
Nga Esiona Konomi
Mëngjesin e 23 tetorit, aktorja e humorit, Delinda Disha surprizoi ndjekësit e saj në Instagram me një postim në “story” ku shkruante: “𝑀𝑖𝑟𝑒̈𝑚𝑒̈𝑛𝑔𝑗𝑒𝑠 𝑚𝑖𝑞! 𝑁𝑔𝑎 𝑠𝑜𝑡 𝑗𝑎𝑚 𝑒 𝑙𝑢𝑚𝑡𝑢𝑟 𝑡𝑒̈ 𝑛𝑑𝑎𝑗 𝑚𝑒 𝑗𝑢 𝑙𝑎𝑗𝑚𝑖𝑛 𝑠𝑖 𝑘𝑎𝑛𝑑𝑖𝑑𝑎𝑡𝑒 𝑒 𝑝𝑎𝑣𝑎𝑟𝑢𝑟 𝑝𝑒̈𝑟 𝑘𝑟𝑦𝑒𝑡𝑎𝑟𝑒 𝑛𝑒̈ 𝐵𝑎𝑠ℎ𝑘𝑖𝑛𝑒̈ 𝑇𝑒𝑝𝑒𝑙𝑒𝑛𝑒̈! 𝑀𝑒 𝑟𝑒𝑠𝑝𝑒𝑘𝑡, 𝐷𝑒𝑙𝑖𝑛𝑑𝑎 𝑍ℎ𝑢𝑝𝑎 𝐷𝑖𝑠ℎ𝑎.” Për të qenë edhe më bindëse, “kandidatja e shpallur” e shoqëronte postimin me një këngë polifonike labe, dedikuar Tepelenës, ku ajo supozonte të garonte. Menjëherë, mediat online si dhe disa media tradicionale televizive botuam lajmin, pa asnjë hezitim.
“𝗡jë 𝘁𝗷𝗲𝘁ë𝗿 𝗮𝗸𝘁𝗼𝗿𝗲 𝗻ë 𝗴𝗮𝗿ë 𝗽ë𝗿 𝗸𝗿𝘆𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗕𝗮𝘀𝗵𝗸𝗶𝗲, 𝗗𝗲𝗹𝗶𝗻𝗱𝗮 𝗗𝗶𝘀𝗵𝗮 𝘀𝘆𝗻𝗼𝗻 𝗧𝗲𝗽𝗲𝗹𝗲𝗻ë𝗻”
“𝗔𝗸𝘁𝗼𝗿𝗷𝗮 𝗗𝗲𝗹𝗶𝗻𝗱𝗮 𝗗𝗶𝘀𝗵𝗮 𝗸𝗮𝗻𝗱𝗶𝗱𝗼𝗻 𝗽ë𝗿 𝗸𝗿𝘆𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗻ë 𝗕𝗮𝘀𝗵𝗸𝗶𝗻ë 𝗲 𝗧𝗲𝗽𝗲𝗹𝗲𝗻ë𝘀”
“𝗣𝗮𝘀𝗶 𝘀𝗵𝘁𝗶𝗻𝘁𝗲 𝗳𝗮𝗹𝗹 𝗽ë𝗿 𝗥𝗮𝗺ë𝗻 𝗴𝗷𝗮𝘁ë 𝟭𝟭 𝗺𝗮𝗷𝗶𝘁, 𝗮𝗸𝘁𝗼𝗿𝗷𝗮 𝗗𝗲𝗹𝗶𝗻𝗱𝗮 𝗗𝗶𝘀𝗵𝗮 𝗸𝗮𝗻𝗱𝗶𝗱𝗼𝗻 𝗲 𝗽𝗮𝘃𝗮𝗿𝘂𝗿 𝗻ë 𝗧𝗲𝗽𝗲𝗹𝗲𝗻ë”
“𝗡𝗷ë 𝘁𝗷𝗲𝘁ë𝗿 𝗮𝗸𝘁𝗼𝗿𝗲 𝗲 “𝗣𝗼𝗿𝘁𝗼𝗸𝗮𝗹𝗹𝗶së” 𝗶 𝗳𝘂𝘁𝗲𝘁 𝗽𝗼𝗹𝗶𝘁𝗶𝗸ë𝘀, 𝗗𝗲𝗹𝗶𝗻𝗱𝗮 𝗗𝗶𝘀𝗵𝗮 𝘇𝘆𝗿𝘁𝗮𝗿𝗶𝘇𝗼𝗻 𝗸𝗮𝗻𝗱𝗶𝗱𝗮𝘁𝘂𝗿ë𝗻 𝗽ë𝗿 𝗸𝗿𝘆𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲 𝘁ë 𝗧𝗲𝗽𝗲𝗹𝗲𝗻ë𝘀”
Këta janë vetëm disa prej titujve të vendosur nga faqet më të mëdha online, përfshirë mediat në Shqipëri, por edhe në Kosovë. E vërteta është se i gjithë ky raportim i gjerë rezulton i gënjeshtërt, në mungesë të një kontrolli të thjeshtë të fakteve. Redaksitë u mjaftuan vetëm me postimin e aktores në rrjetet sociale, e cila në rastin më të mirë ka bërë një shaka, ose në rastin më të keq, ka ngritur një grackë, në të cilën media ra, pasi ka hequr dorë nga praktikat bazike të verifikimit të lajmit.
Ndonëse rregulli gazetaresk se lajmit i duhen të paktën 2 burime, mund të duket “i dalë mode”, termi “fact checking” tingëllon më modern, por në këtë rast rezulton si i papërdorur. Ja disa hapa të thjeshtë që do të kishin kursyer keqinformimin e lexuesve të këtyre artikujve. Aktorja Disha njoftoi kandidimin e saj si e pavarur më 23 tetor, ndërkohë që vetëm një konsultë e thjeshtë me rrjetet sociale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, do të mjaftonte për të kuptuar se kandidatët e pavarur duhet të kishin aplikuar në KQZ brenda datës 19 tetor, për të marrë formularët e mbledhjes së firmave përmes Komiteteve Nismëtare.
Ditën që lajmi shpërtheu në media, KQZ publikoi në rrjetet e saj sociale listën e plotë të kandidatëve të pavarur që kishin marrë autorizim nga KQZ për të mbledhur firma nga zgjedhësit. Por as kjo nuk solli reflektim tek mediat të cilat vijuan ta mbajnë artikullin e gënjeshtërt të botuar. Aktorja jo vetëm që nuk kishte mundësi të kandidonte si e pavarur, por edhe po të donte të kandidonte përmes ndonjë partie, edhe kjo mundësi u dogj mesnatën e 24 tetorit. Pra, Disha nuk është kandidate, as e varur, as e pavarur për ndonjë bashki. Gjithsesi, në media, vijon të jenë të botuara artikujt për kandidimin e saj, pa asnjë përditësim apo përgënjeshtrim.



