Zgjedhjet parlamentare të 11 majit janë shoqëruar me një sërë problematikash. Çështjet e hasura kanë qenë të natyrës logjistike, teknologjike dhe njerëzore, duke ndikuar në mbarëvajtjen e votimit në disa zona.
Një zyrë pa logo në rrugën “Marko Boçari” në Tiranë është kthyer në vend përplasje mes gazetares Ambrozia Meta dhe deputetit Erion Braçe.
Gazetarja bashkë me eksponentë të PD-së si Belind Këlliçi kanë denoncuar mungesën e logove elektorale, duke dyshuar mbi materiale zgjedhore dhe para të dyshimta por Braçe është mbyllur brenda. Bashkë me të kanë qenë dhe disa të tjerë që kanë vrapuar. Mes tyre dhe Enkelejda Imeraj, drejtoresha e Agjencisë së Inovacionit.
Policia ka mbërritur pas 1 ore, edhe pse është telefonuar disa herë. Ngjarja është transmetuar Live nga SyriTV.
Në një nga incidentet u bë pjesë Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka. Noka është përplasur me disa persona në qendrën e votimit në Vorë. Ai pretendon se bandat janë aktivizuar dhe po bëjnë presion. Mes tij dhe disa personave ka patur përplasje verbale.
“Ta tregoj unë ty! Do të zvarris!”– iu drejtua Noka njërit prej personave.
“Më ke sjell njerëz te shtëpia për të pirë kafe me mua.”-u shpreh një nga qytetarët.
“Ka informacione që është mbushur gjithë banda që kërcënojnë. Janë pajisur me vëzhgues dhe dirigjojnë çdo votë.”– deklaroi Noka për mediat.

Një tjetër problem që u vu re gjatë gjatë procesit zgjedhor ka të bëjë me pretendimin e pranisë së patronazhistëve, persona të lidhur me partitë politike, të cilët janë kapur në flagrancë në disa zona të Shqipërisë. Këta individë janë fotografuar dhe filmuar duke qëndruar në hyrjet e qendrave të votimit, të pajisur me laps dhe letër, duke u kërkuar votuesve të regjistrojnë informacionin e tyre personal.
Një tjetër rast ku pretendohet për patronazhistët, e ka denoncuar dhe Ina Zhupa. “Patronazhistet në aksion! Me lista me numër id dhe të dhëna personale të marra në shkelje të ligjit, qëndrojnë pranë qëndrës së votimit 4664, përkatësisht SOS BAR në Sarandë, për të intimiduar dhe monituar zgjedhësit. Ta dinë patronazhistet se janë të monituara dhe do e marrin përgjigjen e merituar.”– shkruan ajo.

Probleme të tjera ka pasur dhe në Qarkun e Elbasanit, ku në fshatrat Mlizë dhe Labinot është konstatuar një ngatërrim i rëndë i materialeve zgjedhore. Komisionerët kanë dorëzuar kutitë e votimit, fletët, listat dhe dokumentacionin teknik të një zone në një qendër tjetër, duke sjellë konfuzion dhe vonesa në fillimin e procesit. Në të njëjtin qark, janë raportuar edhe mungesa të komisionerëve, veçanërisht të përfaqësuesve të subjekteve politike në zona si Librazhdi, Peqini dhe lagjja “Skënderbej” në qytetin e Elbasanit. Në disa qendra votimi, komisionet ishin të paplota deri në orët e para të mëngjesit, duke vonuar nisjen e procesit.

Probleme të shumta janë raportuar edhe me pajisjet elektronike të identifikimit (PEI), të cilat synojnë të modernizojnë dhe sigurojnë procesin e votimit. Në një qendër votimi në Fier, procesi nuk ka nisur për disa orë për shkak të mungesës së kolaudimit të pajisjes. Në Lezhë, një pajisje e operatorit doli jashtë funksionit, duke sjellë vonesa dhe krijuar radhë të gjata. Probleme të ngjashme janë hasur edhe në Tiranë, në qendrën “Dëshmorët e Lirisë”, ku u diskutua përdorimi i listave manuale për shkak të ndërprerjes së sistemit elektronik, dhe në disa qendra në Lushnjë dhe Divjakë, ku defektet teknike u raportuan si të përkohshme por shqetësuese.


Një tjetër incident i pazakontë është regjistruar në Vlorë, ku një qendër votimi nuk u hap në kohë për shkak të mungesës së komisionerëve. Dy prej tyre mungonin për arsye familjare, ndërsa kryetari i komisionit nuk u paraqit për shkak të një fatkeqësie në familje.

Në Pogradec, një tjetër incident ka shpërthyer në një nga qendrat e votimit, ku Luan Tollozhina, një mbështetës i njohur i Partisë Demokratike, ka goditur komisionerin e Partisë Socialiste, Entin Gega. Sipas burimeve, përplasja ka ndodhur për arsye personale dhe nuk ka lidhje me procesin zgjedhor. Dyshohet se shkak i incidentit ka qenë një ngacmim verbal i komisionerit ndaj vajzës së Tollozhinës, gjë që ka çuar në reagimin e dhunshëm të këtij të fundit.
Në Finiq, procesi zgjedhor është bllokuar gjithashtu në dy fshatra të Bashkisë, Kardhikaq dhe Gravë, për shkak të mos tërheqjes së materialeve zgjedhore. Vonesa ka bllokuar procesin dhe ka shkaktuar shqetësime për votuesit e atyre zonave. Autoritetet kanë dërguar një oficer të policisë gjyqësore për të marrë në dorëzim materialet dhe për të hetuar komisionerët që nuk janë paraqitur në detyrë.
Një tjetër rast problematik ka ndodhur në Fushë Milot ku gjatë procesit të votimit është shënuar një përplasje në oborrin e shkollës 9-vjeçare “28 Nëntori”, ku ndodhet qendra e votimit nr. 0871. Dy shtetas, janë përfshirë fillimisht në një konflikt verbal brenda perimetrit të sigurisë, i cili më pas është përshkallëzuar jashtë tij ku dyshohet se ka përfshirë edhe anëtarë të dy fiseve. Sipas raportimeve paraprake ende të pakonfirmuara zyrtarisht, njëri prejt tyre mund të ketë qëlluar një herë në ajër me armë zjarri jashtë zonës së qendrës së votimit. Policia ndodhet në vendngjarje dhe po heton rrethanat e incidentit, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga autoritetet.



