Një vendim gjykate këtë të hënë në Tiranë u vuri vulën pikëpyetjeve mbi cilësinë e ujit që paguajnë konsumatorët si të pijshëm.

Sipas Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë uji në vitet 2016-2017, me të cilin furnizohej kryeqyteti ishte përgjithësisht jashtë parametrave për t’u konsideruar “i pijshëm” dhe me pasoja të dëmshme për shëndetin.

Gjykata ka vënë nën detyrim “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a që të njoftojë dy organizatat e shoqërisë civile që ngritën padinë më 2017-ën, “Qendra Res Publika” dhe shoqatën “Impetus”, lidhur me masat që do marrë për të përmirësuar cilësinë e ujit. Këto dy organizata i kërkuan gjykatës që UKT-ja të kryente të gjitha analizat për të garantuar cilësinë e ujit katër vite më parë, ndërsa ka rezultuar që në zona të ndryshme të Tiranës, niveli i bakterit të dëmshëm për shëndetin “Escherichia Coli” është më shumë se norma e lejuar sipas rregullores për ujin e pijshëm dhe po ashtu edhe për një tjetër bakter, “Streptococci Faecal”. Nga të dhënat e analizave rezulton i lartë edhe niveli i klorit, shpesh herë mbi 0.5 që përcaktohet si norma maksimale.

Erion Veliaj në impiantin e Bovillës në vitin 2017, vit kur uji ka qenë i dëmshëm për shëndetin e qytetarëve

Rritja e çmimit me pretekstin për të rritur cilësinë e shërbimit

Në faturën e ujit që kryefamiljarët marrin çdo muaj në Tiranë është specifikuar me zëra se sa është sasia dhe kostoja e ujit të pijshëm por po ashtu edhe sasia e kostot e largimit të ujit të përdorur nga qytetarët si dhe tarifa të tjera.

Sipas zërave uji që është faturuar i pijshëm në vitet 2016-2017 nuk paska qenë i pijshëm me vendim gjykate të 24 majit 2021.

Përtej dëmeve të mundshme që mund të ketë krijuar ndaj konsumatorëve UKT-ja ekspozohet në këtë mënyrë edhe si shoqëri shtetërore që ka mashtruar qytetarët duke u shitur atyre një produkt jetik si të pijshëm, ndërsa nuk ka qenë aspak i tillë.

Mirëpo në vitin 2017, kur sipas gjykatës uji paska qenë i dëmshëm për konsumatorët, çmimi i tij u rrit mbi 40%.

“Shoqëria e ujësjellës kanalizime Tiranë aplikoi në mesin e vitit 2017 pranë ERRU-së për një rritje të çmimeve (tarifave) për shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve të ujërave të ndotura. Për konsumatorët familjarë u propozua një rritje çmimi nga 45 lekë/m3 në 65 lekë/m3, ndërsa për konsumatorët privatë dhe institucionet shtetërore u propozua një rritje shumë më e madhe. Objektivi kryesor që shoqëria synon të realizojë me këto rritje çmimi është: Kryeqyteti gradualisht deri në fund të vitit të pestë do të ketë furnizim me ujë pa ndërprerje, pra 24 orë/ditë.”, deklaronin 4 vite më parë përfaqësues të Entit Rregullator të Ujit.

Natyrisht që ky “objektiv” largpamës jo vetëm që nuk është arritur por paska qenë i tepruar në kushtet kur edhe sasinë e ujit që shpërndante në vitin 2017 UKT-ja e paska patur të dëmshme për konsumatorët dhe logjikisht do të duhej të gjente zgjidhje urgjente për probleme më të rëndësishme si siguria e shëndetit të qytetarëve në raport me “ambiciet” për t’i furnizuar ata me ujë 24 orë në ditë.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj në një video të vitit 2017, vit kur uji sipas gjykatës ka rezultuar i dëmshëm për shëndetin, u bën thirrje qytetarëve për ta kursyer duke e quajtur “uji i pijshëm”.

Në një video tjetër dy vjet më pas Veliaj thotë se uji i kryeqytetit është i sigurt për t’u përdorur.

Kontrata tip e furnizimit me ujë në kushtet e reja të vendimit të gjykatës e detyron UKT-në të ndërpresë furnizimin me ujë të konsumatorit nëse ai është jashtë standardeve, si dhe e vendos shoqërinë shtetërore në pozitën që duhet ta bëjë publik në kohë reale këtë njoftim për kryeqytetasit.

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

One Comment to: Mashtrimi i konsumatorëve shqiptarë me ujin e pijshëm

  1. KORÇARI

    August 2nd, 2021

    Rregullisht Vendi ynë duhet të quhet BANANIA në vend të Shqipëria.
    Populli Shqiptar duhet të nisë të Ndërgjegjësohet dhe të kërkojë llogari nga qeveria , si ajo qendrore ashtu dhe ajo vendore për Shpërdorimin e Tmerrshëm të lekëve që ai paguan.

    Reply

Leave a Reply

  • (not be published)