
Së fundmi në Moldavi u zhvilluan zgjedhjet vendore, ku presidentja aktuale pro evropiane Maia Sandu arriti të fitonte shumicën e votave, por nuk ja doli të fitojë më shumë se 50%, rezultat i cili vendos që zgjedhjet të kalojnë në raundin e dytë, i cili është planifikuar të mbahet më 3 nëntor. Sandu arriti të fitonte 36.1% të votave, ndërsa kandidati pro rus Aleksandër Stoianoglo, 10.1% dhe Renato Usatii vetëm 7.5%.
Zgjedhjet në Moldavi u karakterizuan nga tensione dhe akuza për ndërhyrje ruse. Vetë qeveria moldave akuzoi Rusinë për përpjekje të vazhdueshme për të destabilizuar vendin, përfshirë ndihmën financiare ndaj partive pro-ruse dhe përpjekjeve për të ndikuar deri tek votuesit. Gjatë rezultatit të votimit, presidentja Sandu tha përmes një deklarate se votimet ishin nën një sulm të paprecedent nga grupet kriminale, që tentuan të blinin qindra mijëra vota, në përpjekje për të minuar procesin demokratik.

“Moldavia, sot, por edhe në muajt e fundit është përballur me sulm të paprecedent ndaj lirisë dhe demokracisë. Grupet kriminale që punojnë me fuqitë e huaja kanë sulmuar shtetin tonë me dhjetëra miliona euro, gënjeshtra dhe propagandë, për ta mbajtur shtetin tonë të bllokuar në paqartësi dhe paqëndrueshmëri. Dëshmi të qarta kanë treguar se grupet kriminale kanë tentuar të blejnë deri në 300.000 vota”- tha ajo përmes një deklarate. Ndërsa politikani moldav pro rus Ilan Shor, tha se do të paguante para për të bindur sa më shumë njerëz të jetë e mundur të votojnë kundër ose të abstenojnë në referendumin e BE-së. Gjithashtu ai publikoi një video duke u thënë njerëzve të votojnë për “këdo përveç Sandu” në zgjedhjet presidenciale.
Në një artikull dedikuar zgjedhjeve në Moldavi, media “BBC News” zbuloi prova të blerjes së votave në një qendër votimi për banorët e rajonit të Transnistrias, rajon i cili mbështetet ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht nga Rusia. Ndër to thuhej se një grua që sapo kishte hedhur fletën e votimit në kutinë transparente, pyeste një monitorues të zgjedhjeve se ku do të paguhej. Kur është pyetur më pas nga gazetarët e BBC-së nëse asaj i kishin ofruar para për të votuar, ajo e pranoi pa hezitim. Ajo ishte e zemëruar që një burrë që e kishte dërguar në qendrën e votimit dhe nuk po i përgjigjej më thirrjeve të saj. “Ai më mashtroi!”- tha votuesja.
Karriera e Maia Sandu
Lindur më 24 maj 1972 në Risipeni, një fshat në Moldavi. Ajo përfundoi studimet në degën e ekonomisë, pas diplomimit, ajo ka punuar për Bankën Botërore si këshilltare në çështje të reformave të politikave për qeveritë e ndryshme. Karriera politike e Maia Sandu filloi në vitin 2012, kur ajo u emërua Ministre e Arsimit të Moldavisë. Gjatë kësaj periudhe, ajo u njoh për reformat e saj arsimore që synonin përmirësimin e standardeve të edukimit në vend dhe luftën kundër korrupsionit në sektorin publik.

Në vitin 2016, ajo kandidoi për presidente dhe përfaqësoi një alternativë të fuqishme pro-evropiane kundër kandidatëve pro-rusë, megjithëse humbi me diferencë të ngushtë. Në vitin 2020, Maia Sandu kandidoi përsëri dhe fitoi zgjedhjet presidenciale, duke u bërë presidentja e parë femër e Moldavisë. Fitorja e saj u pa si një triumf për forcat pro-evropiane dhe si një hap i rëndësishëm drejt demokratizimit dhe integrimit në BE. Si president ajo është fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe në përpjekjet për të forcuar institucionet shtetërore. Ajo gjithashtu ka shtyrë përpara axhendën e integrimit evropian të Moldavisë, duke e larguar vendin nga ndikimi i Rusisë.


