
Kryeministri Edi Rama mbajti këtë të hënë konferencën e fundit me gazetarët për vitin 2024. Gjatë kësaj konference ai u ndal në çështje të ndryshme duke nisur nga hetimi për Veliajn, vendimi i “Tik-Tokut”, zgjedhjet e ardhshme dhe deri tek anëtarsimi në BE. Rama e nisi biseden e tij me gazetarët, duke vënë në dukje arritjet e rëndësishme, ku sipas tij është dalja e Shqipërisë nga faza e monitorimit të plotë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, pas 29 vitesh.
Më pas teksa foli për temën e drejtësië, Rama u ndal dhe ndaj hetimit të Veliajs, duke deklaruar se atij i është cënuar dinjiteti nga prokurorët. “I cënohet dinjiteti nga prokurorë e gjykatës të ulur nëpër klube mediatike apo të fshehur pas ekraneve të portaleve. Këtë e di me siguri! Linçimi publik është i neveritshëm, kërkimi i gijotinës për të është skandaloz! Nuk jemi në kushtet ku është shpallur ndonjë akuzë publike me gjithë argumentet përkatës, jemi në kushtet ku kemi sms pa emër. Jemi në kushtet e një amullie shumë të ngjashme me një çorbë derrash që nuk mund të jetë arsye për të marrë qëndrime ne sot. Ne do shohim evoluimin.”, – tha Rama.

Për këtë çështje, ai shtoi se SPAK-u “të godasë kë duhet të godasë”. “Kur kemi thënë në mënyrë të përsëritur që duam një drejtësi as majtas as djathtas të godasë kë duhet të godasë, mendoni se kam bërë retorikë? Kam menduar çdo gjë që kam thënë. Në kuptimin që i besoj. Nuk jam këtu për të ngrënë pula dhe as për të shijuar jetën si e kuptojnë jetën ata që kanë më shumë vetura sesa çorape.”, tha Rama.
I pyetur nga gazetarët për personin që ka denoncuar Veliajn, Nesti Angoni, Rama u shpreh se nuk preferon të komentojë se kush mund të jetë. “Ky rast është shumë specifik për shumë arsye, por s’kam asnjë koment. Deri tani nuk kam parë asnjë akuzë për persona konkretë. Unë personalisht nuk dua të bëj asnjë koment dhe asnjë përfaqësues i PS nuk është i lejuar të bëjë asnjë koment. Ne pa uri dhe me vëmendje po e ndjekim me shumë kujdes.”– tha Rama.
Ndërsa nuk la as pa ironizuar partitë e vogla, ku sipas tij nuk ka asnjë kundërshtar apo alternativë që rrezikon partinë e tij. “Kështu të bashkuar bashkë Llapaj, Shabani, Qori dhe Shehaj flas si tingëllim më ngatërrohen pak. Nuk ka asnjë kundërshtar apo alternativë në fushë nuk është rrezik, domethënë se më kujtohet kur luaja basketboll, nuk ishte rrezik që ne do të na mundte Vllaznia, ishte një mundësi. Zgjedhjet janë si kundërshtar, kundërshtari më i madh i PS, unë e kam thënë, është PS, s’ka tjetër. Këtu luftohet për vendin e dytë për një arsye të thjeshtë, sepse PS është e vetmja forcë popullore.– tha Rama.
Ai foli gjithashtu për mbylljen e “Tik-Tok”-ut, duke bërë të qartë se nuk do të tërhiqet nga ky vendim. “Kemi një situatë që ju e njihni, lidhur me ‘TikTok’-un. Ne nuk lëvizim nga vendimi që kemi marrë. Dhe siç e kam paralajmëruar, është një vendim për implementimin e të cilit do të na duhen 6-8 javë sepse teknologjikisht është shumë e rëndësishme kjo kohë.”– tha Rama.

Ndërsa diskutoi dhe për investimin e tunelit të Murrizit, ku njoftoi se hapja e tij do të bëhet pranverën e ardhshme, teksa e cilësoi këtë investim si goditje nga syri i keq. “Një pikë kyçe ku na goditur fort syri i keq, tuneli i Murrizit, gjeologjia. Aty po bëhet një punë kolosale për të përballuar një gjeologji e cila faktikisht solli një surprizë në këtë rast, e hidhur. E gjithë ajo punë kolosale po bëhet pa asnjë qindarkë shtesë nga buxheti. Pse? Sepse po bëhet me PPP. Kjo është. Kur PPP bëhen siç duhet, barra ndahet. Shpresoj shumë që në pranverë, por s’dua të flas shumë, se aty na kanë parë sytë vërtetë vështirësi të mëdha, të hapet edhe ai.”, tha Rama.


