
Viola Pera tregon një histori interesante për shumë të rinj, pasi ka mundur të kthejë pasionin e saj për fotografinë në një profesion të qëndrueshëm dhe të suksesshëm, falë një mundësie që erdhi përmes një projekti. Viola ka rrëfyer për Gogo.al se pasioni i saj për fotografinë ka lindur krejt rastësisht në një takim të organizuar nga një organizatë, kur iu dha mundësia të shkrepte disa foto. Ky moment e ndryshoi jetën e saj sepse siç thotë ajo, nuk ka hequr më dorë nga fotografia dhe çdo ditë që kalon është akoma më e bindur që kjo është rruga e saj.
Start-upi i Violës falë nismës “Inclusive EduJobs” në vitin 2023 u shpall një nga tre fituesit e granteve të Bashkisë së Tiranës, duke marrë një mbështetje financiare prej 5000 Eurosh. Ky grant i mundësoi asaj të blinte aparatin fotografik, kasën fiskale dhe të paguante sigurimet shoqëore për një vit.

Puna e saj është dinamike, një ditë mund të jetë duke fotografuar një çift të sapofejuar, një tjetër ditë mund të punojë me fëmijë, apo bebe të sapolindura dhe nënat e tyre, ndërsa herë pas here gjendet dhe në natyrë, duke kapur dhe bukurinë e peizazheve. Por pasioni i saj është të përjetësojë momente speciale për klientët e saj, duke krijuar kujtime që do të mbeten për gjithmonë. “Pjesa në të cilën unë jam më shumë e fokusuar ose më e apasionuar janë njerëzit. Më pëlqen shumë t’i fotografoj, pra dua që të përjetësoj momentet e tyre në një shkrepje të vetme.”-thotë ajo.
Si çdo sipërmarrës, Viola ka pasur sfida, por i ka tejkaluar ato me vullnet dhe me pasion. “Ku e shoh unë veten pas 5 ose 10 viteve? Normalisht që jetës nuk i dihet, por ëndrra dhe dëshira ime është që të kem një staf timin, të kem një punë sa më të madhe, sa më shumë projekte dhe sa më shumë bashkëpunime”, na thotë.
Në fund, ajo fton çdo të ri që ka një pasion të ndjekë atë, pa u frikësuar nga pengesat që mund të dalin gjatë rrugës. “Për të gjithë ata të rinj që ndihen të pasigurt në gjërat që duan të bëjnë, di t’ju them që suksesi i vërtetë arrihet duke bërë atë që do.”- përfundon Viola.
“Inclusive EduJobs” është një nismë e financuar nga Bashkimi Europian dhe implementuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, që ka për qëllim përmirësimin e përfshirjes sociale dhe ekonomike të grupeve të margjinalizuara, si pakicat rome dhe egjiptiane, përmes mbështetjes në arsimin gjithëpërfshirës dhe punësim.


