes spitalor duhet të dërgohen në spitale.” Ky orientim shihet si një hap i rëndësishëm për të shpëtuar jetë, për të kursyer kohë dhe për të rritur efikasitetin e sistemit shëndetësor.

“Prof. Dr. Evis Sala nuk është një emër i panjohur në fushën e mjekësisë. Ajo ka ndërtuar karrierën e saj në qendra të njohura ndërkombëtare, përfshirë: Drejtimin e Qendrës për Imazheri Diagnostike dhe Radioterapi Onkologjike në Poliklinikën Gemelli në Romë. Angazhimin si pedagoge dhe kërkuese shkencore në fushën e imazherisë dhe onkologjisë. Eksperiencën e fituar në disa prej spitaleve më prestigjioze në Europë, mes tyre dhe Cambridge. Ky profil i jep besueshmëri vizionit të saj për modernizimin e shëndetësisë shqiptare dhe afrimin e saj me standardet europiane”- u shpreh kryeministri Edi Rama. Ministrja Sala pranoi se asgjë nuk bëhet vetëm, duke i bërë thirrje gjithë sistemit të shëndetësisë dhe aktorëve të përfshirë të kontribuojnë: “Asgjë nuk bëhet vetëm, ndaj këtij oqeani të madh që i jam futur do t’i hyjmë të gjithë bashkë. Asgjë nuk është e pamundur.”-tha Sala.



