

“Shpërthim” ishte fjala me të cilët ditën e djeshme ish-presidenti Ilir Meta tërhiqte ndjekësit e tij në rrjete sociale dhe i ftonte ta ndiqnin në programin e mbrëmjes “Opinion” në TV Klan të Blendi Fevziut.
Se sa shpërthyese ishin deklaratat e tij, këtë i takon lexuesit që ta vendosë. Në këtë artikull, kemi mbledhur disa nga mesazhet që ish-presidenti dha gjatë kësaj interviste.
Ai foli për çështje nga më të ndryshmet, nga hetimet e SPAK, tek marrëdhënia me bashkëshorten e tij Monika Kryemadhin apo lidhur me “tradhtinë” që ndjen se ka patur në rangje të larta në partinë e tij. Po ashtu iu përgjigj zërave që kanë ngritur teorinë konspirative se përmes videove të fundit që ka publikuar në rrjetet sociale, po përgatit terren që nëse dënohet dhe përfundon pas hekurave nga hetimet e SPAK, të luajë kartën e “shëndetit mendor.”
“Hetimi i SPAK-ut ndaj meje nisi pas takimit të Dumanit me McGonigal”
Kreu i Partisë së Lirisë u shpreh se hetimi i SPAK-ut ndaj tij nisi pasi një takimi të Altin Dumanit me Charles McGonigal.
“SPAKU ka nis hetim në dhjetor 2019 sipas të dhënave të mia edhe pas takimeve të Dumanit me McGonigalin. Dhe pse ka nisur në dhjetor 2019 për një çështje të mbyllur? Sepse ishte koha që Ilir Meta nuk lejonte të pushtohej Gjykata Kushtetuese nga banda e Edi Ramës.”– tha Meta. Kliko këtu për video nga intervista.
Sipas tij, Altin Dumani e kishte personale me të. Lidhur me hetimet e SPAK, ish-presidenti tha gjithashtu se edhe SPAK është duke u hetuar prej tij. Meta thotë se SPAK është në “shërbim kriminal” të kryeministrit Edi Rama sepse “bën sikur arreston drejtorë” për të mbrojtur kryebashkiakun e Tiranës.
Një ditë pas intervistës, Dumani reagoi për Report Tv, duke thënë se nuk e ka takuar kurrë McGonigal.
“Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal. Gjithçka është thënë në media, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme, te pabaza që bëhen për institucion që unë drejtoj. Nuk ka pasur asnjë arsye për të takuar McGonigal, as nuk e kam njohur kurrë dhe emrin ia kam dëgjuar pas publikimeve ne mediat shqiptare.”– tha Dumani.
Telefonata me Berishën
Në bisedë e sipër, Meta tregoi gjithashtu për një telefonatë që ka patur me ish-kryeministrin Sali Berisha.
“Më merr doktori në telefon kur isha në Durrës. Nga telefonata e kuptova që kishte një shqetësim ai dhe ika. Berisha më tregon se ish-kryeprokurorja Ina Rama, kishte marrë urdhër për të më futur në burg. Ajo kishte dorëzuar në Angli materiale në video dhe audio.”-tha ai, duke shtuar se iu përgjigj Berishës duke i thënë se nuk ishte fare e nevojshme të shqetësohej.
Madje i kishte dhënë një premtim: “Doktor unë të premtoj që edhe nga burgu do të jap më shumë vota për zgjedhjet që ta heqim Edi Ramën nga kryetar bashkie i Tiranës”.
“Raportet e mia politike me Kryemadhin janë tronditur”
Fevziu e pyeti Metën edhe lidhur me marrëdhënien që ka me gruan e tij, që për disa kohë mori drejtimin e LSI-së, sot Partia e Lirisë.
Ai tha se raportet politike me të janë tronditur që pas djegies së mandative.
“Raporti im politik nuk është i mirë, zonja Kryemadhi ka kontribute të jashtëzakonshme deri ditën që ajo ka vendosur për djegien e mandateve. Raportet tona politike që nga ai moment kanë pësuar një tronditje të madhe.”-deklaroi Meta.
“Më rrëmbyen dhe dhunuan djalin gjatë fushatës”
Gjatë intervistës, në një moment Meta tregoi se gjatë fushatës i kanë rrëmbyer dhe dhunuar djalin 16-vjeçar në dy raste: në Berat dhe Fier.
“Vajta në Lezhë dhe më ndiqnin bandita, në Berat më rrëmbyen çunin 16 vjeç, ma rrëmbyen bandat e Beratit, u shkova atje në fole ku e kishin ata dhe e liruan. Vajta në Fier i ranë çunit 16 vjeç me lopatë në kurriz ata. Ato mandate u morën me gjak dhe me sakrifica.”– u shpreh ai.
Tradhti brenda partisë
Meta ka folur gjithashtu për tradhti në radhët drejtuese të partisë së tij. Edhe pse nuk dha emra ai tha se: “Tradhtia jo vetëm që ka emër, por tradhtarin e përdorin të gjithë dhe askush nuk e do. Në fund fare është një qenie e pështirë. Mbetet për t’i lënë kohës kohën e vet.”– tha Meta.
Pse i përzura gardistët
Meta po ashtu iu përgjigj pyetjes lidhur me vendimin e tij për të larguar gardistët duke hequr dorë nga mbrojtja e Gardës së Republikës që i takon si ish-President edhe për 5 vite.
“Unë nuk i kam hequr ata me thënë të drejtën. Unë i kam përzënë. Sepse të punosh me një ish-President duhet të jesh shumë korrekt, duhet të jesh shumë i kujdesshëm dhe askush nuk duhet të dijë se ku shkon dhe me kë takohet Presidenti i Republikës sepse një njeri që kërkon të dijë se ku shkon, kë takon Presidenti, ai dëshiron të marrë kontrollin e aktivitetit dhe veprimtarisë së tij. Kjo është arsyeja pse unë i kam përzënë ata. Unë i kam respektuar shumë, por kjo mungesë besnikërie, aq më tepër nuk mund të rrish ti në një ambient me Blendi Fevziun, ku Blendi Fevziu flet keq për Ilir Metën.”– tha ai.
Premtimi: Do ta bëjmë Shqipërinë me 4 milionë banorë
Ish-presidenti u zotua ta bëjë Shqipërinë me 4 milionë banorë me se s’bën.
“Ky do të bëjë atë gjë që ëndrrën e Edi Ramës për të ekzekutuar pluralizmin politik do ta ekzekutojë në mënyrën më ekselente dhe Edi Rama do të mbetet në historinë e Shqipërisë një nga figurat më të turpshme për ato që ka bërë, jo vetëm për demokracinë, jo vetëm kundër interesit kombëtar për Kosovën, për atë që ka bërë për detin dhe për atë që ka bërë për shumë gjëra të tjera dhe Ilir Meta do këtë gjë dhe u them të gjithëve që duan të ikë Ilir Meta sa më shpejt nga politika: të mbështesin Ilir Metën që Shqipëria të shkojë 4 milionë shqiptarë. Sa më shpejt të bëhet kjo, aq më shpejt ikën Ilir Meta. Ilir Meta, Shqipërinë në dorë të tutorëve të Edi Ramës nuk e lë kurrë. Ky është një projekt tashmë i qartë për të gjithë shqiptarët dhe na duhet një organizim i fuqishëm për 5 prioritetet tona, për 4 milionë shqiptarë plus dhe do ta realizojmë se s’bën, me atë fuqi dhe vendosmëri që i kam bërë gjërat gjithmonë unë.”- u shpreh i vendosur. Meta po ashtu dha mesazhe të tjera. Ai u shpreh se do të gjejnë një zgjidhje kundër nepotizmit në Partinë e Lirisë, pasi ky fenomen i ka ndjekur që në fillimet e tyre në politikë. Qeshi për teoritë konspirative se përmes videove të fundit që ka publikuar në rrjetet sociale, po përgatit terren që nëse dënohet dhe përfundon pas hekurave nga hetimet e SPAK, të luajë kartën e “shëndetit mendor.”


