
“Mbetjet janë të rrezikshme, qeveria toksike”- kjo është pankarta me të cilën opozita dhe mbështetës të saj si dhe qytetarë të shqetësuar po presin në portin e Durrësit mbërritjen e mbetjeve të dyshuara si toksike. Anija e quajtur “Moliva” me 200 kontenierë pritet të hyjë në radë në portin e Durrësit mëngjesin e së hënës. Opozita është organizuar këtë të dielë në protestë për ta kundërshtuar rikthimin e mbetjeve nga Tajlanda. “Këto mbetje rrezikojnë shëndetin e të gjithë popullatës shqiptare, duke u bërë shkak për sëmundje si kancer, dëmtime të sistemit nervor dhe sëmundje të rënda neurologjike, sëmundje respiratore shpesh kronike, apo dhe duke rrezikuar fertilitetin dhe shëndetin e grave shtatëzëna e të fëmijëve. Fëmijët dhe brezat e ardhshëm janë drejtpërdrejtë të kërcënuar pasi mbetjet do të cënojnë mirërritjen dhe zhvillimin e tyre.” – thuhet në njoftimin e degës së Partisë Demokratike në Durrës.



Momente nga protesta
Oerd Bylykbashi i cili është në protestë thanë një prononcim për mediet se “Ajo që na shqetëson ne përveç mungesës së transparencës është shëndeti dhe rreziku i saj nga këto mbetje toksike. Ku është prokuroria që duhet të jetë këtu e gatshme për të sekuestruar kontenerët dhe të arrestojë personat që janë përfshirë drejtpërdrejtë këtu deri te ministrat?” Në protestë është e pranishme dhe Mjekja Eda Harizi, e cila në fjalën e saj vuri theksin tek rreziku që këto mbetje përbëjnë për shëndetin e qytetarëve. “Kishte një mungesë transparence për dëmin që ata shkaktojnë te shëndeti i qytetarëve. Këto mbetje kanë impakt për fëmijët dhe gratë shtatzënë. Duhet ti themi stop kësaj masakre shëndetësore, mjedisore, ambienti. Të gjithë bashkë duhet to themi stop këtyre mbetjeve dhe të protestojmë çdo ditë ndaj këtij dëmi të madh që po i bëhet vendit tonë.”– tha mjekja Harizi.
Ambientalisti Sazan Guri nga ana tjetër iu bëri thirrje qytetarëve e në veçanti atyre që janë prindër, që të reagojnë. “Mos rrini në kafe në këtë ditë, jeni zëri i një prindi dhe kryefamiljari që kemi për detyrë të reagojmë ndaj këtyre mbetjeve të rrezikshme. Edhe djalli ta organizonte këtë protestë do të vija, sepse jam i bindur se çfarë i ndodh vendit nga kjo gjëmë.”– tha Guri, i cili gjithashtu iu kërkoi autoriteteve përgjegjëse që të analizojë mbetjet për të parë se çfarë përbërjesh kanë.
Mbetjet që dyshohet se janë të rrezikshme, kanë krijuar debate të shumta në vend dhe më gjerë, qëkur u sinjalizuan për herë të parë nga organizata Basel Action Network (BAN). Dërgesat që dolën nga Porti i Durrësit dhe që ishin nisur për në Tajlandë, dyshohet se përmbanin pluhur toksik të furrës së çelikut (lexo këtu).





Çfarë ka ndodhur?
Alarmi u ngrit nga organizatat mjedisore, konkretisht organizata amerikane Rrjeti i Veprimit të Baselit (Basel Action Network) dhe lajmi u raportua fillimisht më 12 Gusht nga “Bloomberg” e më pas më 14 Gusht nga media tajlandeze “Bangkok Post”, që duke iu referuar autoriteteve zyrtare tha se janë gjendur, ndaluar dhe synohet të kthehen mbrapsht dy anije me të paktën 100 kontejnerë të cilat përmbanin 816 tonë që dyshohen mbetje industriale dhe një pjesë e tyre toksike.
Dy anijet e linjës tregtare ndërkombëtar “Maersk”, konkretisht “Campton” dhe “Candor” u dyshuan se po transportonin mbetje të rrezikshme furre elektrike shkrirjeje të çelikut (Kadmium dhe Krom) nga Shqipëria në Tajlandë, e cila ka deklaruar se kontejnerët me mbetje do të ktheheshin nga kishin ardhur. BAN i kërkoi Maersk-ut që të ndalonte anijet kur ato ishin pranë bregut të Afrikës së Jugut, sipas presidentit të saj, Jim Puckettit. Anijet nuk u përgjigjën dhe fikën transponderët e tyre ndërsa lundronin për në Singapor, dhe BAN më pas njoftoi autoritetet tajlandeze, të cilët refuzuan të lejonin hyrjen e kontejnerëve. Drejtori ekzekutiv Jim Puckett tha për Bloomberg: “Shqipëria duhet të marrë përsëri kontejnerët dhe të sigurojë që mbetjet të mos rieksportohen në një destinacion tjetër.”
Pas njoftimit nga qeveria tajlandeze se nuk do i pranonte mbetjet, kompania Maersk i tha AFP-së se ia dorëzoi kontejnerët kompanisë së transportit MSC në Singapor për t’i kthyer kontejnerët në Shqipëri. “Maersk Campton dhe Maersk Candor po mbanin ato kontejnerë të dyshuar në emër të një linje tjetër detare. Asnjë prej këtyre kontejnerëve nuk është deklaruar se përmban mbetje të rrezikshme,” i tha Maersk AFP. “Po të ishin deklaruar se përmbajnë mbetje të rrezikshme, Maersk do të kishte refuzuar t’i transportonte ato.”

Askush nuk merrte përsipër as prodhimin, as tranportin nga Shqipëria dhe kjo ngriti shqetësime dhe ngjalli më shumë dyshime mbi atë çfarë po ndodhte. Një hetim i prokurorisë identifikoi kompaninë “Sokolaj” shpk, një kompani import-eksporti mineralesh me qendër në Durrës si eksportuese të kontejnerëve dhe kompaninë turke “Kurum International” sh.a, si burimin e këtyre produkteve (lexo këtu dhe këtu).
Kryeministri Edi Rama ka thënë se “Asgjë nuk provon se këto mbetje janë toksike.”. Sipas tij, “Edhe sikur të ishin produkte të rrezikshme, transporti i tyre nuk është i ndaluar as në Shqipëri dhe as në mbarë botën”, shtoi Rama, duke thënë se akuzat bazohen në “dyshime dashakeqe”. Në Shqipëri, prokurorët kanë hapur një hetim për incidentin në bashkëpunim me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit dhe partnerët ndërkombëtarë. Por ndërkohë mbetjet po kthehen dhe shqetësimet janë rritur. Mbetjet po kthehen në Durrës, por ndërkohë lindin pyetjet se çfarë do të ndodhë me to më pas, ku do të shkarkohen, ku do të dërgohen dhe si do të menaxhohen? A rrezikohet shëndeti i qytetarëve shqiptarë nga to?




