
Një nga makthet e gazetarit shqiptar është të presë përgjigje nga institucionet shqiptare për pyetjet që u ka drejtuar.
Përvoja tregon se përfaqësuesit e institucioneve shqiptare jo vetëm krijojnë vonesa të panevojshme por edhe japin përgjigje “pa përgjigje”, me mungesën e informacionit që kërkohet nga gazetarët për interesin e “padronit” të tyre, publikut.
Një raport monitorimi i Qendrës “Res Publica” për funksionimin e të drejtës së informimit në Shqipëri tregon se edhe për vitin 2021 institucionet publike nuk iu përgjigjen kërkesave për informacion sidomos kur informacioni që kërkohej prekte çështje sensitive, që në fakt përbëjnë edhe pjesën më me interes për gazetarët investigativë.
Raporti nxjerr po ashtu se institucionet më problematike në dhënien e informacionit ndaj gazetarëve dhe qytetarëve në përgjithësi janë organet e pushtetit vendor dhe drejtoritë e varësisë së pushtetit qendror, ndërsa pak më mirë janë institucionet kushtetuese dhe të pavarura dhe organet e drejtësisë. Kohëzgjatja mesatare e përgjigjeve nga institucionet ka qenë 27 ditë.
Çfarë ka ndodhur me ankesat kur institucionet nuk kanë dhënë përgjigje ose kanë dhënë përgjigje pa përgjigjet e kërkuara?
“Res Publica” del në përfundimin se Komisioneri ka marrë vendim vetëm për 4% të ankesave, nga të cilat është respektuar afati në 23% të rasteve dhe janë vendosur gjoba vetëm në 5 % të rasteve. Kur informacioni refuzohej në mënyrë të shprehur nga institucionet argumentohej se mosdhënia e infomacionit është bërë për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale, konfidencialitetit apo të drejtës tregtare. Në këto raste Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk ka vepruar me nxjerrje vendimi. Por kur çështjet janë ndjekur gjyqësisht, ka rezultuar se këto argumente janë rrëzuar nga gjykatat dhe gazetarët kanë fituar të drejtën për marrjen e informacionit në masën dërrmuese të rasteve.
Të gjitha këto janë disa të dhëna që tregojnë edhe me numra situatën se ku gjendet publiku shqiptar, të cilit i nxirren nga dita në ditë pengesa për të përfituar të drejtën e tij të informimit.
Por a ka përpjekje për të luftuar që e drejta të çohet në vendin që i takon? A po luftohet edhe këtë herë në tym, si Don Kishoti me “mullinjtë e erës”?
Krijimi i Agjencisë për Media dhe Informim qe formalizimi ligjor i asaj që ndodhte de facto prej kohësh: kontrolli i informacionit nga qendra.
Mirëpo duket se Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka nisur të kundërveprojë, duke propozuar një draft ligjor për disa ndryshime në Ligjin për të Drejtën e Informimit.
Një nga ndryshimet me interes për përdoruesit e ligjit për të drejtën e informimit është propozimi që vendimi i Komisionerit në rast të ankimit për refuzim informacioni të jetë titull ekzekutiv. Kjo do të shtojë mundësitë e gazetarëve dhe përdoruesve të tjerë të ligjit të ekzekutojnë shpejt përmes shërbimit përmbarimor vendimet pozitive të Komisionerit, me shpresën se informacioni do të sigurohet.
Këto rekomandime i kanë shkuar Ministrisë së Drejtësisë ku gjendet aktualisht draftligji për mendim, nga një numër organizatash të shoqërisë civile, të cilat janë të interesuara për ndryshime të tjera ligjore.
Një pikë tjetër që kundërshtohet në draftin e propozuar nga Komisioneri është heqja e vendimeve gjyqësore dhe të prokurorisë nga fusha e veprimtarisë së ligjit aktual. Kjo duket se shihet si regres pasi heq mundësinë, të paktën teorike, të sigurimit nga gazetarët të këtyre vendimeve.
Ditë më parë Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ishte në kuvend, ku si rregull duhej të përgjigjej për punën që ka kryer. Por vëmendja e deputetëve qe te projekti i ri i qeverisë Rama për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Komisioneri për shembull ka nxjerrë 40 vendime, një numër i vogël krahasuar me rreth 1 mijë ankesa nga gazetarë e qytetarë.
Në 3 maj, Ditën e Lirisë së Shtypit një sërë personazhesh publikë u artikuluan për problemet që ka Shqipëria por po ashtu vëmendjen e mori raporti i “Reporterë pa kufij” që e shfaqte lirinë e medieve në vend edhe më shumë problematike si dhe kundërshtimi që i bënte atij kryeministrit Edi Rama.
Polarizimi i komenteve, disa me qendër qeverinë e disa me qendër aksionerët mediatikë duket se e bëjnë më së miri efektin e mpirjes së publikut në të kuptuarit se ku çalon mungesa e informimit të plotë të tij.
A kanë nevojë gazetarët për raporte organizatash që financohen për projekte ku flitet për lirinë e medies për të kuptuar situatën se ku punojnë? Ajo të përplaset çdo ditë të punës, teksa u drejtohesh institucioneve për informacion.