“Rama jep dorëheqjen!”, janë thirrjet e protestuesve, kryesisht të rinj që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti. Me pankarta në duar kanë shprehur revoltën ndaj sistemit politik duke kërkuar “Shqipërinë e Re”. Por Rama është sulmuar edhe nga ish-funksionarë të PS-së. Arben Malaj, ish-ministër, i ka dalë kundër. “Dorëheqja e Ramës është një objektiv plotësisht i realizueshëm, sepse qeveria e tij, thjesht personale është e kalbur. Çdo gjë e kalbur bie!”, është shprehur ai.

Malaj ka përqafuar sloganin e protestuesve për “Shqipërinë e Re”, duke shkruar në rrjete sociale se kjo duhet të përcaktohet qartë edhe për mënyrën si do realizohet. “Protesta duhet të bëhet gati për të qenë konkurruese që në zgjedhjet e reja për pushtetin qendror, por sidomos për çdo opsion për zgjedhje parlamentare të parakohshme. Malaj parashikon një dorëheqje tinëzare të Ramës duke kërkuar një lëvizje të protestuesve që ai të mos rikthehet me më shumë agresivitet dhe hakmarrje primitive.

Malaj përmend Pranverën Arabe duke kujtuar se prej dështimit të saj duhen nxjerrë mësime duke bërë kujdes nga vetëkënaqësia dhe përçarja nga ata që i quan “dy vëllezërit siamezë” në politikën shqiptare. Ai nënvizon se: “Protesta duhet të bëhet gati për të qenë konkurruese që në zgjedhjet e reja për pushtetin qendror, por sidomos për çdo opsion për zgjedhje parlamentare të parakohshme”.

Drejtimi aktual i Partisë Socialiste është kritikuar edhe nga ish-ministrja socialiste, Ermelinda Meksi. Ajo ka reaguar publikisht në rrjete sociale pasi ish-deputeti I PS-së Petro Koçi e quajti ish-zv.kryeministren Belinda Balluku “themeluese të korrupsionit”. Meksi përkrahu qëndrimin e Koçit dhe shkruan se duhet reflektim për largimin e figurave të PS-së. Sipas saj kjo “Nuk duhet parë thjesht si një debat mes individësh, por si një sinjal për reflektim mbi drejtimin dhe transformimet e Partisë Socialiste ndër vite”.

Meksi shton se çështjet e ngritura në atë deklaratë meritojnë vëmendje më të gjerë, pasi lidhen me mënyrën se si partia ka evoluar në krahasim me parimet dhe frymën e viteve të saj të para.

“PS e fillimviteve ’90 u përpoq të fitonte besimin e shoqërisë përmes debatit të ideve, përfshirjes së intelektualëve, demokracisë së brendshme dhe hapjes ndaj mendimit ndryshe. Shumë prej nesh u angazhuam në PS pikërisht për këto vlera”, vëren Meksi, ndërsa e mbylli postimin me mesazhin: “Gëzuar 35-vjetorin, me urimin që PS të ruajë gjithmonë aftësinë për të dëgjuar, reflektuar dhe rinovuar veten!”. Kujtojmë se sot PS-në për qarkun e Fierit drejtohet nga Belinda Balluku, e cila është nën hetim nga SPAK-u.

Arta Dade, ish-ministre e Jashtme, ka refuzuar sot ftesën dhe medaljën e Edi Ramës për festën e 35-vjetorit të PS-së. Ajo i quan antimiting festimet e njoftuara nga vetë Rama në rrjete sociale. Sipas Dades socialistët e vërtetë, nuk gjenden në aktivitetet e organizuara nga lart, por në sheshin ku prej 13 ditësh po zhvillohet protesta e rinisë për dinjitet dhe të drejta sociale. Ajo shpreh kritika për funksionimin aktual të PS-së duke theksuar se është tjetërsuar në partinë që e akuzojnë për korrupsion, klientelizëm dhe arrogancë të pushtetit. Në fund Dade bën thirrje për rilindjen e së majtës me moral, integritet dhe afër qytetarëve, duke e mbyllur me shprehjen: “Ora e rikthimit ka trokitur”.

“Partia Socialiste nuk ka qenë kurrë partia e kundër-protestave të organizuara me administratë dhe presion. Ajo lindi si avangardë e ndryshimit dhe ka ditur të jetë edhe në vitet më pas, në krye të çdo kthese historike të vendit. Ai shesh që kërkon të mbushë sot zoti Rama nuk përfaqëson historinë e saj, por tjetërsimin e saj”, shkruan Dade.

Ajo i kujton Ramës se vendi i saj është aty ku ka qenë gjithmonë: “E di që sot flas në emër të çdo socialisti që nuk e ka shitur kujtesën. Socialistët e vërtetë kanë qenë në krye të përballjeve në vitet më të errëta të tranzicionit, në ’92, në ’94, në vitin tragjik ’97, dhe në atë 21 Janar të përgjakur që pasoi krimin shtetëror të Gërdecit. Kemi qenë aty përballë Sali Berishës dhe regjimit të tij.”

Dade e sfidon publikisht Ramën duke shkruajtur: “Refuzimi im i sotëm është ndaj tij dhe ndaj antimitingjeve të korrupsionit e të fasadës, të cilat i përkulen vetëm parasë e pushtetit, dhe harrojnë gjakun e derdhur në boulevard”.

Sipas saj Rama po përpiqet ta shesë revoltën e rinisë si një lëvizje destabilizuese, por e vërteta është krejt ndryshe. “Mbi të gjitha, kjo protestë nuk është kundër së majtës. Përkundrazi, ajo ka kërkesa thellësisht të majta dhe sociale, kërkesa për barazi, për mundësi, për mbrojtjen e atyre që kjo qeverisje i ka lënë pas dore. Ndaj ​kjo është një revoltë edhe kundër zaptimit të së majtës. Ajo që ndodhi me Partinë Demokratike në vitin ’90, kur Sali Berisha e ktheu atë në pronë private dhe zaptoi të djathtën, po përsëritet sot simetrikisht me Partinë Socialiste. Ky zaptim duhet të marrë fund”, shprehet Dade.

“Së fundmi, në trupin e kësaj partie janë rritur tumore të rrezikshme, korrupsioni galopant, klientelizmi dhe së fundmi arroganca e pushtetit absolut. ​Diferenca historike e PS-së ka qenë aftësia e saj për vetëkorrigjim. Socialistët e vërtetë janë vetëpastruar përmes vullnetit, idealeve dhe zërit kritik, jo përmes duartrokitjeve servile nëpër anti mitingje të rreme”, shton Dade.

Për të është zhgënjyese dhe e dhimbshmeqë të shihje në këtë “ndarje epokale”, siç shkruan ajo, disa ish-përfaqësues të Partisë Socialiste, njerëz me të cilët kemi ndarë beteja të vështira, që sot do rreshtohen në atë antimiting. “Të vjen vërtet keq për rënien e tyre morale. ​Është e trishtueshme të konstatosh se si këto figura që dikur kishin zë, sot pranojnë të përdoren si dekor, të nxitur nga interesa të vogla, meskine të çastit”. Komenti i saj mbyllet me shënimin: “Shqipëria ka sot nevojë për një të majtë të rilindur mbi idealet e saj fillestare. Ka nevojë për një shpallje platforme për të rikthyer shtëpinë ideologjike të së majtës te njerëzit. Ka nevojë për një organizatë politike me moral, me integritet dhe me sytë nga populli, jo nga xhepat. Ora e këtij rikthimi ka trokitur!”

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 12
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11