
Ka pësuar një zhvendosje të ndjeshme teza e kërkimit të drejtësisë këto 10 vite në Shqipëri ndërsa pushtetet kanë filluar të mbivendosen e tejkalojnë njëri-tjetrin.
Edhe pse Kushtetuta e Republikës përcakton me saktësi në nenin 7 të saj se sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, sërish ne mund ta shohim e dëgjojmë këtë rrëshkitje pushtetesh. Edhe publikisht.
Në gazetari ka një parim të rëndësishëm që profesionistët e respektojnë, siç është ai i prezumimit të pafajësisë, ku askush nuk duhet të cilësohet fajtor para vendimit të gjykatës. Kështu ky parim, i tregon medies që në fakt është “pushteti i katërt”, se si duhet të presë fjalën e pushtetit gjyqësor dhe duhet ta respektojë këtë pushtet në vendimet e tij.
Në Shqipëri duket se nuk ndodh shpesh që ky pushtet gjyqësor të respektohet nga një pushtet tjetër edhe më i kontrolluar nga qytetarët nëpërmjet votës, siç është ai ekzekutiv, në majë të të cilit qëndron kryeministri Edi Rama.
Po çfarë ka ndodhur këto 10 vjet?

Faktet tregojnë se kreu i ekzekutivit ka tejkaluar publikisht kompetenca të pushteteve të tjera dhe këtë e ka bërë sidomos me punën e prokurorisë, që vepron pranë sistemit gjyqësor. Është Rama që në të paktën 5 raste ka orientuar jo vetëm opinionin publik nëpërmjet retorikës së tij politike por ka folur para se ekspertët të flasin, duke orientuar se si rrjedha e ngjarjeve duhet të zhvillohet.
Ndërsa më parë premtonte se do kërkonte drejtësi pas vrasjes së 4 protestuesve në 21 janar 2011, rastet që do analizohen më poshtë tregojnë se si Rama ka ndërhyrë nëpërmjet komunikimeve të tij në sistemin e drejtësisë. Prokuroria ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Praktikisht, vendimet e gjykatave varen nga puna e prokurorëve.
Rasti 1 – Saimir Tahiri
Është ndoshta rasti më flagrant, i cili ka nxitur edhe reagimin e mëpasshëm të vetë prokurorisë.
Pas dyshimeve publike për Saimir Tahirin, ministrin e Punëve të Brendshme të asaj kohe se ishte i përfshirë në trafik droge, dyshime që më pas u artikuluan në akuza konkrete nga prokuroria mes të cilave spikaste trafiku ndërkombëtar i drogës, kryeministri vendosi ta shkarkojë përkohësisht nga grupi parlamentar.
Por gjatë këtij veprimi ai tejkaloi kompetencat duke sulmuar prokurorinë, ndërsa ajo ishte në hetim të Tahirit.
“Ku u gjet ky zell i panjohur i një prokurorie të Krimeve të Rënda që nuk ka lëvizuar asnjë gisht që kur ka lindur? As për fakte e prova që dihen e shihen ashiqare si shumë të dyshimta. Kurrë. Asnjëherë…Në cilën epokë të gurit u gjet kurajoja për t’i prerë faturën e burgut deputetit me katër fletë bakalli që do të ofendonin çdo bakall…dhe për llogari të kujt deshën t’ia shesin këtë faturë të arrestit me burg këta prokurorë? Kështu i luftojnë kriminelët…”, u shpreh asokohe Rama, duke vazhduar: “Është kopje surrogato e gjyqit politik që e kemi parë 4 vite në Parlament.”
Prokuroria e quajti deklaratën e Ramës si “…në të kundërt të asaj që është deklaruar për dy vite me radhë-Reformën në Sistemin e Drejtësisë”, duke theksuar se kryeministri ka shprehur opinionin e tij mbi provat e paraqitura teksa kishte marrë “rolin e gjykatës, një atribut që nuk i takon as me Kushtetutë dhe as me ligj”.
Rasti 2- Audiopërgjimi ku implikohej emri i vëllait të Fatmir Xhafajt
Mbrojtja publike e kryeministrit Rama duke intimiduar prokurorinë ka vazhduar edhe me një ish-ministër tjetër, Fatmir Xhafajn.
Fjala është për audiopërgjimin e çështjes së mirënjohur, të cilës iu vu nofka “Babalja”, ku implikohej për trafik droge emri i vëllait të ish-ministrit.
Kryeministri shqiptar deklaronte asokohe se kishte pajtuar një agjenci private ekpertize.
“Unë e kam marrë mbrëmë përgjigjen e analizës shkencore të kryer në një ndër laboratorët më seriozë të botës, mua ajo përgjigje më mjafton. Po bëj një parantezë, jo për të bërtitur montazh-montazh. Po më mjafton për t’ju thënë juve se nuk jemi përpara një akti kompromentues të ministrit të Brendshëm po akti mashtrimi të një materiali autentik…”, deklaronte publikisht Rama.

Rasti 3-Fotot e morgut
“Inskenime të turpshme”, i quante fotot e morgut në QSUT gjatë pandemisë kryeministri Rama, foto që tregonin një situatë të rëndë me mënyrën se si ishin sistemuar kufomat duke interpretuar më tej: “Opozita dhe presidenti po bëjnë aleancë me Covidin për të rrëzuar qeverinë duke shpërndarë foto klandestine nga morgu i spitalit. Kjo është haptazi jonjerëzore. Po bëjnë politikë me lajme të rreme për numrin e të vdekurve.”
Edhe kësaj here, nuk hezitoi t’u paraprinte rezultateve të hetimit, duke i thënë prokurorisë siç mund ta interpretojmë me pak fjalë “bëj çfarë të duash po mendo se çfarë po bën”.
“Prokuroria e di vetë detyrën e saj nëse do përfshihet për zbardhjen e ngjarjes askush nuk do e pengojë. Por kjo gjë duhet mbajtur shënim nga gjykatësi suprem që është populli. Akuzat e opozitës mund të nxisin dhunën ndaj mjekëve nga ana e familjarëve që kanë humbur të afërmit e tyre”, tha Rama.
Fotot rezultuan të vërteta.
Rasti 4- Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha
Në një vendim të qeverisë të tij vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv, ngjarje që nxiti protesta disaditore në Tiranë, kryeministri Rama e quante aksidentale, duke marrë pozicionin e organit të akuzës.
I gjendur përballë presionit të publikut dhe situatës së protestave në rrugë Rama nxitoi të korrigjonte togfjalëshin, duke mohuar se kishte marrë rolin e një gjykatësi dhe tha se ngjarja nuk kishte qenë aspak aksidentale kur u pyet nga gazetarët.
“Kjo është një nga çorbat që keni bërë ju. Një çorbë që ka trazuar shpirtrat e njerëzve, që ka ose qëllim të keq ose padije. E para nuk është akt normativ, është një vendim qeverie. E dyta pikërisht pse qeveria nuk është gjykatë, dhe pse nuk mund të marrë përsipër të bëjë rolin e gjykatës është përdorur thjesht dhe vetëm një term juridik, teknik, për të përcaktuar arsyen e dhënies së pensionit. Dhe është thënë aksidentalisht nga veprimi i forcave policore. Kjo do të thotë që personi që humbi jetën tragjikisht, nuk ka qenë objekt i ndonjë misioni policor, por ka humbur jetën në kushte të një përplasjeje aksidentale.”, tha Rama.
Rasti 5-Sanitarja Tire
Rasti më i fundit është rasti i sanitares Tire Alldërvishi, në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Edhe këtë herë kryeministri Rama e dinte me siguri se sanitarja që akuzohet për marrjen e 8 milionë lekëve të vjetra nga vajza e një pacienteje që ndërroi jetë nga Covid 19 nuk ishte e lidhur me mjekë të tjerë.
“Realisht e vetmja gjë që më ka pëlqyer, apo ngrohur në atë ngjarje ka qenë puna e bërë nga gazetarët investigativë se kanë nxjerrë në pah një llum, natyrisht të papërtypshëm por njëkohësisht nuk kanë provuar përkundrazi, do të thosha që të gjithë investigimet e tyre nuk ka rezultuar që ajo sanitare të ishte e lidhur me mjekë e ky të ishte një zinxhir.”, tha kryeministri shqiptar.
Këto 5 qëndrime mund të jenë të vetmet në llojin e tyre, ku kryeministri i një vendi del mbi kompetencat e prokurorisë e gjykatës, sulmon, intimidon apo parashikon punën e tyre.
Mbase 5 rastet shqiptare mund të jenë unike në përmasat e skandalit e tragjikes edhe po të kërkosh në vende të tjera të botës.
Dikush do thoshte se këto ndodhin edhe në botë, madje bëhen dhe filma.