
Debati mbi rrjetet sociale, veçanërisht mbi platformën e “Tik-Tokut” bëri që kryeministri Rama këtë të shtunë të dilte me një vendim, i cili përfundimisht do të mbyllte platformën. “TikToku është rrugaçi i lagjes. Kemi frikë kur fëmija shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Do ta mbyllim për të gjithë. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë.”– tha Rama gjatë takimit me prindërit dhe mësues. Ai gjithashtu zbuloi dhe planin lidhur me “Tik-Tokun”, ku tha se do të duhet një periudhë kohore rreth 6 deri në 8 javë për të marrë masat për mbylljen e tij, si dhe do të qëndrojë për një vit i mbyllur. “Ne kemi bërë të gjitha hulumtimet tona në aspektin teknologjik dhe do të na duhen 6 deri në 8 javë duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe për 1 vit ne do ta mbyllim plotësisht për të gjithë. Tik Tok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë më. Pastaj gjatë këtij viti do të shohim dhe masat që do të marrin dhe vendet e tjera, apo si mund të reagojë vetë Tik Tok”.- tha Rama.
Ndërsa Ogerta Manastirliu deklaroi se përveç mbylljes së “Tik-Tok-ut“, do të dyfishohen edhe oficerët e sigurisë si dhe psikologët. “Ne kemi vendosur bllokimin e Tik Tok-ut. Ne do vendosim kamera inteligjente, për vëzhgim efektiv në shkollë dhe jashtë shkollës. Do dyfishojmë oficerët e sigurisë në shkolla. Do ketë më tepër psikologë në institucione arsimore.”– tha Manastirliu.
Zotimi i ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu për vitin kur do zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri: “Ne kemi vendosur…
Posted by Gogo.al on E shtunë, 21 dhjetor 2024
Vendimi për mbylljen e Tik-Tokut pati reagime dhe nga opozita, deputetja Ina Zhupa e quajti këtë vendim si një akt elektoral. “Është akt elektoral i pastër dhe përdorim i pushtetit për të shtypur liritë. Fushata elektorale po e tmerron, po e shfazon dhe po bën përpëlitjet e fundit të censures.”– shkroi ajo në profilin e saj.
Por si lindi debati për “Tik-Tokun”
Debati i kësaj platforme erdhi në vëmendje nga ngjarja tragjike, ku humbi jetën një 14-vjeçar, i cili dyshohet se autor i vrasjes ishte bashkëmoshatari i tij, pranë shkollës “Fan Noli”. Ngjarje e cila ngriti pikëpyetje të madhe në lidhje me sigurinë e fëmijëve edhe ndaj përdorimit të tepërt të rrjeteve sociale (lexo këtu). Pas kësaj ngjarje të rëndë, ministria e Arsimit, Ogerta Manastirliu bashkë me kryeministrin Rama zhvilluan takime në ambjentet e shkollave me prindër, mësues dhe psikologë, duke propozuar dhe marrë mendimin e tyre për mbylljen e “Tik-Tokut”. Më datë 6 Dhjetor, Manastirliu deklaroi se deri më sot janë zhvilluar 394 takime me pjesëmarrjen e 14 mijë prindërve, në shkolla të ndryshme në vend, në kuadër të diskutimeve me fokus kufizimin e rrjeteve sociale, kryesisht “TikTok-ut”. Sipas Mansatirliut ky proces diskutimi vazhdoi me prindërit në shkollat e Tiranës, Shkodrës, Lezhës, Mamurrasit, Malësisë së Madhe, Hasit, Vaut të Dejës, Kurbinit, Beratit, e të tjerë. Ajo tha se prindërit u dakordësuan me mbylljen e “Tik-Tok-ut”.

Kujtojmë se ende nuk ësht marrë një hap i tillë në vende të tjera lidhur me “Tik-Tokun” edhe pse është folur disa herë për kufizime të rrjeteve sociale. (Lexo këtu). Ndërkohë presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump vetëm pak ditë më parë theksoi se “Tik-Tok-u” ka qenë një element shumë i rëndësishëm për të për të shkuar te të rinjtë. Vetë kryeministri Rama është përdorues i kësaj platforme, si dhe numëron rreth 137 mijë ndjekës.



