Që pas përcaktimit Non Grata dhe presioneve ndaj ish-kreut të PD-së Lulzim Basha për përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar demokrat, mbështetësit publikë të Berishës e kanë anatemuar gjerësisht në rrjetet sociale ambasadoren amerikane Yuri Kim.

Siç ndodh rëndom, edhe pse vendimi kundër Berishës merrej nga Departamenti Amerikan i Shtetit, sulmet u përqendruan kryesisht te një përfaqësuese e vetme e politikës amerikane në Tiranë, ambasadorja Yuri Kim.

Sulme ndaj saj, kundërshti, deri edhe te ofendime, emërtime pezhorative e gjuhë urrejtje u derdhën në profilet e rrjeteve sociale të zonjës Kim, profilit të ambasadës në Tiranë, deri edhe te vetë profili i ish – kryeministrit Berisha.

Megjithatë sulmi ndaj zonjës Kim ka arritur kësaj here në një nivel tjetër. Komentuesit virtualë kanë krijuar e po firmosin një peticion online kundër ambasadores te “change.org”.

Milaim Nela, një mbështetës i hershëm i Berishës ka menduar ta emërtojë peticionin “Ambasadorja Kim, Mjaft është Mjaft!”, ndërsa sjellja e zonjës Kim cilësohet si jodiplomatike, duke përdorur të njëjtën gjuhë që amerikanët përdorën kundër Berishës si “minues i demokracisë”, teksa kërkohet që ajo të mos ndërhyjë më në sistemin e drejtësisë dhe punët e brendshme të Shqipërisë.

“Intimidimi i vazhdueshëm ndaj forcave opozitare, ndërhyrja në procesin e tyre të votimeve të brendshme apo trysnia që i bëhet drejtësisë nga Znj. Kim janë shumë shqetësuese pasi minojnë demokracinë dhe rrezikojnë stabilitetin e vendit…Për këtë arsye, i bëjmë thirrje çdo shqiptari të ndershëm brenda dhe jashtë Shqipërisë që mendon se rruga drejt demokracisë nuk kalon nga makinacionet e intrigat por vetëm nëpërmjet votës së lirë dhe verdiktit të shumicës të na bashkohet në reagimin qytetar për dinjitet duke firmosur peticionin.”, shkruhet në të.

Peticioni i drejtohet Departamentit Amerikan të Shtetit, duke i kërkuar që ky institucion nga i cili varet zonja Kim, ta detyrojë këtë të fundit për t’iu përmbajtur pozicionit të saj diplomatik dhe “të ndalojë menjëherë ndërhyrjet brutale në politikën e brendshme dhe institucionet shqiptare!”.

Peticioni ka arritur deri më tani në mbi 4500 firma, ndërsa vazhdon dhe firmoset minutë pas minute.

Me peticionin, duke e firmosur, ka rënë dakord edhe ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani por politikanë si Dashamir Shehi shprehen se është një nismë e gabuar, së cilës nuk do i bashkohen.

“Kam bindje të plotë se sjellja e zonjës Kim është ligjërisht e papranueshme, qoftë kjo edhe me leje të DASH-it.  Pse nuk u dashka thënë kjo gjë?! Pse nuk u dasha shprehur një papajtueshmëri e tillë?!”, shkruan Manjani.

“Berisha e ka këtë konflikt me Amerikën se e ka shpallur Non Grata dje, ka të drejtën e vet. Por opozita shqiptare nuk duhet të jetë entuziaste me këtë rrugë, ne e kemi betejën me Ramën. Unë e kuptoj që ambasadorja mund të mos jetë personazhi më i dashur, por kjo është. Kjo është një tezë pa vlerë. Do i thoja kolegëve të mi opozitarë ta shohin pak me qetësi, të shohim çikë dhe te vetja, ne nuk paskemi faj fare, ata matanë na e kanë fajin?! Ku kemi gabuar ne, ku si kemi pëlqyer SHBA-ve?”, komentoi Shehi për “ABC News”.

Natyrisht peticioni online ka rënë edhe në gojën e socialistëve. “Fletërrufe në kohën e diktaturës”, e ka cilësuar atë ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, zonja Elisa Spiropali.

Këto janë qesharake tani. Këto janë niveli i dobët shumë. Peticioni nuk është ngjarje po është një pasojë qesharake e një lufte të kotë. Është dëshpëruese se sa e kotë është kjo dhe se sa e trishtueshme është në dëshpërimin e vet të them të drejtën. Nuk mund të luftosh me mullinjtë e erës, nuk mund që për interesat e një njeriu ta bësh politikën e një partie të tërë kaq qesharake. S’di ç’të them tjetër. Këto janë si ato fletërrufetë që niseshin nga Çerma e nga Barmashi, fshati i gjyshit tim.”, ka komentuar ajo te “Të paekspozuarit” në “MCN TV”.

Përtej raportimeve qesëndisëse të medieve afër qeverisë mbi kotësinë e peticionit, personazhe të tjerë publikë si Kreshnik Spahiu kanë shkuar deri aty sa ta shohin këtë nismë si të lidhur edhe me rusët.

Prej thuajse një viti, ish-kryeministri Sali Berisha është futur në një luftë të ashpër kundër ambasadores amerikane Kim, duke e quajtur deri edhe “guvernatore” të Shqipërisë, megjithatë është hera e parë që gjatë luftës së tyre ndodh një organizim i tillë virtual.

Po ç’paska ndodhur kaq keq që komentuesit kanë përforcuar “llogoren”? Ç’qenka kaq e papranueshme për ta në këto kohë kur në selinë e Partisë Demokratike është pozicionuar me tavolinë e karrige tashmë Sali Berisha, ndërsa ka arritur që edhe ish-kryetarin Basha ta detyrojë të dorëhiqet?!

Në fakt, një betejë e re Berisha-Kim ka nisur të ngrejë kokë, e shpërfaqur deri në komente nga ana e zonjës Kim pas shtytjes nervoze që Berisha i bëri Enkelejd Alibeajt në foltoren e kuvendit. Kjo betejë e re brenda luftës së madhe Berisha-Kim ka të bëjë me të ardhmen e drejtimit të Partisë Demokratike.

Edhe pse Berisha arriti të tregojë në terren mbështetjen që ka, duke fituar Bashkinë e Shkodrës dhe duke kryesuar në të tjerat në raport me Bashën, sërish ai gjendet në një situatë të re ligjore.

Gjykata ka vendosur të njohë Alibeajn si palë ankimuese në çështjen për njohjen e statutit të Kuvendit demokrat të 11 Dhjetorit duke marrë dhe çështjen në shqyrtim.

Fill pas këtij zhvillimi Berisha e akuzoi Kimin se po ndërhyn në çështjen për PD-në pranë Gjykatës së Apelit. Ai komentoi vendimin e gjyqtares së Tiranës Blerina Muça, e cila pranoi të shqyrtonte ankimimin e Alibeajt ndaj vendimit të kolegut të saj, Agron Zhukri, i cili njohu aktet e Kuvendit Kombëtar të 11 Dhjetorit duke thënë se gjyqtarja ka qenë nën presion. Sipas ish-kryeministrit, ambasadorja amerikane Yuri Kim ka ndërhyrë në procesin gjyqësor.

“Nuk besoj se ka patur një shkelje më të rëndë mbi vlerat e lirisë mbi të cilat qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e lira. Nuk besoj kurrë se ky është një orientim, është një parim i vendit të saj të madh të lirisë. Ky është një akt individual mbi të cilin ne do informojmë me hollësi autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”, reagoi Berisha.

Por i menjëhershëm qe ndaj Berishës reagimi i ambasadores Kim, duke thënë se ka inkurajuar gjyqtarët dhe prokurorët të bëjnë punën e tyre pavarësisht kërcënimeve.

“Nëse ‘ndërhyrja në procesin gjyqësor’ nënkupton inkurajimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që të bëjnë punën e tyre pavarësisht kërcënimeve apo nxitjeve, duke e bërë të qartë që SHBA do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri, duke nënvizuar se askush nuk është mbi ligjin, dhe duke kërkuar që të gjithë ne duhet të bëjmë pjesën tonë për të luftuar kundër korrupsionit dhe mosndëshkimit, atëherë PO, SHBA ka bërë dhe do të vazhdojë ta bëjë pikërisht këtë – sepse lufta kundër korrupsionit dhe përpjekjet për të minuar demokracinë përbëjnë një interes thelbësor të sigurisë kombëtare të SHBA-së.”, komentoi ambasadorja Kim.

Në fakt, peticioni online që ka në përmbajtje të njëjtën kërkesë publike që Sali Berisha bëri ndaj DASH-it pak ditë më parë, po tenton që të maksimalizojë perceptimin publik se çështja e “Non Gratës” së Berishës nuk është dhe aq një problem mes tij dhe SHBA-ve por ka të bëjë më shumë me një luftë personale mes tij dhe të dërguarës së SHBA-ve, Yuri Kimit. Kjo e fundit sipas Berishës po intimidon drejtësinë shqiptare.

Nuk dihet se çfarë vendimi do të merret nga gjykata lidhur me drejtimin e Partisë Demokratike por një gjë është shumë e qartë. Berisha po lufton me të gjitha armët. Minimalisht duke krijuar pretekste edhe për betejat që do të vijnë.

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)