
Paratë dhe pasuritë sekuestuara pas çështjeve që lidhen me drogën do ndahen mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. Kjo është arritur në një marrëveshjeje të nënshkruar për herë të parë mes dy vendeve tona. Sipas këtij dokumenti vendoset një precedent i ri për bashkëpunimin ndërkombëtar në rikuperimin e pasurive dhe krimin e rëndë të organizuar. Marrëveshja është firmosur pas një çështjeje penale të përfunduar për komplot për furnizimin me kanabis të grupeve të krimit të organizuar në juridiksionin e Anglisë dhe Uellsit. Pas nënshkrimit ardhurat e rikuperuara nga kjo çështje do të ndahen në mënyrë të barabartë midis dy vendeve. Kjo ka për qëllim që të gjurmohen të ardhurat e krimit të rëndë të organizuar dhe do të punohet përtej kufijve. Marrëveshja hap rrugën që pasuritë e sekuestruara të riinvestohen për të mirën sociale në të dyja kombet.


Në një ceremoni në Tiranë më 13 korrik zyrtarizua marrëveshja në të cilën morën pjesë Ambasadori i Madhërisë së Tij në Shqipëri, Nicholas Abbott, së bashku me Risena Xhajën, Kryeadministratore e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara e Shqipërisë (AAPSK). Dokumenti është rezultat i muajve të bashkëpunimit të ngushtë midis autoriteteve britanike dhe shqiptare të zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit, të mbështetur nga Ministria e Brendshme (Home Office), Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA), Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës (CPS) dhe AAPSK.
Në vijim pritet një angazhim afatgjatë i Mbretërisë së Bashkuar për të luftuar rrjetet e krimit të rëndë të organizuar që shkaktojnë dëme të konsiderueshme në MB. Pjesë qëndrore e strategjisë është sekuestrimi dhe ndarja e të ardhurave nga kriminaliteti që të ndërprehet modeli i biznesit criminal dhe të reduktohet nxitja për kryerjen e krimit të organizuar që synon MB-në.



Në një njoftim për mediat shkruhet se: “MB ka punuar ngushtë me autoritetet shqiptare për të forcuar kapacitetin dhe aftësinë e tyre për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimin e rëndë të organizuar, duke përfshirë trajtimin e pastrimit të parave dhe përdorimin në rritje të kriptomonedhave nga rrjetet kriminale. MB ka ofruar softuer dhe trajnim kapacitetesh për të mbështetur reagimin e Shqipërisë, dhe në vitin 2025 udhëhoqi aktivitetin e Procesit të Berlinit për Financat e Paligjshme, i cili u fokusua në rikuperimin e pasurive në të gjithë Ballkanin Perëndimor. MB gjithashtu vazhdon të mbështesë shqyrtimin në vazhdim të legjislacionit të Shqipërisë kundër pastrimit të parave”.




Pas episodeve të raportuar nga të dyja palët, mësohet se qeveritë janë të përkushtuara të punojnë së bashku për të prishur këto rrjete, për të mbrojtur komunitetet e tyre dhe për të siguruar që krimi të mos shpërblehet. Deri tani, vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025, vlera e pasurive të sekuestruara tejkaloi 58 milionë euro, duke përfshirë mbi 1,000 sekuestrime dhe konfiskime të pasurive të paluajtshme, duke pasqyruar masën në të cilën sektori i pasurive të paluajtshme po abuzohet për të pastruar të ardhurat kriminale.



