
Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, gjatë vizitës së tij në Tiranë ka dhënë disa mesazhe lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Një nga pyetjet kryesore të tij nga mediat ishte çështja e Belinda Ballukut, e pezulluar nga detyra si zv/kryeministre dhe për të cilën SPAK-u ka kërkuar arrestimin.
McAllister u tregua i rezervuar kur u pyet për detaje ligjore të rastit, duke theksuar se nuk është në pozicion për të komentuar raste individuale. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë e dimensionit politik dhe seriozitetin që Shqipëria duhet të tregojë në trajtimin e rasteve të korrupsionit në nivele të larta. Ai e cilësoi çështjen Balluku si një “test kritik” për vendin, që do të tregojë aftësinë e institucioneve shqiptare për të zbatuar ligjin në mënyrë të pavarur dhe për të ruajtur besueshmërinë e reformave në drejtësi. Sipas tij, mënyra se si do të përballohet ky rast do të jetë tregues i qartë i seriozitetit të shtetit në luftën kundër korrupsionit dhe një faktor kyç për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
Ai gjithashtu nënvizoi se rezultatet konkrete janë po aq të rëndësishme sa miratimi i ligjeve dhe se institucionet duhet të japin shembull, duke treguar se pavarësia dhe efektiviteti i tyre nuk mund të komprometohen. “Nuk jam në pozicion të komentoj raste individuale në detaje, por do të them se çështja që përfshin zv/kryeministren Balluku është test kritik për Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit.”
Komentet e tij mbi Ballukun tregojnë se Bashkimi Europian po ndjek nga afër jo vetëm reformat ligjore, por edhe zbatimin e tyre në praktikë, si një kriter kyç për avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit.


