
Nga Auron Tare
Shiu i vjeshtës kishte filluar ndërsa unë isha në studiot e një televizioni që më kishte ftuar atë natë. Pas bisedës po prisja te kafja e televizionit shoferin që do të më zbriste në qendër. Sapo kisha mbaruar një “debat” në një prej televizioneve të Tiranës, ku përpiqesha të shpjegoja rrezikun e madh që u kanosej zonave të mbrojtura dhe në veçanti, gjymtimit të Parkut të Butrintit, pasuri botërore e UNESCO-s, në përfitim të resorteve turistike. Ndërkohë që shoferi i televizionit po vonohej, unë vështroja nga xhamat e kafesë pikat e shiut që binin ngadalë në një pellg të vogël. Makina me logon e televizionit ndaloi përpara derës. I thashë “Natën e mire!” një gruaje të përgjumur që priste me padurim të mbyllte derën e kafesë e të shkonte në shtëpi. Ishte vonë dhe emisioni kishte zgjatur jo pak.

U futa në makinë dhe u ula përpara.
-Ndjesë, – më tha shoferi, – por duhet të prisja edhe të ftuarën tjetër.
-Pa problem, – i thashë. – Nuk kam ndonjë nxitim.
E ftuara, me të cilën sapo kisha debatuar në emision, ishte ulur pas.
-Nuk e mora makinën time, – tha ajo, pak si e ndjerë në faj.
As unë, as shoferi nuk u përgjigjëm.
Rrugët ishin bosh dhe dritat e rrugëve ndriçonin zbehtë.
-Po i bie nga Unaza – tha shoferi.
-Nga të duash”, – i thashë.
-Më fal, -më tha debatuesja, – a mund të më lini mua të parën?”
-Pa problem. Mua më lër në qendër, – i thashë shoferit. – Pastaj iki vetë në këmbë.
Heshtje.
-Ndjesë, – më foli përsëri debatuesja e emisionit. – Isha e detyruar të isha pak e ashpër me ju.
S’ka gjë, – i thashë.
Ndoshta heshtja ime e kishte vënë në siklet.
Nuk e kisha hasur më parë në ndonjë debat për kulturën apo turizmin dhe isha pak i çuditur nga argumentet e kësaj zonje, e cila dukshëm nuk kishte ndonjë ide të veçantë për këto fusha.
Për të shtendosur atmosferën në makinë, e pyeta:
Ju, me çfarë merreni?
Më pa e çuditur.
Nuk më njihni?
Ngrita supet.
-Jam pedagoge në universitet.
-Çfarë lënde?
-Ekonomi-financë.
Heshtje.
-Ju kam parë, – më tha. – Flisni me pasion për këto tema.
-Mundohem, – i thashë, – por nuk besoj se dëgjon njeri për këto tema.
-Pse?
-Po ja, ju jeni pedagoge. Edukoni të rinjtë dhe, me sa kuptova nga ato qe thonit, nuk kishit asnjë ndjeshmëri për mbrojtjen e zonave natyrore apo kulturore.
Ajo heshti për një çast.
-Shiko, – më tha. – Më duhet të dal në televizion dhe të mbroj politikat e kryeministrit.
Dhe vazhdoi të më shpjegonte përse kishte filluar të dilte në debate.
-I besoni këtyre politikave? – e pyeta.
Heshti pak.
-Jo. Nuk kam lidhje me to. Por më duhet të jem prezente në televizion.
-Po ç’të duhet, nëse nuk ke as kontribut dhe as dëshirë të merresh me këto gjëra? -vazhdova ta pyes.
-Dua të futem në politikë, – ma ktheu.
Dhe pa nga dritarja e makinës.
Nuk e ngava më tej pedagogën.
-Dëgjo, – më tha, ndoshta e bezdisur nga heshtja ime. – Unë jam pedagoge. Jam mirë. Por dua të futem në politikë. Dua të jem dikush. Kur shikoj se kush është ministër, më dhemb koka.
-Po ti jep në fushën tënde, – i thashë. – Mësoju studentëve të duan vendin, të mos shkatërrojnë natyrën, të ruajnë trashëgiminë kulturore. Nëse e bën këtë, besoj se je e plotësuar, apo jo?
-Jo, – më tha. – Besoj se mund të jem ministre. Çfarë kanë këto sot më shumë se unë?
-Asgjë, – i thashë. -Thjesht kanë dalë më shumë se ti në televizor dhe kanë mbrojtur gjëra që nuk i besojnë as vetë.
-E vërtetë, – më tha. Por besoj se mund ta bëj edhe unë.
Shoferi ndërkohë frenoi.
Ajo hapi derën.
-Natën e mirë- na përshëndeti dhe silueta iu tret nën shiun që vazhdonte të binte.
Unë e ndoqa me sy përmes xhamit Ministren e ardhshme të Republikës.


