Nga Entela Çapo

Në Shqipëri, çështjet ekonomike janë ndër temat që ndikojnë më drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, nga mënyra se si shpenzohet buxheti i shtetit te kontratat publike, taksat dhe politikat fiskale. Megjithatë, paradoksalisht, ato janë edhe ndër më pak të trajtuarat dhe në disa raste dhe të keqmbuluara nga media. Tema të tilla raportohen shpesh në mënyrë të fragmentuar, pa kontekst dhe pa analizë të të dhënave reale. Një qasje e tillë krijon konfuzion publik dhe ushqen forma të ndryshme të keqinformimit e dezinformimit me natyrë ekonomike.

Ne sot jetojmë në një mjedis informativ gjithnjë e më të mbingopur, ku shpejtësia e publikimit dhe konsumit të informacionit, mbizotëron mbi normat dhe standardet profesionale të gazetarisë siç është verifikimi. Pikërisht në një mjedis të tillë informativ, gazetaria ekonomike reduktohet shpesh në nivelin e riprodhimit të deklaratave politike apo të shifrave komplekse dhe të pakuptueshme.

Në raportimet e medias mund të hasësh shpesh investime milionëshe që përmenden pa shpjeguar strukturën e tyre financiare, kostot për taksapaguesit dhe detaje të tjera që do ta ndihmonin publikun të kuptonte thelbin e tematikës. Po kështu media shpesh raporton për rritje shpenzimesh të qeverisë apo institucioneve të pushtetit lokal të cilat mund të interpretohen si kriza, por pa ofruar një analizë krahasuese me nivelin historik të shpenzimeve.

Një shembull i përsëritur në media shqiptare është mënyra se si raportohen kostot e kontratave PPP në shëndetësi. Duke qenë se tema e kontratave të partneritet publik-privat ka shoqëruar shpesh debatin politik dhe jo vetëm, raportimi në kontekstin ekonomik të tyre ka mbetur në hije. Titujt shpesh theksojnë shuma totale shumëvjeçare që arrijnë dhjetëra apo qindra miliona euro, duke krijuar perceptimin e një shpenzimi të menjëhershëm dhe të jashtëzakonshëm për buxhetin e shtetit. Në shumë raste mungon sqarimi se këto pagesa janë të shpërndara në vite dhe përfaqësojnë këste vjetore të lidhura me shërbimin e ofruar. Pa këtë kontekst, publiku përballet me shifra tronditëse, por jo me kuptim real financiar.

E njëjta logjikë vërehet edhe në raportimin mbi projektet infrastrukturore. Kostoja totale e një kontrate shumëvjeçare paraqitet shpesh si argument kryesor për skandal, pa u krahasuar me shpenzimet që do të kishte ndërtimi dhe mirëmbajtja tradicionale publike përgjatë së njëjtës periudhë. Rrallëherë shpjegohet se një pjesë e kostos përfshin shërbime afatgjata, mirëmbajtje ose risk teknik të transferuar te operatori privat.

Për shembull, vlen të përmendim rastin e segmentit Thumanë-Kashar, një autostradë e ndërtuar përmes PPP-ve, e cila ka kushtuar 271 milionë euro. Me këtë koncesion 35-vjeçar kompania private pritet të mbulojë kostot e ndërtimit si dhe të fitojë para nga tarifa që u mbledh qytetarëve. Sipas të dhënave zyrtare, mirëmbajtja dhe gjithçka tjetër është nën përgjegjësinë e koncensionarit.

Por, pavarësisht natyrës së kësaj kontrate, shpesh në media nuk jepet e detajuar dhe lehtësisht e kuptueshme nga të gjithë përgjegjësitë e secilës palë, pasi theksi vendoset më së shumti te kostoja e majme e ndërtimit, mënyrës se si janë fituar këto koncesione të cilat sigurisht përbëjnë interes publik, por raportimi në vetvete nuk është i plotë.

Në këtë formë, informacioni humbet funksionin e tij informues dhe shndërrohet në material emocional që prodhon klikime, por jo kuptim.

Gazetaria ekonomike, në thelb, kërkon një nivel tjetër profesionalizmi. Ajo nënkupton aftësinë për të lexuar dokumente buxhetore, për të interpretuar statistika publike, për të analizuar kontrata dhe për t’i përkthyer këto elemente në gjuhë të kuptueshme për qytetarët. Kur ky proces mungon, shifrat nuk shërbejnë më si burim transparence, por si mjete narrative që mbështesin konflikte politike apo sensacione mediatike.

Një tjetër fenomen i zakonshëm në raportimin shqiptar është interpretimi i rritjes së shpenzimeve buxhetore si krizë automatike, pa u krahasuar me rritjen e përgjithshme të buxhetit, inflacionin apo ndryshimet strukturore të ekonomisë. Tituj që flasin për “shpërthim shpenzimesh” ose “rritje alarmante” shpesh nuk shoqërohen me të dhëna historike apo me shpjegime se në cilët sektorë është përqendruar kjo rritje dhe pse.

Një nga problemet më të shpeshta në raportimin ekonomik shqiptar mbetet mungesa e burimeve të verifikueshme. Artikuj me pretendime të forta publikohen pa iu referuar dokumenteve zyrtare, raporteve financiare apo databazave publike. Në shumë raste, burimi i vetëm mbetet një deklaratë politike ose një formulim i paqartë si “burime pranë çështjes”.

Në epokën digjitale, ku buxhetet, kontratat publike dhe raportet ndërkombëtare janë lehtësisht të aksesueshme, kjo praktikë nuk është më problem teknik, por zgjedhje editoriale.

Hulumtime të fundit mbi gazetarinë ekonomike kanë treguar se raportimi pa kontekst dhe pa burime është një nga format më të përhapura të keqinformimit financiar. Analizat e “Reuters Institute for the Study of Journalism” theksojnë se audiencat shpesh ekspozohen ndaj shifrave të izoluara që interpretohen emocionalisht, pa shpjegim të kuptimit të tyre real në ekonominë publike.

Në udhëzimet profesionale për gazetarinë ekonomike të përgatitura nga “Reuters Institute for the Study of Journalism”, theksohet se çdo raportim mbi shifra financiare duhet të shoqërohet me burime të verifikueshme, krahasim historik dhe shpjegim të ndikimit real në buxhet ose ekonomi. Sipas këtyre udhëzimeve, një shifër pa kontekst nuk është informacion, por potencial për keqinterpretim.

Në të njëjtën linjë, praktikat e gazetarisë së bazuar në të dhëna, të promovuara nga “Columbia Journalism Review”, rekomandojnë që lajmet ekonomike të mbështeten në dokumente zyrtare, raporte auditimi dhe statistika publike, duke shmangur riprodhimin e thjeshtë të deklaratave politike. Gazetarët inkurajohen të verifikojnë shifrat përmes buxheteve zyrtare dhe t’i analizojnë ato.

Këto standarde përkthehen në disa praktika konkrete që mungojnë shpesh në raportimin shqiptar: verifikimi sistematik i burimeve financiare, krahasimi historik i shpenzimeve, zbërthimi i kostove shumëvjeçare në ndikim vjetor dhe analizimi i alternativave publike.

Një problem i lidhur ngushtë me këtë është përdorimi selektiv i të dhënave. Media shpesh nxjerr në pah vetëm shifrën që përforcon një narrativë të caktuar, duke anashkaluar informacionin tjetër që do ta vendoste atë në kontekst. Kjo krijon një pamje të pjesshme të realitetit ekonomik, e cila prodhon efekt dezinformues edhe pa synim të drejtpërdrejtë manipulimi.

Studime mbi komunikimin financiar nga “International Monetary Fund” kanë vënë në dukje se mënyra e fragmentuar e raportimit të të dhënave buxhetore rrit mosbesimin publik dhe ushqen perceptime të pasakta mbi borxhin, shpenzimet dhe politikat fiskale.

Një dimension tjetër thelbësor është transparenca e të dhënave. Institucionet shqiptare publikojnë gjithnjë e më shumë informacion financiar, por shpesh në forma teknike, të vështira për t’u kuptuar nga publiku i gjerë. Por kjo nuk e justifikon mungesën e analizës nga media. Përkundrazi, këtu qëndron roli kryesor i gazetarisë ekonomike profesionale.

Për shembull, Banka e Shqipërisë ka njoftuar pak ditë më parë se niveli i kredive me probleme tashmë është në “minimum historik”, por pa dhënë më shumë informacion se cili ishte procesi që i prodhoi këto kredi me probleme.  Një gazetari e mirë ekonomike në këtë rast duhet të analizojë siç duhet rastin duke shpjeguar me detaje se si ka funksionuar ky sistem kredish dhe si u përmirësua.

Për rastin në fjalë, një shembull është analiza e “Skyweb”, ku gazetarët kanë shpjeguar se si ka funksionuar hap pas hapi ky proces, duke mos u mjaftuar vetëm me një njoftim zyrtar nga Banka e Shqipërisë.

Analiza nga “Columbia Journalism Review” kanë treguar se mungesa e raportimit të thelluar mbi financat publike lë hapësirë për sensacionalizëm dhe për dominim të diskursit politik mbi faktet. Në Shqipëri, kjo vërehet qartë në mënyrën se si shifra buxhetore përdoren si argument politik, ndërsa media shpesh i transmeton pa verifikim dhe pa analizë krahasuese.

Rrjetet sociale e përforcojnë më tej këtë problem. Shifra të shkëputura nga konteksti qarkullojnë masivisht dhe shoqërohen me komente emocionale që e paraqesin çdo zhvillim ekonomik si skandal apo krizë të menjëhershme.

Sipas studimeve të “Pew Research Center”, përmbajtjet që përmbajnë mesazhe të thjeshtuara dhe shifra tronditëse kanë shumë më tepër gjasa të shpërndahen sesa analizat e bazuara në të dhëna. Në këtë situatë, përgjegjësia publike e medias bëhet vendimtare. Nuk mjafton të informosh shpejt. Duhet të informosh saktë.

Analizat mbi rolin demokratik të medias nga “Harvard Kennedy School Shorenstein Center” theksojnë se gazetaria e bazuar në të dhëna është një nga mekanizmat kryesorë për rritjen e llogaridhënies dhe besimit publik.

Në Shqipëri, mungesa e gazetarisë ekonomike të thelluar ka krijuar një boshllëk ku dominon narrativa politike dhe interpretimi emocional. Ky boshllëk nuk mbushet me më shumë tituj alarmistë, por me më shumë analiza, verifikim faktesh dhe përdorim serioz të të dhënave publike.

Forcimi i gazetarisë ekonomike nuk do të thotë mbrojtje e qeverisë apo sulm i opozitës. Do të thotë mbrojtje e interesit publik. Një media që i trajton çështjet ekonomike me profesionalizëm, transparencë dhe qasje kritike ndihmon qytetarët të kuptojnë realisht se si përdoren paratë publike, cilat politika funksionojnë dhe cilat dështojnë.

Në një shoqëri ku shifrat shpesh përdoren si armë politike, gazetaria ekonomike e bazuar në fakte mbetet një nga mjetet më të rëndësishme kundër dezinformimit.

Pa të dhëna të verifikuara dhe pa analizë serioze, debati ekonomik rrezikon të mbetet peng i emocioneve, perceptimeve dhe miteve publike.

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen e rrjetit SEE Check dhe me financimin e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Albanian Institute for Research (AIR) dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

This article was produced ëith the support of the SEE Check Network and ëith the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the Albanian Institute for Research (AIR) and do not necessarily reflect the vieës of the European Union.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10