“Më Mëso dhe Mua” – Elpina Seferi

Në një botë që lëviz me ritme të shpejta, të moshuarit shpesh mbeten të neglizhuar për shkak të dinamikave të përditshmërisë. Vetmia është një plagë e heshtur që shpesh nuk i kushtojmë vëmendje, ndërsa rrjetet sociale dhe teknologjia na afron me ekranet, por na largon nga njerëzit. Shumë të moshuar përballen me ditë të gjata, ku zhurma e vetme është ajo e mendimeve të tyre. Elpina Seferi është një vajzë e re, 24-vjeçare, e cila vendosi të thyejë këtë cikël heshtjeje dhe të bëjë një ndryshim, duke u ofruar gjyshërve tanë vëmendje, duke i shoqëruar në pazar, duke u ulur për një kafe, duke gatuar sëbashku, apo edhe duke bërë lojëra apo ushtrime fizike. Mesa duket Elpina ka kuptuar sekretin, se dhurata më e madhe që mund t’u japë nuk është diçka materiale, por koha dhe vëmendja që u fal. “Jeta sot është shumë dinamike dhe shpesh neve na ndodh që t’i harrojmë njerëzit që na rrethojnë. Sidomos të moshuarit. Ajo çfarë ky brez kërkon nga ne nuk është shumë. Një telefonatë mjafton, një fjalë e mirë. T’i dëgjojmë, apo edhe t’u bëjmë pak shoqëri. Kaq kam bërë unë, kaq mund të bësh edhe ti.”-shprehet Elpina. Kjo sipërmarrje sociale e Elpinës nuk ka nisur papritur. Ajo vitin e kaluar gjatë një takimi me një shoqe pa një postim në rrjetin social “Facebook” që i tërhoqi vëmendjen. Ky postim ishte një thirrje për të aplikuar dhe për t’u bërë pjesë e projektit të titulluar “Rritja e kapaciteteve për ngritjen e sipërmarrjes sociale”, të fokusuar në krijimin, ngritjen dhe menaxhimin e një sipërmarrjeje sociale që do të synonte komunitetet rome dhe egjiptiane, si dhe të moshuarit në nevojë, duke adresuar nevojat e tyre. Elpina aplikoi dhe u pranua dhe tashmë është një prej 8 personave nga komuniteti rom dhe egjiptian, të cilët u trajnuan dhe u punësuan gjatë këtij projekti duke dhënë kontributin e tyre në shoqëri përmes sipërmarrjes që u quajt “Vij te shpia”. “Vij te Shpia”, është një sipërmarrje sociale e krijuar nga organizata Albania Community Assist (ACA), me grantet e projektit “Inclusive EduJobs”, të financuar nga BE-ja. Gjashtëmbëshjetë të moshuar marrin shërbime të nevojshme dhe të kualifikuara në Tiranë si pjesë e kësaj sipërmarrjeje sociale dhe shërbimet që iu ofrohen janë asistencë infermierie, shërbime fizioterapie, asistencë sociale, shërbim psikologjik. Elpina konkretisht iu ka ardhur në ndihmë katër zonjave në Tiranë, duke mbuluar atë pjesën sociale që shumë e neglizhojnë, shoqërimin tek mjeku, iu ka bërë pazarin, ka organizuar aktivitete si organizimi i lojërave që ndihmojnë në përmirësimin e kujtesës, kanë bërë ushtrime fizike, madje edhe iu ka shpjeguar portalin e-Albania duke i mësuar se si të shkarkojnë dokumentet që iu duhen. Views: 866