Padia tronditëse për ngacmim seksual kundër Lorna Hajdinit, ndaj rastit të JPMorgan, cilësohet si “trillim i plotë” ndërsa zbulohet identiteti i John Doe. “Një ish-punonjës i JPMorgan Chase, të cilin burimet e kanë identifikuar si Chirayu Rana, është akuzuar se ka fabrikuar pretendime për ngacmim seksual kundër një drejtueseje të lartë në bankë, pasi një hetim i brendshëm nuk gjeti prova për shkelje”, bën të ditur “The Post”. Burime të shumta i thanë “The Post” se Rana, 35 vjeç, tashmë partner në firmën e investimeve “Bregal Sagemount”, është personi që ngriti padinë tronditëse kundër Lorna Hajdini në fillim të kësaj jave. Padia e Ranës, e depozituar të hënën nën pseudonimin “John Doe”, akuzonte drejtoreshën ekzekutive 37-vjeçare se e kishte kthyer atë në “skllav seksual” duke e droguar me Rohypnol dhe Viagra, dhe se e kishte kërcënuar se do i ulte bonusin nëse ai nuk do të bindej.

Gazeta “Daily Mail” e publikoi lajmin të mërkurën në mbrëmje, duke cituar detaje sensacionale nga një dokument gjyqësor që tashmë është tërhequr për “korrigjime.” Tabloidi britanik, duke iu referuar dokumenteve tashmë të fshira nga gjykata, raportoi se Lorna Hajdini, drejtoreshë ekzekutive në ekipin e financimit të JPMorgan Chase, madje ishte paraqitur pa paralajmërim në apartamentin e Chirayu Rana dhe e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale. Hajdini reagoi përmes një deklarate të dërguar në “The Post” nga avokatët e saj duke u shprehur se: “Lorna i mohon kategorikisht akuzat. Ajo kurrë nuk është përfshirë në asnjë sjellje të papërshtatshme me këtë individ dhe as nuk ka qenë ndonjëherë në vendin ku pretendohet se ka ndodhur sulmi seksual.” Rana, i cili nuk iu përgjigj kërkesave të shumta të “The Post” për komente, pretendoi se detyrimi i supozuar kishte nisur pak pasi ai iu bashkua ekipit të financimit të JPMorgan Chase në pranverën e vitit 2024.

Ai paraqiti një ankesë të brendshme në maj 2025, duke pretenduar ngacmim mbi bazë race dhe gjinie, si dhe abuzim me pushtetin, përpara se të përpiqej të negocionte një kompensim që arrinte në “miliona” për t’u larguar nga kompania, sipas burimeve. Padia përmendte gjithashtu JPMorgan Chase si të paditur, duke akuzuar bankën për hakmarrje dhe për dështim në kryerjen e një hetimi të duhur. Daniel J. Kaiser, avokati i listuar në regjistrat e Gjykatës Supreme të Qarkut të Nju Jorkut si përfaqësues i “John Doe”, nuk iu përgjigj telefonatave të “The Post” për koment. JPMorgan Chase i mohoi me forcë të gjitha pretendimet. Një zëdhënës i bankës, i cili refuzoi të komentonte mbi identitetin e “John Doe”, tha se një hetim i plotë i brendshëm nga departamenti i burimeve njerëzore dhe juristët e bankës që përfshinte shqyrtimin e regjistrave telefonikë dhe emaileve të ekipit, nuk gjeti asnjë provë që t’i mbështeste ato. “

Pas një hetimi, ne nuk besojmë se këto pretendime kanë ndonjë bazë,” tha zëdhënësi. “Ndërsa shumë punonjës bashkëpunuan me hetimin, ankuesi refuzoi të marrë pjesë dhe nuk ka pranuar të japë fakte që do të ishin thelbësore për të mbështetur akuzat e tij.” “The Post” ka mësuar gjithashtu se Chirayu Rana nuk raportonte te Lorna Hajdini. Të dy ishin thjesht kolegë në ekipin e financimit, i cili merret me blerje të mëdha korporative, bashkime dhe blerje kompanish. Persona në brendësi të çështjes thanë se Hajdini raportonte te drejtori menaxhues Brandon Graffeo, ndërsa Rana mbikëqyrej nga një tjetër drejtor menaxhues, Jon Wolter. Kjo do të thotë se ajo nuk kishte ndikim mbi madhësinë e bonusit të tij vjetor. Një koleg e përshkroi Ranën, ish-lojtar basketbolli dhe i diplomuar në universitetin “Rutgers” si “socialisht të sikletshëm”, por dikë që “i përmbushte kërkesat” për të qëndruar në bankë.

Miq të Hajdinit, e cila vazhdon të punojë në JPMorgan Chase, thanë se ajo shihet brenda institucionit si “një performuese e shkëlqyer.” “Ai e ka njollosur atë me një trillim të plotë,” tha një aleat, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste me median. Profili i vetë Hajdinit në LinkedIn tregon se e diplomuara në “NYU Stern School of Business” dhe e apasionuar pas verës, në kohën e lirë merret me vullnetarizëm për “Minds Matter”, një organizatë jofitimprurëse që ndihmon të rinjtë në nevojë të realizojnë ëndrrën për të ndjekur universitetin. Regjistrat e pronave e lidhin Chirayu Rana me një apartament në lagjen Kips Bay të Manhattan dhe me një shtëpi familjare me vlerë 1.7 milionë dollarë në Fairfax County.

Karriera e tij në financë ka përfshirë angazhime në kompani si Houlihan Lokey, Credit Suisse, TCG Capital Markets, Morgan Stanley dhe The Carlyle Group, përpara se t’i bashkohej JPMorgan Chase. Aktualisht ai është partner në “Bregal Sagemount”, një firmë me bazë në New Jork e drejtuar nga ish-punonjësi i Goldman Sachs, Gene Yoon, e cila investon në softuer, infrastrukturë digjitale, IT shëndetësore dhe shërbime financiare. Nuk është caktuar ende një datë gjyqi. Padia mbetet e raportueshme sepse dokumentet gjyqësore në Shtetet e Bashkuara gëzojnë privilegj absolut ndaj padive për shpifje, duke i mbrojtur mediat nga përgjegjësia për sa kohë që ato i përshkruajnë pretendimet në mënyrë të drejtë dhe të saktë. Kjo do të thotë se ato nuk mund të paditen, edhe nëse pretendimet në padi më vonë provohen të jenë të rreme ose dashakeqe.

Ky shkrim është pronë intelektuale e “Nypost”

Titulli redaksional i Gogo.al. Titulli origjinal: Chirayu Rana — former JPMorgan banker at center of ‘completely fabricated’ ‘sex slave’ allegations against Lorna Hajdini — left new job 3 weeks ago

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10