Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në një konferencë për shtyp deklaroi se do të ndryshonte mënyrën e komunikimit të Policisë së Shtetit me median dhe publikun, dukeqënëse mbingarkesa me lajme kriminale dhe mënyra se si ato përcillen çdo ditë në publik po krijojnë ndikim negativ në shoqëri dhe ndjenjë pasigurie te qytetarët. Hita tha se institucioni ka vendosur të ndryshojë formatin e informimit, duke e bërë atë më të strukturuar dhe më të përgjegjshëm. Sipas tij, ky vendim erdhi pas reagimeve të shumta të qytetarëve dhe konsultimeve me specialistë të fushës, si edhe me homologë në Ballkan dhe Europë.

“Mbingarkesa me lajme kriminale, shpesh të dhëna në mënyrë të fragmentuar apo të nxituar, krijon një ndjenjë pasigurie që jo gjithmonë pasqyron realitetin. Informacioni i pakonfirmuar dëmton jo vetëm hetimet, por edhe besimin e qytetarëve te institucionet”, u shpreh Hita.

Ai theksoi se ndryshimi nuk përbën tërheqje nga transparenca, por synon një komunikim më cilësor dhe profesional me publikun. Sipas kreut të Policisë, qytetarët kanë nevojë për informacion të saktë, të verifikuar dhe të përgjegjshëm, që të mos ndikojë në perceptimin negativ dhe kriminalizimin e shoqërisë. Në kuadër të ndryshimeve të reja, Policia e Shtetit do të publikojë statistikat mujore dhe vjetore mbi kriminalitetin në faqen zyrtare, ndërsa për ngjarjet në dinamikë informacioni do të jepet nga titullarët e policisë në terren dhe zëdhënësit përkatës.

Gjithashtu, drejtuesit e drejtorive vendore do të zhvillojnë konferenca mujore për të bërë transparente punën dhe rezultatet e policisë në çdo qark, ndërsa për ngjarje me impakt të lartë publik do të ketë informim të plotë dhe në kohë reale përmes kanaleve zyrtare. Në fjalën e tij, Hita nënvizoi se Policia e Shtetit nuk duhet parë vetëm si kronikë krimi, por edhe si një institucion që punon çdo ditë për parandalimin, bashkëpunimin me komunitetin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve.

Pas ngjarjes reagon edhe Urdhri i Gazetarëve:

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Urdhri kufizues i informimit publik për komunikimet ditore të Policisë së Shtetit, bie ndesh me lirinë për informim

Tiranë më 07.05.2026

Urdhëri ndalues i publikimit të komunikatave ditore të drejtorive të qarqeve të Policisë së Shtetit, i komunikuar për mediat nga Drejtori i Përgjithshëm Drejtues Madhor Skënder Hita, është një vendim çensurues për informimin dhe dijeninë publike. Sipas deklarimit, para gazetarëve prej zotit Hita, ky vendim, zhbën një praktikë ditore shumëvjeçare për 12 drejtoritë e qarqeve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme. Pohimi i zotit Drejtor se ky vendim “nuk është një tërheqje nga transparenca”, në të vërtetë nuk e shmang mundësinë praktike dhe realitetin e kufizimit drastik të informimit.

Marrja përsipër prej autoritetit të Policisë së Shtetit, e përgjegjësisë së mediave, për shëndetin mendor të publikut, është pretendim i pamundur dhe jashtë tagrit. Pohimi i Drejtorit Hita se: “…Ne besojmë se qytetarët nuk kanë nevojë vetëm për më shumë informacion, por për informacion të saktë, të verifikuar dhe të përgjegjshëm, për informacion të matur që të mos ndikojë te perceptimi negativ dhe te kriminalizimi i shoqërisë”, është jashtë kompetencës dhe misionit të vet. Ky është mision dhe duhet të jetë funksion vetëm i mediave dhe gazetarëve. Përqëndrimi i informacionit dhe reduktimi i komunikimit publik të Policisë së Shtetit, në praktikën e re të komunikimit një herë në muaj, sjell pasoja dhe efekte të shumëfishta, sidomos në praktikat informuese të gazetarëve të profilit, sikundër janë reporterët e kronikës.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë vëren se ky urdhër centralizon informacionin zyrtar në nivel vendi dhe redukton mundësinë informuese zyrtare si në kohë ashtu edhe në hapësirë, instalon burokracinë informuese dhe sjell cungim dhe çensurim mbi fluksin e ndodhive, ngjarjeve dhe raportimeve për çdo rast. Pretendimi zyrtar se praktika e re është e njëjtë me ato në vende të ndryshme fqinje ose jo, është i pasaktë dhe nuk përputhet me praktikat reale të institucioneve homologe me Policinë e Shtetit. Pohimi se “ çelet një kapitull i ri në mënyrën e komunikimit, që duhet të ketë në raport me mediat dhe publikun”, është fakt që sjell disa pasoja kufizuese, veçanërisht për mediat dhe gazetarët.

Në këtë pretendim zyrtar fshihet tendenca për të edituar informacionin e selektuar nga ana e Policisë së Shtetit dhe vetë titullarit të saj. UGSH shprehet kundër këtij vendimi dhe sugjeron që pa humbur kohë do të ishte me vend që në një tryezë konsultimi me krejt komunitetin e reporterëve të Kronikës dhe organizatat e gazetarëve, të mund të negocioheshin masa rregulluese, pa cënuar lirinë për informim dhe duke mishëruar masa përmirësuese. Kërkojmë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policise se Shtetit, Drejtuesi Madhor Skënder Hita, bllokimin e këtij vendimi dhe negocimin e menjëhershëm për praktikë të re funksionale.

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 11
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11