
Është e habitshme se si edhe pas 20 e ca vitesh në pushtet, Edi Rama na befason me asin poshtë mëngës së xhaketës ngjyra-ngjyra. Idem si ajo e kllounit në një cirk ku gajasën kalamaqtë.
Mbase ne të mediave, që shkruajmë nga zyrat e komentojmë lëvizjet e kreatorit të cirkut (që tani është shndërruar në creator digjital me thënë të drejtën), nuk kemi goditur në shenjë kur kemi komentuar qindra profesionet e kryeministrit të Shqipërisë. E kemi bërë piktor, e kemi bërë gazetar, e kemi bërë publicist, e kemi bërë shkrues fjalimesh brilante, e kemi bërë basketbollist, e kemi bërë burrë shteti (po, po, edhe burrë shteti. Madje karakteristikat e burrit të shtetit sipas limonatave të vitit 2025-2026 janë: mjekër e gjatë e bardhë, flokë të bardhë, pantallona të gjera, po sidomos xhaketa të gjata që imitojnë stilin e Ismail Qemalit).

Në fakt në fakt, profesioni që i shkon më për shtat është ai i prestigjatorit. Vetëm se në këtë rast ky profesion shkrihet llahtarshëm me pronarin e cirkut (këtu me cirk nënkupto gjithë ç’qëndron mbi këmbët tona, toka e Shqipërisë).
Po pse jemi kaq të poshtër ne gazetarët dhe kemi mahninë të komentojmë karakterin dhe sjelljet e kryeministrit tonë? Pse nuk i shikojmë punën po gunën? Do pyeste ndonjë socialist i devotshëm që është futur rishtazi në rrethin e influencës së Ramës (të dhënat nga terreni janë se shumë eksponentë të PS-së fërkonin duart me “gjëmën” që i ndodhi Belinda Ballukut e po I luteshin Zotit ta pësonte sa më shpejt).
Një skenar që nuk parashikohej fiks kështu
Edhe pse ka qenë krejtësisht i qartë pushteti i Belinda Ballukut brenda PS-së, ne nga jashtë prisnim dy vendime të Ramës:
- Do të vazhdonte piruetat për ta mbrojtur Ballukun. Me fjalime, me ndryshime ligjesh, me forcën e kartonit në kuvend etj. etj.
- Do ta dorëzonte Ballukun në duart e SPAK-ut.
Iu lidhën duart në fakt kohët e fundit me ndërhyrje nga ndërkombëtarët, një presion që mbase në rrugë jo dhe kaq publike mund të ketë qenë edhe më i fortë.
Por pasi e stërholloi e stërholloi, fiks në momentin kur mori vendimin ta lëshonte, vrau edhe “motrën-ujkonjë” të Ballukut, Elisa Spiropalin. Nuk është ende e qartë nëse e “vrau” i shtyrë nga vetja apo kryesisht nga Balluku. Pas lëshimit të të dyjave e blindoi qeverinë me më shumë influencë se më parë të po Ballukut.
Se sa do mbajë ky skenar nuk dihet por ama efekti i befasisë u duk që dje. Demokratët u gjendën pak si “peshku pa ujë” në reagimet e tyre dhe lëshimi i Ballukut nuk erdhi i plotë për ta (ndiq edhe Çim Pekën në qëndrimet e tij, një nga eksponentët mediatikë kryesorë të Berishës). Madje teza e një “arresti shtëpie” për zonjën Balluku po vjen më shqetësuese se qëndrimi në qeveri.
“Koka e tij është afër gijotinës”
Saimir Tahiri, Erion Veliaj e eksponentë të tjerë më me pak peshë brenda PS-së që kanë rënë në duart e drejtësisë kanë qenë mjaftueshëm të justifikueshëm për “dardhat pas shpine” të kryeministrit Rama. A mund të justifikohej edhe dyshimi se Balluku është e korruptuar?!
Përkundër thashethemnajës se Balluku e ka kërcënuar shefin e saj me video, dëshmi, punë të përbashkëta etj. që mos ta lëshonte, në pikëpamje të kostove politike të një “puritani” si Rama, kjo punë nuk mund të shtyhej më. Po u lave në lumë me një gur të rëndë mbi shpinë, gjasat janë që të fundosesh.
Mirëpo në anën tjetër, Ramës i kanë mbaruar “kokat e turkut” dhe kur të mbarojnë asat nën mëngët me ngjyra, publiku (në këtë rast referoju publikut si ndërkombëtarët se një pjese prej nesh në këtë katundin tonë na kanë bërë shiringën e gjumit) të sheh për atë që je: një prestigjator ekzotik që nesër mund të sjellë dëme që vështirë se mund të mbyllen dhe për këtë ia vë drynin cirkut tënd.
Pyetje qesharake në thelb, por le ta bëjmë: “Po me këta ministra të rinj, a do bëjë shtet Edi Rama?!”
Interesi kryesor i Ramës? T’i rrojë sa malet në krye të PD-së Sali Berisha
Mjafton të mendosh se nëse kjo që ka ndodhur në Shqipëri me numrin 2 të qeverisë do ndodhte diku në rajon, nuk po avitemi nëpër Europë, qeveria do kishte rënë nga forca e opozitës.
Problemi është se dhe opozita është në cirkun e saj. Edhe pse opozita lufton me armë të tipit “Shihni, prestigjatori i nxjerr nga mëngët kartat, nuk i shpik”, sërish cirku mbetet cirk.
Po pse cirku i Berishës është shumë i rëndësishëm për cirkun e Ramës? Sepse përkundër cirkut me ngjyra e forma të Ramës, cirku i Berishës është pa ngjyra, me pak publik, pa licencë thuajse ky cirk nga ata që japin licencat (Amerikanët dhe një pjesë e europianëve e kanë ende NonGrata aspiruesin për kryeministër të vendit), thuhen më pak gënjeshtra po të vërtetat nuk i tërheqin njerëzit.
Pikërisht pra, ky lexim krahasues i duhet Ramës. Që cirku i tij të shndërrijë përballë cirkut të fikur të Berishës. “Oh Zot, ma mbaj sa malet Berishën në krye të PD-së”, duhet të jetë lutja e përditshme e kryeministrit tonë.
“Ngopet me lugë bosh”, thotë populli ynë kur do të përshkruajë njerëzit që mashtrojnë veten. Por kryeministri ynë Edi Rama do thjesht të fitojë kohë. Edhe pak, edhe pak më shumë. Edhe ca, edhe ca më shumë. Edhe pak, edhe pak më shumë kontroll.

Psikiatri Neli Demi më tha njëherë se nuk është pushteti që i ndryshon njerëzit, por pushteti u nxjerr në pah karakteristikat më të forta të personalitetit të tyre. Aty ata kanë mundësi të jenë vetvetja sepse kanë gjithë kontrollin. Dhe nëse janë në thelb kontrollues, fiks aty do e nxjerrin, nëse lakmojnë para, po, pikërisht do lakmojnë, nëse janë njerëz që kurrë nuk kanë mbajtur përgjegjësi në jetën e tyre por deri diku kanë lujtuar me fasadën si njerëz të përgjegjshëm, ah, ç’moment i artë u ka ardhur për të qenë të papërgjegjshmit e pandregjshëm. Askush nuk i ndal dot.
Për mbyllje: Kryeministri ynë e ka patur ëndërr të sundojë publikisht si lider i rajonit. Madje ne në media e quajmë shpesh edhe “lideri global”. Mania e tij për tu bërë i famshëm e ka ekspozuar në mjedise më të egra cirqesh. Ka dalë në Europë e në Amerikë. Çështja është se aty ka cirqe më të bukur, me drita që vezullojnë gjatë dhe shumë, me prestigjatorë më të zotë, me konkurrencë më të lartë por mbi të gjitha janë këto cirqe që vendosin rregullat. Po te këto cirqe kanë dhe matës performance të parave që paguan publiku per biletat.
Nuk e di nëse Rama do çajë dot. “Fake it, till you make it”, thonë anglishtfolësit.



