
Që prej mesditës së sotme opinioni publik shqiptar është informuar mbi skandalin seksual që ka patur në qendër një kryebashkiak të sapozgjedhur, atë të Kukësit, Safet Gjicin, i cili ishte duke kryer marrëdhënie orale në zyrën e bashkisë. E përfshirë në videon flagrante që u shpërnda në mediet sociale ishte edhe një grua. Video e shpërndarë në rrjetet sociale dukej si pjesë e një përgjimi, filmuar nga një celular ose kamerë profesionale mbi ekranin e një kompjuteri, televizori a celulari që e transmetonte, në të cilën data shënonte 6 qershor 2023, pra më pak se 1 muaj pas zgjedhjeve.
Video Erotike – Virale për të gjithë
Të gjithë ata që kanë dashur të njihen me materialin, kanë mundur. Video e kthyer në virale mund të aksesohej lehtësisht në rrjetet sociale, në një nga profilet që e publikuan, “Pinkmani”.
Lajmi që buroi nga kjo përmbajtje audiovizuale përcaktohet si çështje me interes publik për disa arsye: personazhi i përfshirë është kryebashkiak dhe figurë publike me pushtet, marrëdhënia erotike u konsumua në zyrën e pushtetit vendor, vërtetësia e videos u verifikua relativisht shumë shpejt duke qenë se vetë Gjici konfirmoi vërtetësinë e saj në tekstin e dorëheqjes. Ky është një nga rastet e rralla, të arta për medien, ku çështja me interes publik kombinohet edhe me informacionin interesant për publikun për shkak të kuriozitetit njerëzor të qytetarëve.
“Figurat publike kanë më pak të drejtë për privatësi; megjithatë, informacioni mbi jetën e tyre private mund të bëhet i njohur vetëm nëse përbën interes publik.”, thuhet në një prej Kodeve Etike të Gazetarisë.
Mediet profesionale u gjendën kështu përballë faktit të kryer të publikimit të kësaj përmbajtje me interes publik në rrjetet sociale. Çfarë vendimi do të duhet të merrnin, ta publikonin për audiencat e tyre dhe si?
Media shqiptare me nivel më të lartë raportimi
Përgjithësisht mediet shqiptare zgjodhën publikimin e lajmit por në krahasim me raste të mëparshme punuan në mënyrë më të kujdesshme me materialin në zotërim.
Ajo që u vu re ditën e sotme është se u shmang përgjithësisht publikimi i videos pa elementët mbulues, zbehës apo montues, me qëllim shmangien e pamjeve që klasifikohen nën termin pornografi.
Në përgjithësi në raportimet mediatike fokusi u vendos te personazhi me më shumë pushtet, kryebashkiaku Safet Gjici, te sjellja e tij në raport me ligjin (SPAK-u ka hapur tashmë hetimet), jashtë etikës, në shkeljë të rregullores së institucionit apo në mungesë përgjegjësie përballë publikut që e votoi më 14 maj. Po kështu në përgjithësi media shqiptare u përqendrua në raportimet e saj në vitet e burgut që rrezikon Gjici, te teksti i dorëheqjes, te përsëritja e zgjedhjeve madje dhe memet patën atë në qendër.
Edhe pse disa nga mediet nisën të hulumtojnë mbi gruan që shfaqej në video, sërish në përgjithësi këto medie qëndruan vetëm në publikimin e inicialeve të saj dhe jo emrin e mbiemrin e plotë.
Një shkallë e lartë përgjegjshmërie u vu re jo vetëm te mediet online por edhe në televizione, përforcuar kjo edhe me faktin se Autoriteti i Medieve Audiovizive nuk ka njoftuar sot tërheqjen e vëmendjes së televizioneve apo gjobitjen e tyre.

Nga e përgjithshmja ka edhe përjashtime
E megjithatë disa medie me linjat e tyre editoriale afër qeverisë gjatë publikimit të tezave për opinionin publik se ndaj Gjicit ka patur një skenar “të parapërgatitur” dhe se atij “i është bërë shantazh” nga një grup i mirëorganizuar, kanë publikuar edhe elementë identifikues të personazhit të dytë të shfaqur në video. Inicialet e pretenduara (një prej këtyre medieve ka shkruar të plotë edhe emrin e pretenduar), pozicioni i punës profesionale të pretenduar, madje edhe fotoja e pretenduar e gruas duket se furnizojnë rezultatin e objektivizimit të saj, në kufijtë e linçimit me bazë gjinore dhe në rrethanat e personazhit me më pak pushtet.
Pas publikimit të materialit bruto platformat sociale si “Facebook”-u kanë bllokuar këtë përmbajtje në bazë të rregullave të publikimit për të cilat mund të lexoni Këtu dhe Këtu.
Por ndryshe nga skandale të ngjashme, siç ishte ai i ish-kryebashkiakut të Dibrës Shukri Xhelilit, edhe publiku në komentet e tij në rrjetet sociale ka shfaqur vetëpërmbajtje ndaj gruas së shfaqur në video. A është shenjë emancipimi apo tejngopje me skandalet e politikanëve shqiptarë?!