
Zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila është njëherësh edhe ministre për Energjinë dhe Infrastrukturën u kallëzua më 18 Tetor për të disatën herë nga Partia Demokratike. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi doli në një konferencë për mediet, duke e akuzuar ministren se vetëm në 1 vit janë grabitur nga buxheti i shtetit plot 180 milionë Euro me shitjen e energjinë.
Ky nuk është kallëzimi i parë i PD-së ndaj Ballukut, pasi më 12 gusht ministrja u kallëzua për fryrje të kostos së ndërtimit me 30 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogorasë (lexo këtu). Edhe ky kallëzim u dorëzua në SPAK nga Gazment Bardhi, i cili do të jetë dhe rivali i Ballukut në zgjedhjet e ardhshme në qarkun e Fierit, pasi ata të dy janë zgjedhur si drejtuesit politikë në këtë qark nga dy partitë respektive (lexo këtu).


Balluku dhe Bardhi nëpër takime në qarkun e Fierit pasi u zgjodhën si drejtues politikë
Rikthehemi te kallëzimi. Bardhi shprehej se me dijeni të ministres Balluku, energjia elektrike është shitur me humbje jashtë tregut të bursës, pra në mënyrë të paligjshme. “KESH nuk e ka nxjerrë energjinë e pa kontraktuar në Bursë, por e ka blerë shtrenjtë dhe e ka shitur lirë tek kompani private seksese të shitblerjes së energjisë elektrike. Vitin e kaluar, KESH ka deklaruar se ka blerë jashtë bursës rreth 561 mijë megavat orë me çmim më të lartë sesa shitej në bursë. KESH-i jo vetëm ka blerë shtrenjtë jashtë bursës, por edhe ka shitur lirë po jashtë bursës, megjithëse ligji ia ndalon tregtimin jashtë bursës shqiptare të energjisë. Vetëm për vitin 2023, KESH ka shitur jashtë bursës rreth 640 mijë megavat orë energji.”– tha Bardhi.
Po ashtu ai shtonte se KESH-i me dijeni të Ballukut, ka falsifikuar të dhënat e dorëzuara tek Enti i Energjisë, për të fshehur këto fasha orari energjie të tregtuara jashtë bursës, pra tregtinë e paligjshme. Bardhi deklaron se KESH bleu energji edhe kur vendi kishte tepricë prodhimi. Dhe ai përllogarit një dëm në rreth 180 milionë euro që do të paguhen nga shqitarët. “Ne kërkojmë nga SPAK-u një hetim të shpejtë dhe profesional për një shkelje kaq masive të ligjit dhe për një abuzim kaq të madh me paratë e shqiptarëve. Vendosja para drejtësisë e përgjegjësve kryesorë, duke nisur me Ministren e Energjisë, njëkohësisht zëvendëskryeministre do të konsiderohej edhe si një provë nga SPAK që në Shqipëri nuk ka persona të paprekshëm.”- kërkon kreu i grupit parlamentar demokrat.

Disa ditë pas dorëzimit të kallëzimit, Bardhi publikoi 4 raste konkrete në të cilat sipas tij mbështetej ky kallëzim i PD-së. Në njërin rast sipas tij, KESH-i vetëm për 3 ditë, 20 – 23 qershor 2023, ka shitur 24000 megavat me çmim 85.6 lekë ndërsa në bursën ALPEX të Shqipërisë ishte 112.6 lekë. Bardhi thotë se kjo i ka shkaktuar buxhetit një dem prej 648 mijë euro. Rasti i dytë lidhet me një tjetër ankand të datave 1 – 30 nëntor 2023 kur janë blerë jashtë vendit 72 mijë megavat, me çmim 124.3 euro megavati, në një kohë që në bursë çmimi ishte 99 euro. Sipas Bardhit, ky keqmenaxhim ka shkaktuar një dëm prej rreth 1.8 milionë euro.


Rasti 1 dhe 2
Rasti i tretë lidhet me ankandin e dative 28-30 dhjetor 2023, ku u blenë 3120 megavat më çmim mesatar 122.6 euro megavati, ndërkohë në bursën ALPEX çmimi për megavat ishte mesatarisht 89.1 euro. Kjo ka shkaktuar një dëm prej 104.500 eurosh. Ndërsa rasti i katërt lidhet me tenderin e 31 dhjetorit 2023, ku janë importuar 2000 megavat me çmim mesatar 118.4 euro, kur çmimi mesatar në bursë ishte 73.5 euro megavati. Bardhi përllogarit një dëm prej 88.960 eurosh.
Bardhi akuzon ministren Balluku se ka lejuar shitjen më lirë dhe blerjen më shtrenjtë të energjisë jashtë Bursës, duke favorizuar 4 kompani private. Ai hedh akuza për keqmenaxhim të situatës për blerjen e energjisë elektrike, pasi ka shitur me çmim më të lirë se ai i deklaruar në bursë energjinë elektrike.


Rasti 3 dhe 4


