Pa ”xhaketën” e ministrit, edhe pse Manjani as që e preferon ta përdorë qoftë edhe në kuptimin figurativ, tani ish-ministri i Drejtësisë duket krejt i çliruar nga punët e mëdha të qeverisë.

Manjani nuk është një ministër klasik dhe as tipik shqiptar. I hapur deri në detaje të imtësishme me mediet, me deklarata që tronditën opinionin publik pas shkarkimit por njëkohësisht një profesionist e qytetar i angazhuar.

Ish-ministri i Drejtësisë, që u shkarkua nga kryeministri Rama rreth 2 muaj më parë tregon në një intervistë ekskluzive për ”Shuplaka”-n detaje të pazbardhura nga puna në qeverinë shqiptare dhe raportin me Ramën: si i kërkohej të merrte leje për të folur publikisht te drejtori i Ramës Endri Fuga, si qeveria shqiptare merrte vendime pa u mbledhur, si tenderat zhvilloheshin në shkelje të plotë, si kryeministri Rama ka shantazhuar me telefon gjyqtaren e Kukësit, si kanabisi mori përmasa dhe luftën e tij me Ramën e Tahirin për ta pranuar si fenomen dhe çfarë marrëdhëniesh ka tani me Ilir Metën e LSI-në. A do jetë në listat e LSI-së për deputet këto zgjedhje?

Manjani rrëfen në këtë intervistë të gjithë prapaskenën e shkarkimit të tij, çfarë komunikoi me Metën, zbërthen Reformën në Drejtësi dhe përfshirjen e SOROS-it por sigurisht që i përgjigjet edhe pyetjes ”Cilët ministra flinin me dashnoret te Santa Quaranta”.  

PJESA E PARË

Z.Manjani, le ta nisim këtë intervistë me zhvillimin e fundit, si e komentoni dekretimin e Fatmir Xhafajt si ministër të Punëve të Brendshme, nga presidenti Bujar Nishani, edhe pse ai shprehu rezervën e tij?

Shikoni, sigurisht presidenti është brenda kornizës kushtetuese. Padyshim, jo Xhafaj por edhe Enver Hoxha po të ishte gjallë, për sa kohë nuk ka një ligj që e dënon figurën apo veprimtarinë e këtyre personave, sigurisht që presidenti nuk ka çfarë të bëjë tjetër përveçse të respektojë formalisht propozimin e kryeministrit. Pastaj nëse kryeministri ka bërë zgjedhjen e duhur apo jo sigurisht kjo është një çështje që duhet ta vlerësojë më së pari opinioni publik por ka një problem: Çështja e unitetit të kombit nuk është vetëm një çështje kushtetuese. Në fakt ka mbetur e pazgjidhur, ka mbetur deklarative në Kushtetutë por pa instrumentet e nevojshëm se si garantohet uniteti i kombit. Prandaj kjo çështje duhej të trajtohej me më shumë përgjegjshmëri, më me shumë moral dhe më me shumë angazhim ndërmjet aktorëve që kanë detyrë të formojnë qeverinë. Mirë do të ishte të mos ishte pjesë e përplasjeve politike.

Padyshim Fatmir Xhafaj nuk është pjesë e ligjit të dekriminalizimit. Çfarë dua të them me këtë? Dua të them që Parlamenti Shqiptar ka çështje shumë më të mprehta për të zgjidhur, kriminelë që janë të freskët në memorien e institucioneve shqiptare dhe jo vetëm por janë edhe të freskët në memorien e njerëzve që jetojnë sot. Që marrin frymë. Dhe patjetër që Fatmir Xhafaj nuk është kjo kategori. Fatmir Xhafaj mbart në vetvete historinë  e së shkuarës politike në Shqipëri dhe padyshim që problemi është moral dhe politik dhe turpi, nëse është turp, duhet t’u takojë atyre që e miklojnë, që e fryjnë Fatmir Xhafajn, që e promovojnë dhe jo vetë Fatmir Xhafajn.

Xhafaj ka qenë edhe 2 herë të tjera ministër, pse ky shqetësim tani? Pse herën e tretë?

Unë nuk mendoj që është ky shqetësim tani, ka qenë gjithmonë ky shqetësim por është menaxhuar në mënyra të ndryshme. Tani jemi në një situatë ku vendi është praktikisht, politikisht në një krizë të thellë ku elementi kryesor i kësaj krize është besimi. Aktorët politikë dhe partitë politike nuk besojnë jo vetëm njëra-tjetrën, por as veten më edhe aktorë brenda partive politike nuk besojnë më partitë e tyre. Pra kriza e besimit është e gjithanshme, kështu që në këtë krizë besimi hedhja e një karremi provokues për shoqërinë, sigurisht që nuk ishte një zgjidhje e duhur.

Fatmir Xhafaj mund të ishte bërë ministër në 2013-ën, pa i hyrë gjemb në këmbë sepse situata atëherë ishte shumë e favorshme dhe ndoshta nuk do i hapej ky lloj debati. Ky debat hapet në moment krize dhe gjykoj se kryeministri ka dashur ta hapë këtë temë për të shmangur vëmendjen, për të orientuar opinionin publik te Fatmir Xhafaj. Në fakt opinioni duhej të orientohej te Edi Rama, i cili po qeveris keq dhe shumë keq, i cili drejton sot një qeveri që ka kanabizuar vendin. Alternativa e vetme ekonomike e kësaj qeverie është vetëm kanabisi, alternativa e vetme demokratike e kësaj qeverie është të dëgjojmë propagandën e saj dhe të votojmë nën kushtet e kanabisit. Më rëndë se kaq nuk ka çfarë të ndodhi dhe sigurisht që këtu nuk është fajtor Fatmir Xhafaj, Xhafaj merr ngarkesën e së shkuarës por përdoret nga kryeministri aktual për të shmangur vëmendjen.

Të mbetemi te Xhafaj dhe Reforma në Drejtësi. Ju keni qenë ministër i Drejtësisë në kohën që Xhafaj ka qenë kreu i Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi. A mund të na tregoni me detaje se çfarë bashkëpunimi keni patur me Xhafajn për të pyetur më tej për lidhjen e kësaj reforme me SOROS-in dhe ekspertët e këtij fondacioni. Analisti Ilir Kulla e ka thënë 2 herë publikisht që Xhafaj u ka bërë kërkesë këtyre ekspertëve, madje është pranuar edhe se SOROS-i ka dhënë kontribut në reformë, edhe Edi Rama vetë…Si e shikoni ju Reformën në Drejtësi dhe kontributin e Xhafajt në të?

Nuk ka shumë detaje. Gjërat janë bërë të njohura pak a shumë dhe nuk ka gjë për të fshehur. Së pari duhet të kujtojmë se që prej fundit të vitit 2014 qeveria nuk kishte më rol te Reforma në Drejtësi sepse u vendos që me reformën të mos merrej më Ministria e Drejtësisë, por një komision i posaçëm parlamentar. U vendos politikisht, pra maxhoranca jonë mori vendim me arsyetimin se kjo është një reformë shumë e madhe, me qëllim kontributin e opozitës dhe vendi ku opozita ekziston është Parlamenti. Dhe kjo është arsyeja pse u mor ky vendim, krijimi i një komisioni parlamentar me qëllim që të ishte edhe opozita brenda, gjë që në Ministrinë e Drejtësisë nuk ishte shumë komode.

Pse?

Kështu u gjykua. Për mua është gjykuar gabim, po kështu u gjykua. Qeveria shqiptare pas këtij vendimi nuk kishte të bënte më drejtpërdrejtë me Reformën në Drejtësi por ajo ishte kontribuese si gjithë të tjerët. Sigurisht që nuk ndalonte askush ministrin e Drejtësisë që të kontribuonte në procesin e Reformës por me rolin e një kontribuesi, jo propozuesi siç është sot për shembull që ministri i Drejtësisë bën ndonjë projektligj dhe e çon në qeveri dhe qeveria e çon në parlament.

Në atë rast u vendos që gjithë puna të bëhej në parlament për të siguruar pjesëmarrjen e opozitës, ky ka qenë qëllimi kryesor. Në këtë komision u vu në krye Fatmir Xhafaj, sigurisht është pjesë e vendimarrjes dhe unë nuk dua ta kthej në personale sepse mund të ishte edhe dikush tjetër.

Por në këtë rast nuk mund të ishte dikush tjetër se me sa duket u bë që të ishte Fatmir Xhafaj por çështja është dhe e theksoj, se nuk është faji i Fatmirit, është faji i këtyre që miklojnë Fatmirin sa herë ju duhet. Sa herë ju duhet që të shmangin vëmendjen nga një çështje themelore, krijojnë personazhe, krijojnë histori dhe çështje të vjetra, është një lloj skeme që të shmanget.

Në fakt është e arritshme kjo e vëmendjes. Po ta vini re edhe para dy vjetëvve kështu ka qenë, edhe dy vitet e fundit. Çfarë thotë qeveria? ”Vettingu, gjykatësit, vrasësit serialë”. Pra gjithë ”faji”, në mënyrë propagandistike u kalua te gjykata, a thua se qeveria ishte më e mira. Pra u arrit qëllimi. Nga kjo pikëpamje ky ishte qëllimi: të krijojmë një kazus për drejtësinë dhe ta çojmë në Parlament.

Në momentin kur ky komision parlamentar ka filluar punën sigurisht u shfaqën një grup ekspertësh, madje edhe u quajtën ”të nivelit të lartë” në mënyrë të çuditshme. S’ka ekspertë të nivelit të lartë, eksperti është ekspert, nuk ka nevojë t’i vësh nivelin. Që këtu filluan pastaj teatrot me nivele dhe historira të kësaj natyre.

Çuditërisht të gjithë ekspertët që u ftuan në një mënyrë a në një tjetër ishin pjesë e Fondacionit SOROS, çuditërisht! Nuk pati asgjë jashtë Fondacionit SOROS! Dhe unë nuk jam nga ata që mendoj se e keqja e Shqipërisë është Fondacioni SOROS, nuk e kam menduar kurrë këtë gjë, por çuditërisht Netëork-u i këtyre njerëzve lidhej me Fondacionin SOROS. Është njësoj si të themi që takohemi diku në kafe dhe për shkak se rrimë shpesh krijojmë një Netëork. Kështu është edhe puna e Fondacionit SOROS.

Unë nuk besoj se SOROS-i paska dhënë urdhër të bëhet Reforma në Drejtësi  se kjo është pastaj të kalosh çdo lloj imagjinate por e vërteta është se u thirrën njerëz që njihnin njëri-tjetrin, që krijuan një marrëdhënie besimi dhe ndërtuan konceptet e para të asaj reforme në dukje në drejtësi, e cila në thelb ishte dhe është shumë, po them në rastin për të qenë diplomatikisht korrekt, shumë e sforcuar!

Sepse Shqipëria kishte dhe ka probleme me drejtësinë, patjetër që po, por instrumentet e zgjedhur janë të sforcuar. Domethënë ne mund të kishim zgjedhur një qasje më të thjeshtë, më praktike dhe më funksionale, kjo ka qenë pikëpamja ime kur kam hyrë unë në Ministrinë e Drejtësisë dhe e kam shprehur këtë gjë. Pra duhet patjetër të bëjmë disa ndryshime kushtetuese, këto duhet të ishin minimale, parimore që t’i hapnin rrugë ndryshimeve të thella në strukturimin e drejtësisë. Padyshim edhe në pastrimin e radhëve të gjyqësorit.

Ju mendoni se do jepnin zgjidhje?

Këtë kam thënë dhe jam i bindur edhe sot e kësaj dite. Mbi të gjitha duhet të bënim një analizë të proceseve gjyqësore, sa zgjasnin dhe si t’i shkurtojmë, si t’i ndihmojmë njerëzit shpejt. Kjo ishte Reforma në Drejtësi, koncepti im mbi Reformën në Drejtësi. Për fat të keq vetëm kjo s’u bë.

A u duk për ju shqetësues fakti që shumë ekspertë i lidhte diçka: SOROSI?

Shikoni, unë nuk jam nga ata që kërkoj konspiracion mbas ekspertëve. Nuk më është dukur fare shqetësuese. Mua më është dukur shqetësuese kjo gjë: mbyllja, produkti. Ishte i mbyllur. Nuk qarkullonte. Kur kam hyrë në ministri nuk kisha projekte, nuk kisha drafte!

Si e justifikonin që nuk jua sillnin? Apo nuk e kishin për detyrë?

Po që e justifikonin: ”S’ka nevojë ta shikosh se e kanë parë ekspertët”. Kjo ishte shprehja ”E kanë parë ata, ç’a halli ke”.

Pati një sërë problemesh me reformën edhe me Komisionin e Venecias, edhe me përkthimet…

Përkthimet janë çështje e mëvonshme por në fillim procesi ishte i mbyllur, hapej vetëm për propagandë, ftohej ambasadori amerikan për të thënë jo ”orat”, ”jo brryli”, ”jo kthesat”, e cila ishte propagandë, asgjë tjetër!

Ylli Manjani gjatë intervistës për ”Shuplaka”-n

Kush e ftonte ambasadorin?

Nuk e di. Unë nuk kam qenë pjesë e këtyre tryezave, për fatin tim të mirë.

Pra mendoni që ka qenë propagandë e mirëfilltë që ambasadori Donald Lu dilte dhe bënte deklarata, apo mbaheshin konferenca për sistemin e drejtësisë?

E gjitha ishte pjesë e një propagande, e ndërtuar në Kryeministri për të fajësuar gjykatat dhe për të mbrojtur qeverinë. Dhe ia kanë arritur qëllimit. Patjetër që po. Sepse sot opinioni publik është i karikuar në mënyrë të tillë sikur ky Vettingu për shembull do zgjidhi Shqipërinë. Dhe kjo është pjesë e propagandës.

Por paralel me ”Vettingun” është edhe teza e zgjedhjeve të lira dhe qeverisë teknike…

Flasim për 2 vitet e fundit. Kjo që thua po ndodh sot. Në 2 vitet e fundit është krijuar një klimë e tillë që ”gjyqësori na e ka fajin”. Pra qeveria nuk jep prona dhe fajin e ka gjykata, qeveria nuk jep certifikatë pronësie dhe fajin e ka gjykata, qeveria dështon të japë legalizime dhe fajin e ka gjykata, qeveria dështon të hapë vende pune dhe fajin e ka gjykata, qeveria dështon të bëjë projekte zhvillimi dhe fajin e ka gjykata.

Pra të gjitha dështimet e qeverisë me pa të drejtë iu veshën gjykatës. Dhe çfarë ndodh? Sigurisht që gjykata ka probleme por unë s’kam gjetur dikë sot me të cilin të ndash një problem dhe të thuash ”çfarë do bëjmë për ta ndërtuar gjykatën”? Çfarë do bëjmë ne për të ndërtuar procesin gjyqësor, çfarë do bëjmë ne për të rritur shpejtësinë e gjykimit dhe për të ulur afatet, çfarë do bëjmë ne për të rritur transparencën, çfarë do bëjmë ne për të ulur shërbimet gjyqësore që u takojnë njerëzve, çfarë do bëjmë ne për hetimin penal?!

Kam qenë i vetmi që i kam thënë këto gjëra dhe i besoj. Hetimi penal duhet të ishte një nga shtyllat themelore të Reformës në Drejtësi sepse në Shqipëri nuk hetohet, në Shqipëri, dosjet gjymtohen nga provat, shkojnë gjysmake në Prokurori, shkojnë gjysmake edhe në gjykatë. Pra fajin nuk e ka gjykata.

Pra po thoni që kemi probleme të mbledhjes së provave në terren nga policia?

Patjetër. Nga policia, nga prokuroria, sepse prokurori rri në zyrë dhe pret çfarë i sjell polici. Polici është një njeri që hallakatet poshtë e përpjetë dhe po themi në rastin më të mirë se në rastin më të keq mund të jetë pjesë e lojës dhe ti pret që të bëhet drejtësi penale me këtë gjë. Unë e kam thënë dhe e kam bindje.

Pra ju po thoni që Prokuroria nuk punon se nuk ka prova?

Patjetër. Faji i prokurorisë fillon në çastin pse nuk del nga zyra që të kërkojë prova. Sipas pikëpamjes sime prokurori është i vetmi autoritet ekskluziv që ngre akuzën.Po si e ngre akuzën? E ngre pasi mbledh provën. Pra duhet ta mbledhë, ta gjëmojë që në origjinë, jo të presë t’ia sjellin. Duhet të shkojë ta marrë. Dhe kjo që nuk është bërë edhe sot edhe kësaj dite. Nga kjo pikëpamje unë gjykoj se nuk ka sjellë ndonjë gjë të re kjo reformë.

E vetmja gjë të re që ka sjellë, ishte si ta bëjmë që të largojmë presidentin e Republikës nga Gjyqësori, e u largua. Si ta bëjmë që ta ndajmë tortën e emërimeve dhe shkarkimeve në mënyrë politike sepse është futur Parlamenti në qendër të çdo gjëje dhe si të krijojmë sa më shumë institucione ku askush nuk merr vesh asgjë dhe të krijojmë një sistem kaotik me qëllim që të ndërhyhet në mënyrë selektive.

Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që sot për shembull Prokurori i Përgjithshëm i pas reformës, është një zyrtar kot, është një kancelar që s’ka asnjë vlerë sepse një prokuror i një qyteti ”X” për arsye protagonizmi, a për arsye politike, a për arsye që i di ai, mund të bëjë spektakël në çfarëdolloj çështje në emër të pavarësisë në hetim.

Dhe në fakt në nëse kjo do jetë e suksesshme ku ma gjen, por çështja është që nuk do jetë e suksesshme sepse skema e mbledhjes të provave përsëri mbetet me polici gjyqësore. Në thelb është projektuar një reform ëjo e mirë, e sforcuar dhe që dyshoj se do ketë rezultate, realisht dyshoj që do ketë rezultate pozitive.

Padiskutim unë kam qenë dhe mbetem përkrahës i zbatimit të kësaj reforme tashmë, duhet zbatuar me çdo kusht cilido qoftë fundi i kësaj reforme sepse duhet të jemi minimalisht  seriozë me veten tonë por mund të kishim bërë një gjë shumë më të mirë, shumë më praktike, do kishte mbaruar sot reforma, do e kishim pastruar sistemin, do kishim ndërtuar strukturat dhe sot do ishim duke bërë pjesën e fundit të procesit.

Ju thoni që duhet zbatuar, megjithatë opozita e ka thënë shpesh që në këtë mënyrë rrezikohen të gjitha pushtetet dhe gjithë ”fuqia” do shkojë te Rama…

Nuk ka rëndësi kush është sot se mund të jetë Basha nesër… sepse në qendër të ndërtimit të institucioneve të drejtësisë është vendosur Parlamenti. Parlamenti çfarë është? Është shumica e radhës. Pra nuk është shpëtuar procesi nga ndikimi politik, përkundrazi është vendosur nën varësinë politike. Ky është një problem që do ngelet.

Një sistem më i thjeshtë, më praktik dhe më i orientuar në proceset gjyqësore do të ishte shumë më efikas se sa kush do bëjë ”Vettingun”, kush do bëjë KLP-në, kush do bëjë KLGJ-në. Po që nuk ka burime njerëzore! Shikoni si po dështojnë proceset një nga një.

Pse mendoni se po dështojnë?

Sepse ku do t’i gjesh ti juristët me 15 vjet punë?! Që mos të jetë i ngatërruar me politikë, që të dijë anglisht, që të ketë disa ”mos, mos, mos”, ku do t’i gjejnë?! Këto janë burimet njerëzore pra. Dhe kjo është një histori që nuk mbaron.

Ose për shembull Kodet e Procedurave që po i mbyll tani Komisioni i Ligjeve, janë të gjitha skandaloze, nuk sjellin asgjë të re. Absolutisht asgjë të re. Unë e kam kritikuar këtë sepse hoqën dorë nga definimi i rolit të Prokurorit që ishte thelbi. Për mua prokurori duhet të ishte thjesht një mbledhës provash dhe një mbrojtës akuze. Kaq. Këtu mbaron. Prokurori nuk ka pozitë tjetër t’i thotë gjykatës ”Dënoje kaq”, se sa do dënohet e cakton gjykata, jo prokurori. Prokurori mbaron detyrën e tij kur provon fajësinë në gjykatë. Pikë.Nuk u pranua, u hodh poshtë.

Kam kërkuar që të reformohet tërësisht çështja e masave të sigurisë sepse për çdo gjë futesh në burg. Me prova pa prova. Me një përgjim telefoni futesh në burg. Është skandaloze kjo gjë. Të paktën janë 40% e të paraburgosurëve, ndaj të cilëve nuk ka një provë direkte. Kjo është diçka që nuk shkon. Pra sistemi i ndjekjes penale është kolaps, se nuk është zgjidhje ”Merre dhe fute në burg”. Zgjidhje është ”provoje, pastaj merre dhe fute në burg”.

Kjo ishte strategjia që u kam propozuar unë por që u rrëzua, nuk u pranua nga ky komisioni parlamentar. Kam kërkuar me forcë që të vendosim Gjykatën e Lartë që drejton procesin nëpërmjet unifikimit të praktikës gjyqësore, gjykatë precedenti dhe jo gjykatë e shkallës së tretë ku për çdo gjë shkohet në gjykatë të lartë. Nuk pranohet as kjo.

Tani më falni çfarë reforme kanë bërë? S’kanë bërë asnjë reformë! Pra në kuptimin që t’u ndryshojë jeta njerëzve në gjykatë, asgjë s’ka ndodhur. Nga kjo pikëpamje reforma është dështim sepse në fund fare askujt nuk i intereson se kush do jetë anëtari i KLGJ-së, anëtar i Gjykatës së Lartë se kjo është pjesë e pushtetit, llogari e pushtetit. Atij atje i intereson gjyqi.

Shërbimi gjyqësor në gjykatë dhe prokurori jo vetëm që nuk ka ndryshuar por me shumë gjasë po përkeqësohet dhe kjo është e keqja më e madhe e kësaj reforme, që nuk quhet reformë në të vërtetë sepse nuk ka ndryshuar asgjë në procesin gjyqësor.

Kanë ndryshuar vetëm formulat e institucioneve, kush do ketë më shumë rol, cila pozitë dhe cila opozitë, presidentin e kanë përzënë sepse është ”armik” dhe kanë mbyllur praktikisht edhe Ministrinë e Drejtësisë. Mund të mbyllet. Megjithse Venecia thoshte krejt të kundërtën, ata janë më të mëdhenj se Venecia.

Ju mendoni që do mbyllet?

Po. Mund të mos ekzistojë. Sepse ministri i Drejtësisë nuk ka më asnjë rol. Ministri i Drejtësisë ishte konceptuar si zyrtari i ekzekutivit që mbikëqyrte edhe Shërbimet Gjyqësore në pushtetet e pavarura.Tani këtë rol s’e kryen më. Për një Drejtori Kodifikimi? Shoku Enver e ka patur në Kryeministri atë.

Të kthehemi te Rama dhe veprimet e fundit të tij. Kryeministri shkarkoi 4 ministra, duke sjellë 4 të rinj.Pse mendoni se e bëri?

Për të maskuar Saimir Tahirin. Për të maskuar ekzakt Saimir Tahirin!

Pra nuk ishte një zgjidhje për opozitën?

Jo jo. Nuk e besoj këtë.Mund të ketë tentuar ta shesë, e besoj këtë por në thelb unë e kam thënë që Saimir Tahiri u miklua si ”Ministër i Suksesshëm”.Për hir të së vërtetës ai ishte një ministër luajal te Rama, është një ministër që ka bërë ekzakt çfarë i ka kërkuar Rama, kryeministri i tij, në këtë kuptim luajal, asgjë gjë të keqe nuk ka, është pozitive.

Por kanabizimi i Shqipërisë, gjërat e rënda kriminale që kishin ndodhur sigurisht që edhe për një defekt shumë të madh manaxherial, ndoshta që vjen edhe nga mungesa e përvojës.

Saimiri është një çun i ri, detyra e dytë e jetës së tij ishte ministër, e para deputet, kështu që edhe përvoja ka të bëjë në shumë raste.

Pse ka të bëjë? Sepse ministri i Brendshëm nuk është drejtor policie. Rendin publik e garanton Policia e Shtetit, i cili është një institucion krejtësisht i pavarur nga politika. Ndërsa në 3 vjet e gjysmë të fundit ne kemi parë ministrin e Brendshëm drejtor policie, drejtor hetimesh, në çdo vendngjarje, deklarohej përgjegjës për çdo gjë.

Unë jam çuditur në fakt pse reagoi ministri i Brendshëm kur unë fola për kanabisin.Unë nuk akuzova ministrin e Brendshëm me thënë të vërtetën. U ndje i vetëakuzuar.

Politikisht është ai personi që mban përgjegjësi…

Jo, kanabisi është edhe fenomen social është edhe policim sigurisht, është edhe rend publik, është edhe fenomen ekonomik. Pse duhej të vetëndjehej ministri i Brendshëm i vetëakuzuar?! Më bëri përshtypje.

Kjo që po kërkoni mos është pak e tepërt, është njësoj sikur Rama të mos flasë për kanabisin meqë është kryeministër dhe nuk merret direkt me zgjidhjen e problemit…

Rama është kryeministër. Do flasë  për çdo gjë. Në kuptimin ekzekutiv të fjalës, ministri nuk është drejtor policie, kurse Tahiri u soll si drejtor policie dhe natyrisht do merrte kostot e policisë. Pra kostot, të cilat duhet t’i merrte ligjërisht drejtori i Policisë, i mori ministri i Brendshëm. Kjo është mungesa e përvojës dhe sigurisht pavarësisht se ai e quan si heroizëm që ka kapur kriminelë, më duhet ta them se nuk kap ministri i Brendshëm kriminelë! Në asnjë vend të botës nuk ndodh kjo. As në diktaturë!

Pra nuk duhej kërkuar te Tahiri kapja e Klement Balilit?

Askush nuk ia ka kërkuar Tahirit kapjen e Klement Balilit apo qoftë tritolin te farmacia e babës së vet, se nuk ka gjetur këtë njëherë. Nuk është kjo tema.

Edhe pse kam patur disa deklarata të tipit parimor, nuk kanë qenë kurrë të drejtëpërdrejta. Duhet ta çojmë përgjegjësinë te institucionet dhe jo te ministri. Ministrat drejtojnë politikisht sepse i bie që për ata që nuk arrestohen kush e paska ka fajin, politika, Partia Socialiste, Saimir Tahiri? Dreqi e mori, nuk mund të jetë kështu!

Fakti që e çuan në këtë derexhe i bie që janë fajtorë pastaj dhe patjetër që kjo kosto do shfryhej diku dhe ”rrufepritësi” sigurisht që do ishte Saimir Tahiri.

Shkak për shkarkimin e tij është e gjithë sjellja si një kryepolic për disa ngjarje që nuk kishte përgjigje. Për shkakun se i kishte marrë të gjitha mbi vete, i binte që do kishte kosto politike.

Nuk e dyshoni aspak se Tahiri mund të jetë ”koka e turkut” që Rama të shpëtojë veten?

Kjo është. Por po të ishte një ministër me përvojë do kishin djegur ndonjë drejtor policie dhe jo të digjej vetë. Mbajti një kosto që nuk është e tij, duhet ta themi. Është e Ed Ramës, nga ”A”-ja te ”ZH”-ja dhe sigurisht që do bënte edhe reagimin e tij, se njeri është, prej mishi dhe prej kocke, duke i thënë ”pse do më shkarkosh”. Dhe për të mbuluar këtë gjë sigurisht që do shkarkoheshin edhe disa të tjerë, unë e kam thënë që është kolla për të mbuluar mender jush pordh*t.

Megjithë këtë Tahiri nuk pranoi të dorëhiqej…

Pse duhej të dorëhiqej?! Ishte luajal ndaj shefit të tij. ”Unë bëra çfarë më the ti, tani pse më faturon kostot e tua’, këtë duhet të ketë thënë.

Mua më shqetëson kjo gjë që e kam thënë: duhet lënë polici të bëjë punën e vet, hetuesin të bëjë punën e vet, prokurorin të bëjë punën e vet. Ministrat bëjnë koordinimin, bashkërendimin e gjësë, por jo  zëdhënien e policisë. Dolëm ne ”Kapëm grabitësit”. Çfarë grabitësish kapën?! Sukses i madh i ministrit tëB rendshëm se u kapën ca grabitës. Po ç’domethënë?! Po policët ku janë?!

Dhe fundi i historisë që tregon realisht çfarë shërbimi policimi u krijua, edhe për shkak të mungesës së përvojës. Tentoj ta quaj mungesë përvojë, për të mos spekuluar më shumë, na doli që ishte polici politike. Ç’ishte ajo ”Faleminderit Saimir!”?! Policia e Shtetit falenderon Saimirin?! Po ç’domethënë kjo?! Në cilin vend të NATO-s, apo BE-së dalin policë edhe i thonë ”Faleminderit” një ministri që ikën. Ç’është kjo?! Përveçse militantët e partisë nuk ka kush ta bëjë tjetër dhe kjo është një gjë që lë një shije shumë të keqe në kuptimin e shtetit, ligjit, e funksionimit të jetës politike. Padiskutim që Partia Socialiste paska disa militantë në polici.

Dhe pastaj vimë te arsyetimi i ditëve të sotme. Kush do na garantojë zgjedhje ne? Këta që thonë ”Faleminderit Saimir”?!

Mendoni që zgjedhjet nuk janë të garantuara, absolutisht?

Janë të rrezikuara jo të garantuara! Sepse zgjedhjet sot rrezikohen, më falni për mungesën e modestisë por e kam denoncuar para një viti këtë gjë: kanabisi.

Si lidhet kanabisi konkretisht me zgjedhjet?

Fenomeni kapilar i përhapjes së kanabisit çon patjetër në fitimin e zgjedhjeve.

Si?

Sepse njerëzit që merren me kanabisin kanë punëtorë, të cilët paguhen minimumi 20 mijë lekë në veri në ditë dhe maksimumi 40 mijë lekë në jug, në ditë. Nëqoftë se këtyre iu rritet nga 20 mijë lekë në 30 mijë lekë në fushatën e zgjedhjeve dhe nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë po në fushatën e zgjedhjeve në këmbim të mbushjes së kutive me vota, se këta kanë familje, janë rrjet, janë njerëz pa shpresë, pa punë…

Sa njerëz janë?

Shumë janë. Në gjithë zonat rurale të Shqipërisë, është masiv tani, nuk është më një Lazarat. Në zona rurale sot, në veri dhe në jug, përfshi edhe Shqipërinë e Mesme refuzohet të punohet toka e ligjshme për të shkuar në pyll për të vaditur kanabis. Është ofertë joshëse.

Dhe ju mendoni se ata do ndikojnë familjarët e tyre?

Zgjedhjet e Dibrës çfarë ishin? U bë një test aty. Në Dibër më besoni, unë jam me origjinë nga Dibra nuk ka qenë kurrë në traditën e dibranit kanabisi. Sot ka pyje të tëra që ruhen me armë, me njerëz të armatosur dhe nuk afrohet kush. Për çfarë i ruajnë? Se mbjellin kanabis. Janë zona të varfra. 20 mijë lekë të vjetra në ditë.

Çfarë viti mori përhapje masive kanabisi sipas jush?

Ka qenë vjeshta e 2015-ës, e gjithë 2016-ta, në të gjitha ciklet e mbjelljes dhe të korrjes së hashashit. Tani s’kemi ende të dhëna të sigurta sepse cili ka qenë debati që kemi bërë ne pas deklaratave të mia në qeveri: që nuk është e vërtetë. Pra nuk qenka e vërtetë?!

Qe në fakt një rezistencë e madhe e Ramës dhe Tahirit për ta pranuar publikisht që ky problem ekzistonte, kaloi shumë kohë para se ta pranonin, ndërkohë që raportimet çdo ditë e shtoheshin…

Për ta mohuar pra. Tahiri edhe sot nuk e ka pranuar, edhe sot që ka ikur.

Tahiri ka thënë që po e lufton…

Çfarë po lufton, nuk po lufton gjë!

Ai ka disa rekorde të kapjes së kanabisit…

Në klimën e mohimit, e mosbesimit, e mungesës së përvojës, në klimën e politizimit të tejskajshëm sigurisht që shifrat e tua relativizohen sepse kundërshtari çfarë të thotë: ”Ti po kap drogën që nuk është e jotja”.

Ju e besoni këtë?

Deri diku po.E besoj tani se çfarë të bëj tjetër.

Domethënë ka drogë që është e Tahirit?

Nuk thashë që është e Tahirit, por ka drogë që është e administruar nga shteti.

Që do të thotë?

Që do të thotë që nëse Rama e mohon fenomenin duhet të besoj të kundërtën. Përndryshe një kryeministër i përgjegjshëm thotë ”Po jemi para një fenomeni. Na ka ndodhur kjo gjë, ne menduam se luftuam Lazaratin, po nuk e luftuam sepse njerëzit janë në varfëri ekstreme, fenomeni është i përhapur, duhet ta pranojmë”.

Refuzimi për ta pranuar, të çon të mendosh dhe të besosh se ka një background.

Shifrat e Tahirit janë përballë atyre të raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit…

Shikoni unë nuk merrem me raportin e DASH-it! Unë nuk besoj se gjykimi i të huajve për vendin tonë është më i dhimbshëm se sa gjykojmë ne për vendin tonë.

Unë nuk kam pritur raportin e DASH-it. Kam qenë ministër. Mund të isha shumë komod dhe të thosha jo lëre mos fol.

Jo pra, nuk është kështu sepse krahu i punës po lë punën e ligjshme për të shkuar te puna e paligjshme. Mua kjo më shqetëson. Sepse një ditë kanabisi do ta marrë fundin e vet, në mos nga shteti, nga njëri-tjetri. Por çështja është që sa më vonë të jetë kjo, aq më keq do jetë për vendin, aq më keq për shoqërinë dhe sidomos qeveria ka një rol. Qeveria nuk ka mundësi të thotë s’është fenomen. Italia kap 8 tonë drogë. Është e tmerrshme 8 tonë drogë! E dini si është kapur? Kanë kaluar skanerin në kamion, nga Dogana e Durrësit, skaneri i fikur por me letër të verifikuar.

Mund të jetë faji i ekspertit që qëndron te skaneri…

Po pse nuk arrestohet se u bë 1 muaj?!

Sepse mund të jetë në hetim…ky mund të jetë ”justifikimi”…duke bërë ”Avokatin e Djallit”…

Këtu ka një fakt konkret dhe t’ua spjegoj mekanizmin se çfarë ka ndodhur, që e thonë dhe italianët.

Po të kalosh skanerin e Durrësit, skaneri është i lidhur me Netëork-un e doganave fqinje dhe shanset për t’u kontrolluar pasi ke kaluar skanerin janë zero, sepse quhet një dokument i besueshëm. Fati i keq ka qenë që nga Dogana e Durrësit në Ankona kanë qenë 48 orë në traget dhe sigurisht kanë folur ”armiqtë”, ”kundërshtarët”, kanë çuar informacione dhe janë kapur në Itali dhe jo në doganë, e kanë gjëmuar, e kanë lënë ku janë shkarkuar dhe pastaj janë kapur sepse kështu punojnë shërbimet inteligjente jo si puna jonë që në rastin më të parë e djegim aksionin.

Nuk kam pse të pres DASH-in unë. Ky është një fakt shumë i rëndë për të gjithë ne. Media i raporton, tjetër gjë se si i përdor politika.

Ka një tezë që qarkullon se shkarkimi i Tahirit është bërë si rezultat i një premtimi pasi u shkarkuat ju. Premtim i Ramës ndaj Metës…

Është i gjithë spekulim.Unë nuk e di këtë gjë se nuk kam qenë dëshmitar i asnjë diskutimi.

Është shkruar në media se bashkë me shkarkimin tuaj do të vinin edhe shkarkime të tjera…

Jo nuk kanë folur kështu. Unë vetë kam thënë në deklaratën pas shkarkimit që Ramës i është kërkuar shkarkimi i ministrit të Brendshëm ndaj ai kërkon të krijojë një shfokusim të vëmendjes dhe u mor me mua. Sigurisht që mua ai më bëri nder, por këtë e kam thënë unë.

Jam i bindur si drita e syve që nuk ka patur marrëveshje shkëmbimi siç pyesni ju, apo siç pret një pjesë e medias që e përdor për arsye spekulative, veçanërisht ato media që kanë një mllef ndaj Ilir Metës përgjithësisht. Pra, një pjesë e madhe e analistëve që shohin te Ilir Meta të keqen më të madhe të Shqipërisë. Mua më takon të them këtë gjë: që në gjithë dijeninë që kam unë dhe di jo pak për këtë çështje, nuk ka qenë kjo.

Arsyeja e lëvizjes së ministrave përpara fushatës zgjedhore është thjesht një reagim, nervoz, ekskluzivisht nervoz, krejtësisht i paqartë i kryeministrit të vendit, i cili ndjehet në presion të gjithëanshëm.

Për çfarë presioni e keni fjalën? Nga i vjen presioni më i madh?

Nga të gjitha anët: nga rezultatet e këqija në qeveri, nga çadra e opozitës…

Mendoni se e presionin çadra e opozitës?

Të mos hyjë opozita në zgjedhje nuk është gjë e vogël. Patjetër që ka ndikuar.

Rama e ka marrë me shumë sportivitet në dukje, madje ka kaluar pranë protestuesve…

Jo jo lëre, ato janë teatro që i di vetë ai. Unë po them që çadra është një element presioni.LSI-ja është një element tjetër presioni. Mosmbyllja e koalicionit në kohë siç e priste ai, natyrisht që i shton presionin.

Koalicioni nuk është mbyllur ende?

Keni dëgjuar gjë, se deri tani unë s’di gjë.

E ka përsëritur që do jenë bashkë…

Kush e ka përsëritur? Ka thënë vetëm Ed Rama dhe Taulant Balla. Keni dëgjuar ju nga ana tjetër?!

Ju po thoni që Meta ende nuk ka vendosur?!

Shikoni.Unë jam anëtar i Kryesisë së LSI-së dhe nuk di gjë. Pra nuk kemi ende një vendim dhe ky është presion për Kryeministrin. Pra i ndjerë në presion mediatik, politik dhe social, edhe të brendshëm, në kuptimin e koalicionit, sigurisht që i shkakton një nervozitet, i ka shkaktuar mungesë fokusi dhe mesazhi është krejtësisht konfuz.

Çfarë  mesazhi ka thënë ai? Ka thënë që ”unë heq ministra para zgjedhjeve”. Po pse? Cili është kuptimi?!” Dhe heq ministrat më të suksesshëm”. Për çfarë? Për t’i çuar në zgjedhje. Ta marrim të vërtetë atë që thotë kryeministri: po mirë  kush është fokusi i një kryeministri? Të qeverisë apo  apo të fitojë zgjedhjet?!

Ndoshta për Ramën është edhe fitimi i zgjedhjeve…

Po pra, por ta lërë qeverinë dhe të fitojë zgjedhjet! Njerëzve normalë që s’duan të merren me politikë nuk u intereson kush do marrë Tiranën. U intereson çfarë do bëjë qeveria. Dhe ky është një mesazh pa mesazh, krejtësisht me efekte të gabuara.

A mos ndoshta është duke përgatitur terrenin e një qeverie teknike?!

Nuk e di.Kjo është një çështje spekulative që shumë analistë e kanë thënë. Rama do të duhet të paguajë koston e arrogancës në politikë sepse ka kaq vite kryeministër që nuk hapi njëherë derën e dialogut për opozitën. Asnjëherë të vetme. Zero.

Rama e ka ftuar opozitën të ulen në tryezë…

Nuk ka ftuar asgjë ai.

Tani, gjatë protestës…

Jo asnjëherë nuk e ka bërë këtë gjë. Bëri një gjysmë deklarate medemek të gënjente shoqen e vetë Mogherini. Në këtë pjesë ai nuk ka bërë asgjë, asnjë përpjekje dhe kjo e vendos në një pozitë arrogante. Opozita sado e dobët të jetë nuk mund ta trajtosh në mënyrë arrogante, por arroganca e tij vjen nga një filozofi shumë e rrezikshme që ai e mbart në vetvete që është filozofia e eleminimit të kundërshtarit.

Me Ramën është shumë e vështirë të kohabitosh, të bashkëjetosh si opozitë nëse nuk reagon me të njëjtën monedhë. Ai sheh që opozita duhet shkrirë, thjesht për ta pasur për një ”spruco demokratike” dhe pjesa tjetër duhet zhdukur nga jeta e vendit. Pra në vetvete kjo është një filozofi moniste.

Ai po bën çmos që këtë filozofi ta shfryjë edhe te aleati i tij LSI-ja.L SI-në për çfarë e ka dashur?! Kush është sjellja e tij politike?! Jemi bashkë sa të fitojmë zgjedhjet, pastaj fitojmë zgjedhjet, ndahemi: ju keni tuajat, ne tonat. Këtë ka bërë gjithmonë ai.

Dhe motivi i tij është tezë e rrezikshme politike dhe koston e kësaj arrogance ky njeri duhet ta paguajë e kjo nuk është një analizë personale. Për mua ai duhet të rrijë kryeministër. Sa më shumë të rrijë aq më mirë është sepse do degjeneruar aty ku është por nëse do bëjmë një analizë të përgjithshme, koston e arrogancës duhet ta paguajë.

Çfarë ishte marrëdhënia me opozitën? Mirë që nuk u ule njëherë me ta, por në këto kushte kur ata zunë bulevardin nuk kishte rrugë tjetër përveç dialogut, ai e refuzoi dialogun. Dhe e kam patur bindje këtë që ditët e para: të ulemi të bëjmë dialog sot, nesër do jetë vonë! Pse? Sepse palët fillojnë dhe marrin pozicione politike nga të cilat vështirë të dalin dhe ja ku jemi.

Çfarë sugjerimi i ka dhënë LSI-ja për negociatat për uljen në tryezë me opozitën?

Nuk e di! Unë nuk kam informacion për vendimarrjen politike të LSI-së sot.

Si e komenton veprimin e Lulzim Bashës që po reziston…

Mendoj qëështë shumë mirë që Basha po reziston. Është e domosdoshme për demokracinë, jo për interes të PD-së, por për interes të shoqërisë në përgjithësi, të shoqërisë pluraliste, e cila duhet ruajtur me çdo kusht sepse Partia Demokratike ishte katandisur si sportel votash, ku çdo parti synonte të ”rruante” ndonjë votë nga PD-ja dhe ta shkrinin fare demokracinë.

Besoj që çadra ka krijuar një unitet, një soliditet brenda PD-së që nuk është pak, është e rëndësishme, e para. Dhe e dyta unë nuk mendoj që është legjitime tashmë, por ata kanë të drejtë. Edhe teoria e kryeministrit ”Hyjmë në zgjedhje, ju bëni çfarë të doni”, nuk ka zgjidhje për ta.

Çfarë prognoze bëni, si do shkojë? PD po vazhdon të qëndrojë në çadër, Rama nuk po jep asnjë sinjal për qeveri teknike…

Unë nuk e di si do shkojë. Por zgjedhje pa opozitën nuk ka! Tani arrogantët që drejtojnë politikën ta gjejnë vetë.

Mendoni se zgjedhjet mund të shtyhen?

Nuk e di këtë! Kjo është çështje teknike. E rëndësishme është të kuptojmë këtë gjë: zgjedhje pa opozitën nuk ka! Tani edhe mund të kesh edhe pa parti fare por zgjedhje pa opozitën nuk ka. Dhe në çastin që bihet dakord që do hyjmë në zgjedhje, nuk kemi pse ta shtyjmë atë datë por mundësisht ta afrojmë sepse vendi nuk ka qeveri. Kryeministri ka abroguar qeverinë, nuk është më kryeministër!

Si e shihni opsionin e qeverisë teknike?

Mua më frikëson opsioni i qeverisë teknike. Sepse të gjitha qeveritë teknike në Shqipëri, në historinë e 25 vjetëve, kanë qenë problematike. Qeveri teknike, pa mandat, pa mbështetje publike dhe politike…me qeveri teknike u bë ’97. Me disa qeveri teknike, në situata të paqëndrueshme.

Unë po them çfarë kemi nga historia, kjo nuk e përjashton arsyetimin që mund të kemi nesër një qeveri teknike, në kuptimin të mbështetur politikisht nga të gjitha forcat politike, pra nuk është teknike, por me mbështetje të gjerë politike. Sepse qeveri teknike do të thotë të lëmë sekretarët e Përgjithshëm, varianti i Maqedonisë. Nuk duhet të jetë kështu!

Një qeverisje me mbështetje të gjerë politike po, mund të ishte një alternativë për të qetësuar gjakrat, për të qetësuar klimën politike dhe për të çuar vendin në zgjedhje. Por ka një problem, në kuptimin e precedentit në të ardhmen.Sepse kushdo mund të kërkojë qeveri teknike.

Mua më shqetëson një gjë: pse kemi ardhur në këtë pikë? Kemi ardhur nga mungesa e dialogut! Nga arroganca që ne si maxhorancë kemi ushtruar gjithë këto kohë: ”s’pyesim për ju, s’bëjmë për ju, bëni çfarë të doni! Mos Hajdeni!”

Ne deshëm të bënim edhe reformën në drejtësi me vota të blera.

Para se të votohej unanimisht?

Po. Mos kishte qenë lëvizja e fortë e LSI-së dhe Ilir Metës Reforma në Drejtësi do të ishte edhe më e kompromentuar sa ç’është sot.

Kush do blihej?

Ishte përgatitur një skemë. Edhe ky ”Vettingu” që diskutojmë ne: do përjashtohej fare opozita nga roli i saj dhe me vota të blera nga radhët e opozitës do bëheshin ato 94 votat dhe do mbyllej kjo histori. Ishte në lojë ky skenar që tregon filozofinë e arrogancës dhe eleminimit të opozitës.

Të rikthehemi edhe njëherë te Tahiri. Ju keni thënë se ndërkombëtarët kanë kërkuar shkarkimin e tij. Cilët?

Ka patur analizë shumë kritike nga shërbimet partnere mbi situatën e kanabisit.

Cilat shërbime?

Po kush e ka shkruar raportin e DASH-it, si mendoni ju? Ambasada?

SHBA.

Ata që e kanë atë raport. Ka patur një qëndrim shumë kritik për këtë çështje dhe jo nga ambasadat por nga shërbimet dhe të gjitha shërbimet e vendeve partnere e kanë patur këtë shqetësim.

A mund ta kenë kërkuar tani, sërish, para shkarkimit të Tahirit?

Këtë nuk di ta them.Di të them që kjo ka qenë në tryezën politike. Jam i bindur me 1 mijë përqind, i vë të dyja duart në zjarr se Ilir Meta nuk e ka kërkuar shkarkimin e Tahirit, sepse nuk është në stilin politik të Ilir Metës, aq më tepër tani përpara zgjedhjeve. Ilir Meta nuk e ka bërë këtë gjë për asnjë arsye.

Kur është ndarë marrëveshja e bashkëpunimit pas 2013-ës, Ilir Meta ka pranuar që Rama është kryeministër, është përgjegjësi për punët e qeverisë, ministrat e LSI-së janë nën hyqmin e tij, për çdo pakënaqësi ndaj ministrave të LSI-së ka ndërhyrë Meta, jo për ministrat e PS-së.

Meqë po flisni për pakënaqësi, sa herë keni folur me Metën kur keni qenë ministër?

Aq herë sa duhej. Për cilën çështje?

Për sinjalet e pakënaqësisë së Ramës…

Për secilën çështje patjetër që unë kam folur me Metën.

Dhe cila ka qenë këshilla e Metës?

Shikoni, me Metën kam biseduar dhe kemi qenë në pozita shumë dialoguese, jo në pozita ”bëj këtë, të them këtë” dhe Meta nuk e ka pasur këtë sjellje me mua, duhet ta pranoj këtë gjë. Meta ka qenë shumë tolerant, shumë i hapur dhe në asnjë rast nuk më ka thënë mua se çfarë të them.

A ja u ka shprehur shqetësimet e Ramës?

Patjetër. Por asgjë nuk më ka thënë. Unë kam vazhduar atë që kam menduar. Për të vazhduar atë që unë e quaj ”stekë” të sjelljes zyrtare, politike dhe publike të një ministri. Dhe kjo është e vërteta e kësaj: ne nuk kishim asgjë, as për të humbur, as për të ndarë, as për të fshehur.

Dhe meqë erdhëm natyrshëm te prapaskenat e shkarkimit. Janë disa detaje që ende nuk janë sqaruar për publikun. Ju sigurisht keni reaguar, edhe në konferencën për shtyp…por ma do mendja që keni qenë në nxehtësinë e ngjarjes…

Jo, jo nuk kam qenë fare në nxehtësinë e ngjarjes.

Keni qenë krejtësisht i qetë?

Krejtësisht i ftohtë.

E prisnit shkarkimin tuaj?

Shikoni, po të hysh në këto detyra, siç hyn edhe del. Siç nuk e ke në dorë hyrjen, ashtu edhe daljen s’e ke në dorë. Atëherë çfarë ngelet? Ngelet vetëm të tregosh veten se çfarë di të bësh.Kjo ka qenë pikëpamja ime.

Po si ndodhi shkarkimi?

Mua më kërkoi Meta sigurisht të jepja dorëheqjen për arsye të vështirësisë që kishte Rama me mua dhe kjo më çuditi: Rama paska vetëm ankesa për mua por unë për Ramën s’paskam asgjë?! Nejse s’ka rëndësi.

Dhe sigurisht unë me Metën jam marrë vesh me dy fjalë.

Cilat kanë qenë ato?

I kam thënë ”Patjetër që vendi është i LSI-së, të takon ty.Ti je kryetari i LSI-së, siç më promovove mua, mund të çosh dikë tjetër. Dorëheqjen e ke kur të duash”. Kjo është historia. ”Por unë Ramës nuk i jap dorëheqje, sepse dhënia e dorëheqjes i bie që unë jam fajtori. Unë nuk kam bërë asnjë faj, asnjë krim pse kam bërë detyrën e ministrit të Drejtësisë, të cilën do ta bëj prapë njësoj po ta kem mundësinë për ta bërë”.

Pra unë nuk kam patur qëllim të ngacmoj Ramën, siç thonë shumë analistë; as më ka interesuar hiç. Nuk kam lënë unë njeri të hyjë te detyra ime. Ky ishte karakteri im i fortë dhe nëse kisha një gjë negative ishte kjo që unë s’lija njeri të hynte në detyrën time. Por po ju them me bindje nuk ka qenë fokusi im Rama: as të merrem me Ramën, as të merrem me analistët e Ramës.

Megjithatë është evidente që Rama u bezdis nga ju…

Ky është problemi i Ramës, jo i imi. Rama është mërzitur edhe me Tahirin që s’i dha dorëheqjen, është prapë problem i Ramës.

Çfarë ju tha Meta, kur ju i komunikuat se nuk e jepnit dorëheqjen?

Ishin disa ditë ndër mes….

Shënim: Shkrim i publikuar më 21 mars 2017

Valmora Gogo/ Kryeredaktore
Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)