
Nga Ervin Kaçiu
Për shkak të një ‘alergjie’ të kahershme prej konspiracionit, nuk po arrij t’i dalloj poliagjentët dhe aq më pak gjeostrategjitë komplekse, por nga ana tjetër e di me siguri sepse është e vërtetuar shkencërisht që konspiracioni është një prej instrumenteve rutinore të makinerisë propagandistike të autokracive. Mos harrojmë që ka qenë burimi kryesor i mosbesimit social, dhe për rrjedhojë një taktikë e përdorur prej shumë vitesh nga establishmenti politik në Shqipëri me qëllim dekurajimin e angazhimit qytetar, sidomos të çdo praktike vetëorganizimi jashtë kornizave të organizimit partiak. Në të shkuarën shpeshherë ia kanë dalë ndërsa aktualisht jo vetëm po dështon, por po bëhet një shtysë që po e energjizon edhe më shumë reaksionin shoqëror si kundërpërgjigje ndaj arrogancës fyese, ndaj dhe me këtë rast uroj vërtetë që të ketë humbur valencën ‘buka’ e përditshmë e erozionit social.
Është e tepërt me u ndal në analizën e këtij elementi apo fenomenit në përgjithësi sepse mjafton me lexu, me përshkru e me gëzu këtë dallgë demokracie, si tejkalim i shumë prej miteve tona politike bashkëkohore, të përmbledhura në përkufizime esencialiste të vetes, që na përndjekin prej vitesh si psh. ‘kështu jena ne shqiptarët’. Kjo që po ndodh është më e pakta një burim inspirimi për një shoqëri që po clirohet prej disfatizmit politik si eksplorim e vetëdijësim mbi qënien e fuqinë e vet politike, që nëse vijon të kultivohet nuk ka gjë ta ndalojë.
Në protestë ka shumë rini, dhe ky ishte madje, motivi i parë krejt infantil i ekzaltimit, që na flet shumë mbi Shqipërinë e këtyre viteve – të gëzohesh që nuk kanë ikur ende të gjithë. Jo vetëm kaq, por sikurse e kanë pohuar edhe të tjerë, ata po bëhen indi lidhës i një rryme sociale që po dëshmon që jemi shumë dhe po dimë të funksionojmë edhe si bashkësi, si pohim i një vetëdije kolektive dhe si vullnet politik.
Për të mos u përhumbur në kakofoninë dhe kaosin e botës virtuale, dhe mbi të gjitha në narrativën manipulative të pushtetit na duhet me theksu vazhdimisht zanafillën e protestës: tërheqja zvarrë e një protestuesi nga disa ‘të fortë’ që po shërbenin si mercenarë të oligarkëve që në bashkëpunim me kriminelë zaptuan një zonë që duhet të jetë patjetër e mbrojtur, në prani të policisë së shtetit. Kjo nuk ishte asgjë më shumë se sa një sintezë e kulluar e sistemit me të cilin përballemi çdo ditë. Oligarkë që zotërojnë gjithcka, kriminelë të legjitimuar nga lidershipi qeverisës që bëjnë çfarë të duan, kudo dhe një autokrat që nuk do tja dijë për askënd dhe asgjë përpos mirëmbajtjes së sistemit që i garanton pushtetin.
Nuk është më e nevojshme që të abstragohen efektet e këtij modeli pushteti që na serviret njëherazi si model zhvillimi sepse sot shumica e përjeton në praktikë, sapo del nga territori i privates. Ky model ka prodhuar pabarazi të shumëfishtë jo vetëm materiale, por edhe në status e prestigj social për sa e ka pamundësuar një jetë të bazuar në dinjitet, aftësi e kreativitet njerëzor dhe këtë besoj e ndjen në lëkurë kushdo që i është bashkuar revoltës së këtyre ditëve.
Është krejt e qartë që kjo nuk do të thotë me qenë kundër zhvillimit të vendit sikurse na është sevirur prej vitesh, por kundër mënyrës së si zotërohen e administrohen kapitalet dhe pasuritë e këtij vendi nga një grup i vogël njerëzish. Kjo nuk ka prodhuar shpërndarje të drejtë të të mirave në shoqëri, as përmirësimin e shërbimeve publike, përkundrazi po e mpak gjithnjë e më shumë aksesin e shumicës së shoqërisë te e përbashkëta dhe te prona private. Ne vetëm izolohemi brenda mureve të shtëpisë, dhe gjithcka jashtë saj, lagja, bregdeti, male, e cdo territor i të përbashktës ose po bëhet i pa aksesueshëm ose mund t’i qasesh vetëm si konsumator potencial i pronës tashmë të ‘të privilegjuarve’. Kjo nuk është as një ndarje klasore që na propozohet si imperativi i kapitalizmit por thjeshtë një ndarje e padrejtë mes dy botëve, nga njëra anë elitë politike e korruptuar, kriminelë dhe oligarkë dhe nga ana tjetër shumica e qytetarëve që ky regjim po i tjetërson ose po i dëbon nga ky vend. Ky është një model zhvillimi që riprodhon jo vetëm të njëjtën strukturë pushteti por madje edhe të njëjtën strukturë sociale. Mjafton pak vullnet e dashni për vendin e njerëzit e këtij vendi për të apliku modele zhvillimi lehtësisht të kopjueshme nga perëndimi që harmonizojnë raportin mes sipërmarrësve, natyrës, të përbashkëtës dhe interesave të shumicës.
Në dy ditët e fundit të protestës janë intensifikuar dy thirrje kryesore- Ju erdhi fundi dhe Shqipëria e re!
Revolucioni i vitit 1990 (megjithëse i paplotë për mendimin tim) rrëzoi totalitarizmin komunist duke na shpëtuar nga skamja, izolimi, represioni kapilar dhe shumë tmerre të tjera.
Shqipëria e re që po kërkojnë më të rinjtë, besoj të jetë në thelb kundër totalitarizmit korruptiv që zëvendësoi totalitarizmin komunist, të mirëmbajtur e shumëfishuar në fuqi nga një regjim autoritar. Fundi i këtij regjimi do të thotë me ia kthy shqipërinë sovranit dhe dinjitetin individit.
Me këtë që po ndodh këto ditë ne po shpëtojmë nga kushti i dominimit totalitar që sipas Arendt buron nga izolimi i individit (humbja e aftësisë për të vepruar politikisht në marrëdhënie me të tjerët) dhe nga vetmia (humbja e lidhjeve domethënëse me veten dhe tjetrin) dhe me të përbashkëtën. Për mendimin tim ky është një momentum që po bëhet shenjues i rëndësishëm i marrëdhënies sonë me demokracinë dhe kjo në vetvete është fundi i një epoke të tranzicionit.
Më shumë çdo ditë në protestë, ja kemi borxh vetes dhe kalamajve!


