Dorëheqja e Muhamet Rrumbullakut solli një zinxhir shkarkimesh në strukturat e Policisë së Shtetit. Ministri i ri i Brendshëm, Ervin Hoxha i cili ka vetëm një muaj në këtë detyrë, me rastin e dorëheqjes së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit vendosi se kishte ardhur koha për të sjellë ndryshime të mëdha në strukturat e policisë, duke e nisur kështu detyrën e tij me një “furtunë” shkarkimesh.

Të premten ministri mblodhi të gjithë vartësit e tij, drejtorët e policisë së qarqeve, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit si edhe drejtorët e departamenteve.  Në atë që ishte dhe dalja e tij e parë publike, Hoxha paralajmëroi ndryshimin e të gjithë drejtuesve të Policisë së Shtetit në 12 qarqet e vendit.

Sokol Bizhga në krye të Policisë së Shtetit vetëm përkohësisht

Me largimin e Rrumbullakut, kompetencat e tij i janë deleguar zv.drejtorit Sokol Bizhga, deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri me garë. Ministri Hoxha e njoftoi vetë hapjen e garës për drejtorin e ri që do të bazohet në ligjin e ri, të hartuar gjatë kohës kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Taulant Balla.

“Kam nxjerrë Udhëzimin për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe në zbatim të tij, në detyrën e përkohshme të drejtuesit të lartë të Policisë, do të komandohet Zv.drejtori i Përgjithshëm, Sokol Bizhga. I ftoj të gjithë drejtuesit të Policisë, të cilët janë sipas rangjeve të parashikuara nga ligji të kandidojnë për Drejtor të Përgjithshëm. Nëse e kanë këtë ambicie të mos ngurrojnë. Procesi është i hapur dhe zgjedhja do të jetë e pandikuar nga asgjë tjetër, përveç vlerave individuale të çdo kandidature.”- tha ministri. Aplikantët sipas udhëzimit kanë afat 7 ditë. Ndërkohë për Rrumbullakun, ai me këtë largim i jep fund rrugëtimit të tij të gjatë në Polici. Sipas ligjit të ri, Rrumbullaku nuk mund të kthehet më në radhët e uniformave blu.

Sokol Bizhga

Tre drejtorë ikën njëri pas tjetrit në 3 vite

Muhamet Rrumbullaku është drejtori i dytë i Policisë së Shtetit që jep dorëheqjen brenda 3 viteve. Kujtojmë dorëheqjen e Ardi Veliut më 5 tetor të vitit 2021, pas 3 vitesh në detyrë. Ai u pasua nga Gledis Nano i cili si një figurë e re dhe me lidhje të forta me amerikanët, fillimisht u pa si një mundësi për ndryshim. Por pa u bërë ende viti qarkulluan lajmet se Rama i kishte kërkuar të jepte dorëheqjen, ama ai nuk kishte pranuar dhe si përfundim u shkarkua në Gusht të vitit 2022, me argumentin se “nuk i ka realizuar objektivat”. Nano u pasua nga Rrumbullaku, i cili dha dorëheqjen pas vetëm 2 vitesh në detyrë.

Shkarkimi i 12 drejtorëve në qarqe

Pas dorëheqjes së Rrumbllakut dhe komandimit të Bizhgës në vend të tij, ministri i Brendshëm paralajmëroi shkarkimin e 12 drejtorëve të policisë në qarqe, me qëllim sipas tij për t’i hapur rrugën “reformimit” të policisë. Në fjalën e tij, ministri tha se sot është dita për ta kaluar stafetën tek një tjetër gjeneratë drejtuesish. “Sot, është dita për ta kaluar stafetën tek një tjetër gjeneratë drejtuesish, të cilët falë punës kolosale të bërë deri këtu, nuk do ta fillojnë rrugën e tyre nga gremina e vitit 2013, por nga një lartësi e arritur me mundin e me kohën e një dekade dhe nuk do të kenë asnjë justifikim për të mos e ngjitur Policinë e Shtetit në rangun e trupave më të mira të Bashkimit Europian.”– tha Hoxha duke shtuar se është i bindur se të gjithë ata që do të dorëzojnë stafetën, që nga Drejtori i Përgjithshëm dhe të gjithë të tjerët, nuk do ta kursejnë dijen dhe përvojën e tyre, për të mbështetur ngjitjen e të rinjve drejt majës.

Hoxha tha se konkursi për drejtuesin më të lartë të policisë, do të pasohet menjëherë nga procesi ligjor dhe meritokratik i ripërtëritjes së të gjithë skuadrës së drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit. Ministri mes të tjerash kujtoi emërimin e tij, duke u shprehur se nuk e priste kur ai mori ftesën nga Kryeministri Edi Rama për t’u bërë ministër, një post që as nuk e kishte menduar ndonjëherë dhe betimin e ka konsideruar momentin më emocionues të jetës së tij profesionale.

Si u pritën ndryshimet në polici

Në një kohë kur mori në sërë vlerësimesh mes kolegëve të PS-së, për këto ndryshime pati pakënaqësi nga opozita. Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh në një konferencë për mediat se skandalet nuk shpërlahen me ndërrime drejtuesish. Po ashtu ai shtoi se kryeministri Rama e ka kthyer në polici private. “Nuk ka komente më për Policinë e Ramës, polici private. Skandalet e shumta që kanë ndodhur këto kohë nuk shpërlahen me ndërrime drejtuesish, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën. Duhet që strofulla e krimit të organizuar është në kryeministri, aty është strofulla e Ndraghetës dhe atje bëhen ndryshimet për të shpëlarë skandalet në mënyrë që njerëzit të shpresojnë se do ketë ndonjë ndryshim.”- tha Meta.

Ndërkohë deputeti demokrat Ervin Salianji sugjeron se ish-drejtori Rrumbullaku nuk është aspak i dorëhequr, por i larguar prej daljes së skandalit me të dhënat e TIMS-it. “Është shkarkim me ceremoni. Largimi i detyruar, ka pasur një drejtor të përgjithshëm dy vite më para që nuk pranoi të jepte dorëheqje, është e njëjta skemë. Përdorimi politik që i bëhet sidomos zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit… Kam keqardhje që Rrumbullaku është përfshirë në këtë situatë, sot e tregoj qartësisht që pasi i përdor politikisht mirë e mirë, i shtrydh, i keqpërdor dhe i flak në rrugë. Është dorëhequr jo për shkak të ndërhyrjes në sistem, por që Edi Rama nuk iu fal që nuk e kanë mbuluar si duhet ndërhyrjen në system.”– tha Salianji.

Drejtuesi i Departamentit të Sigurisë në PD, Avenir Peka, në një intervistë për “Syri TV” tha se këto lëvizje në strukturat e Policisë së Shtetit, po bëhen në funksion të zgjedhjeve të ardhshme me qëllim sigurimin e një mandati të katërt nga Edi Rama.

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Ola Xama Të dhënat për numrin e policëve të plagosur apo vlerën e objekteve të dëmtuara në protestë, për herë të parë nuk më bëjnë përshtypje. Personalisht kam pëlqyer...
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
Shtëpia e Bardhë kërkoi dorëheqjen e Guilfoyle pasi "The Wall Street Journal" raportoi se ajo i kishte kërkuar 100,000 dollarë një donatori të Trumpit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Katie...
/ Oct 13