Përtej Tabanocit, pikës që shenjon ndarjen kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, pak minuta larg, jetojnë mijëra shqiptarë.

Lugina e Preshevës, që mban tre kryeqendrat; Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën bashkë me fshatrat përreth, arrihet shpejt. Shqiptarët e Kumanovës lëvizin shpesh në këtë itinerar, por po ashtu shqiptarët e luginës që vijnë drejt Shqipërisë apo që shkojnë drejt Kosovës.

Në luginë ndjehesh si në Shqipëri, si në Kosovë, e si mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Valëvitet flamuri shqiptar në institucione me raste festash, flitet shumë bukur gjuha shqipe, një nga ato konstatime që ua kemi bërë shpesh kolegëve tanë në Tiranë që vijnë për shkollim nga lugina, dëgjohen e shihen kanalet shqiptare e jo me shumë gëzim gjen të njëjtat probleme: një gjendje të rënduar ekonomike, lëvizje, mungesë të ndihmës e mbajtje e frymëve me emigracion.

Situata ka një ngërc, i cili me sa po kuptohet po tentohet të zgjidhet nga bashkimi i përfaqësuesve shqiptarë të luginës, të cilët kanë në Parlamentin Serb 3 deputetë, të cilët kanë ndërmarrë vetëm një veprim: Kushtëzim i presidentit serb Aleksandër Vuçiç për një ministri të drejtuar nga shqiptarët dhe poste të tjera. Plani B, siç e quante kreu i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, pas planit A, ai i idesë së shkëmbimeve të territoreve me Kosovën që më shumë do të mbetet një debat i hedhur në hapësirën publike se sa i vënë ndonjëherë në zbatim.

Po çfarë mendojnë përfaqësuesit e tjerë të Luginës?

Bashkimi i përfaqësuesve politikë i dha efektet edhe te dakordësia, me nxitje edhe të Tiranës zyrtare, për zgjedhjen e kreut të Komunës së Bujanocit, Nagip Arifin.

Në luginë nga partitë kryesore: Partia për Veprim Demokratik (PVD), Alternativa për Ndryshime, Partia Demokratike, Lëvizja për Progres Demokratik (LPD) dhe Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare kanë dalë deputetët Shaip Kamberi (PVD), Argjend Bajrami (APN) dhe Nadije Beqiri (PD).

Tri pyetjeve mbi idenë e shkëmbimit të territoreve dhe kushtet vënë Vuçiçit, gjendjen aktuale të shqiptarëve në luginë dhe interpretimin mbi mbështetjen e Shqipërisë dhe Kosovës u përgjigjen Shaip Kamberi, deputet në Parlamentin Serb, Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe dy analistët e Bujanocit dhe Preshevës, Nexhat Behluli dhe Valon Arifi.

Syri i analistëve

“Lugina e Preshevës po vdes në heshtje”, kështu shprehet Nexhat Behluli, analist nga Bujanoci kur pyetet mbi gjendjen e shqiptarëve në luginë, teksa shtjellon se kurrë më parë nuk ka qenë më e vështirë. “Kemi migrim enormë, rinia braktis vendin drejt BE-së sepse këtu nuk kanë asnjë perspektivë dhe shpresë për t’u punësuar ndonjëherë ndërsa shteti serb në kontinuitet bën pasivizimin e vendqëndrimit të popullatës duke e ulur numrin e banorëve sikur që tash më ka ndodhur pastrimi etnik në Medvegjë dhe atje sot nuk jetojnë më shumë se 500 shqiptarë nga më shumë se 10 mijë që jetonin para luftës, Lugina e Preshevës po vdes në heshtje”, tregon me shqetësim Behluli.

                                                             Analisti nga Bujanoci, Nexhat Behluli

Sipas tij integrimi i shqiptarëve në Serbi është penguar me masa të ndryshme nga shteti serb gjatë 20 viteve të fundit. “…prandaj edhe këta 3 deputetë popullorë shqiptarë në parlamentin serb që dolën nga zgjedhjet e 21 qershorit janë vetëm dekor ose sa për t’i përfituar 3 paga mujore, ne edhe më parë i kishim nga 2 deputetë popullorë në parlamentin serb por kurrë asnjë kërkesë e jona nuk ka kaluar nga shumica absolute serbe.”, argumenton analisti.

Por nga ana tjetër as Shqipëria e as Kosova nuk janë në nivel përkushtimi sipas tij.  “Shqipëria dhe Kosova nuk janë në nivel përkushtimi ndaj këtyre trojeve etnike, përvec vizitave simbolike të herëpashershme që i realizojnë zyrtarë të ndryshëm shtetërorë dhe ndonjë ndihmë minore rreth projekteve infrastrukturore. Asnjë ndihmë tjetër konkrete madhore nuk kemi. Shqipëria dhe Kosova urgjentisht duhen të përpilojnë një strategji afatgjatë dhe qëndrimin e shqiptarëve në luginë ta shpallin interes kombëtar, përndryshe Lugina e Preshevës më së voni brenda 10 viteve të ardhshme do të shuhet prandaj shpejt duhet të reagohet.”, thekson analisti Behluli.

Por analisti nga Presheva, Valon Arifi, shkon edhe më tej kur thotë se lugina është përdorur politikisht nga liderët politikë të Kosovës dhe Shqipërisë. “…e kanë përdorur politikisht goxha shumë Preshevën liderët politikë të Kosovës e Shqipërisë e gjithherë për konsum të brendshëm atje, se sa që realisht kanë ndërmarrë ndonjë veprim apo nismë pozitive për shqiptarët jashtë kufijve të Kosovës e Shqipërisë në përgjithësi e Luginës në veçanti.”, shprehet Arifi.

                                                                                                   Analisti nga Presheva, Valon Arifi

Mirëpo analisti e veçon ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, që sipas tij po funksionon ndryshe në raport me shqiptarët jashtë kufijve por po ashtu edhe çështjen e librave shqip.

Në raport me shtetin serb Arifi mendon se shqiptarët nuk përbëjnë ndonjë problem. “Shqiptarët e Luginës nuk paraqesin problem për Serbinë e as qeverinë serbe. Me tre deputetë në parlamenin serb presidenti Vuçiç edhe mund t’u ofrojë ndonjë pozitë politike në qeverisjen qëndrore, kjo s’përbën problem për ta, përkundrazi është në favor të “Serbisë Demokratike” e sidomos në këto kohë kur opozita serbe bojkotoi zgjedhjet e aktivistët e ndryshëm politikë e qytetarët në Serbi protestojnë”, komenton Arifi.

Pyetjet se cila është gjendja aktuale e shqiptarëve në luginë Arifi i përgjigjet me fjalinë se nuk dallon shumë nga situata e përgjithshme e shqiptarëve kudo ku jetojnë dhe e bashkëqytetarëve serbë në Preshevë.

“Me politikanë të korruptuar skajshmërisht, shëndetësi e arsim të degraduar totalisht, një shoqëri në depresion kolektiv, sic do e kisha quajt shoqërinë tonë në hapësirat panshqiptare, nuk është se shqiptari në luginë do jetë ndryshe nga të tjerët. Jemi Një edhe në këtë drejtim”, e mbyll idenë analisti Arifi.

                                                                                             Librat shqip, Komuna e Preshevës

Eksponentët politikë

Pas interpretimit të analistëve, nuk hezitojnë të japin interpretimin e tyre vetë politikanët e luginës.

Shaip Kamberi, deputet në parlamentin serb, ish-kreu i Komunës së Bujanocit thotë se është Kosova ajo që duhet të përcaktojë agjendën në bisedimet me Serbinë. “Nuk mundemi ne të imponojmë agjenda. Ajo që ne kërkojmë si një minimum politik është vendosja e reciprocitetit në të drejta, me të drejtat që Kosova i garanton serbëve brenda territorit të vet.

Në takimin, që, para disa ditëve, patëm me presidentin serb, ne shprehëm kërkesën për të filluar bisedimet për Planin shtatë pikësh, një dokument politik i partive politike shqiptare që ka për qëllim ndërmarrjen e masave emergjente për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve. Në rast të një përgjigje pozitive, ne mund të shqyrtojmë mundësinë për t’u bërë pjesë aktive e qeverisë.

Deri në këto momente nuk kemi kurrëfarë sinjali se a do të plotësohet apo jo kërkesa jonë. Në rast refuzimi, roli i deputetëve shqiptarë do të mbetet opozitar.”, rrëfen Kamberi.

                          Deputeti Shaip Kamberi

Ndërhyrja e Prishtinës dhe Tiranës duhet të jetë e menjëhershme sipas Kamberit. “Shqiptarët e Luginës së Preshevës, me të drejtë, kanë pritje të mëdha nga dy shtetet, pritje që në periudhën e shkuar nuk janë përmbushur. Dhe sipas zakonit të pashkruar kur pritjet e mëdha nuk përmbushen edhe zhgënjimet bëhen të mëdha.

Megjithatë në periudhën e fundit kemi një ndryshime kualitativ në qasjen e Prishtinës dhe Tiranës. Së pari Prishtina ndau 500 mijë euro për komunat tona, për të luftuar pasojat e Covid 19, ndërkohë që Tirana me një projekt politik arriti të ndikojë të partitë shqiptare për pjesmarrje të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, dhe vazhdoi pe ndërmjetësimin e ndërtimit të një koalicioni shqiptar për Bujanoc.

Këto janë angazhime të drejtpërdrejta, por, që duhen të shoqërohen edhe me projekte të tjera konkrete që duhen financuar. Ndërtimi i një Fondi të përbashkët për Luginën.”, thekson deputeti shqiptar në parlamentin serb.

Qendra e Bujanocit

Ndërsa Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në luginë ka një qasje më shpresëdhënëse sa i përket angazhimit të Shqipërisë në luginë.

Për dallim nga e kaluara edhe Kosova, por edhe Shqipëria përmes Ministrave Gent Cakaj dhe Besa Shahini, kanë hapur shtigje të reja politike të mbështetjes së shqiptarëve të Luginës përmes një diplomacie shumë proaktive. Kosova për herë të parë ka ndarë gjysmë milioni euro për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ndërkaq marrja përsipër e financimit të rregullt të KKSH-së nga MEPJ, mbështetja për qendrën multifunksionale, diplomaci aktive për Luginën si dhe një sërë masash sa konkrete po aq programore janë padyshim kontribut i jashtëzakonshëm i ministrit Cakaj. Sikur edhe angazhimet e Ministres Shahini në sigurimin e teksteve mësimore për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës nga Republika e Shqipërisë që janë të palejuara nga Republika e Serbisë. Kjo edhe ka dhënë rezultate fillestare, por që duhen strukturuar në një strategji të përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës për një qasje të unifikuar ndaj Luginës së Preshevës.”- shprehet Mustafa.

Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në luginë

Këshilli Kombëtar Shqiptar, argumentuar nga Mustafa, ka adresuar të gjitha shqetësimet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. “Padyshim qasja jo fleksibile në trajtimin e numrit të pjesëtarëve të komunitetit shqiptar; pasivizimi i vendbanimeve të shqiptarëve; mungesa e përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip në institucionet shtetërore; mospërfshirja e shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore; mungesa e teksteve mësimore për shkollat fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe; mosnjohja e diplomave të shqiptarëve të përfituara jashtë vendit (KOS, ALB, NMK); pamundësia për të siguruar funksionimin e mediave nga shteti; pamundësinë për të siguruar fonde të mjaftueshme në mbrojtjen dhe kultivimin e identitetit e kulturës… Ekonomia e shqiptarëve të Luginës ës Preshevës varet nga dy faktorë: tregtia dhe diaspora të cilat janë goditur rëndë nga pandemia Covid-19. Për shkak të mbylljes së kufijve dhe pasigurisë me emergjencën shëndetësore frikoj se do zhytemi edhe në një geto ekonomike.”, thekson Mustafa.

75 mijë shqiptarë – debatet mbi numrin

Problematike mbetet përditësimi i të dhënave mbi numrin e shqiptarëve në vitet e fundit në luginë. Sipas një analize të Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë në luginë realizuar më vitin 1991 ishte bojkotuar nga shqiptarët në Kosovë; si dhe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Vlerësimet për numrin e shqiptarëve ishin nxjerrë nga regjistrimi i vitit 1981. Sipas këtyre vlerësimeve, në komunën e Bujanocit ishin 49.238 banorë, prej tyre 60 % shqiptarë (29.588), 30% serbë (14.660) dhe më pak se 9% romë (4.408). Ishte vlerësuar se në komunën e Preshevës jetonin 38.943 banorë, prej të cilëve rreth 90% shqiptarë (34.992), 8% serbë (3.206) dhe 1.29% romë (505). Enti Federativ për Statistikë nuk i kishte publikuar vlerësimet për komunën e Medvegjës, por vetëm rezultatet e regjistrimit sipas të cilave në këtë komunë ishin 13.368 banorë, prej të cilëve 9.205 serbë dhe malazezë, ndërkaq 3.832 shqiptarë.

Regjistrimi i parë i popullsisë, në të cilin ka marrë pjesë edhe komuniteti shqiptar në Luginë të Preshevës është regjistrimi i vitit 2002, ndërsa një regjistrim i papranuar nga shqiptarët mbetet ai i vitit 2011.

Ministria për Administratë Shtetërore dhe Vetadministrim lokal, në bashkëpunim me deputetët popullorë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe me përfaqësuesit e këtyre komunave; në takimin e kryesuar nga OSBE në qershor 2015 janë pajtuar rreth metodologjisë me të cilën është vlerësuar numri i banorëve në Luginë të Preshevës.

Të dhënat e tyre sollën këto vlerësime të numrit të banorëve: Presheva 29.600, Bujanoci 38.300, Medvegja 7.400.

Mjediset e Komunës së Preshevës

Valmora Gogo/ Kryeredaktore
Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)