
Nga Arbër Zaimi
Ja iku Orbani po dhe Magjari si Orbani është thoshin. Por, deri më tash Magjari është më i mirë se Orbani, madje edhe për ne.
Nejse,
1. Studentët në Serbi nuk dhanë dorëheqje. E mbajtën lëvizjen gjallë për gati dy vite. Vazhduan edhe kur dukej se pjesëmarrja zvogëlohej. Këmbëngulje, shtrirje në qytete e fshatra, mosdorëzim, moslodhje, pra edhe kursim i energjive për një garë që nuk është sprint por maratonë.
2. Studentët i tejkaluan dallimet dhe arritën të organizohen si front. Janë një lëvizje shumë laramane, me prurje nga e majta, e djathta, qendra, liberalë e konservatorë. Kjo është sfidë e radhës, pasi fituan, a mund të krijojnë qeveri dhe sa mund ta mbajnë fitoren përballë shtetit të thellë të mafias, kishës dhe shovinizmit, me këtë ombrellë kaq të gjerë ideologjike? Të shohim.
3. Kuptohet, studentë kanë emrin dhe frymën, por në krye të listës vunë një mjek, jo-student pra, listën e kanë plot me jo-studentë, dhe votuesit ashtu si pjesëmarrësit në protesta, i kishin me shumicë jo-studentë. Pra, u bashkuan edhe mes gjeneratave, përndryshe s’bëhet dot gjë.
4. Studentët gjatë fushatës qëndruan larg temave që mund të përçanin ata, edhe kur folën u kujdesën të mos largonin votuesit e ideologjizuar me bullshitin e vjetëruar shovinist. Pra nuk i vunë në pikëpyetje temat gjeopolitike apo kushtetuese, që të mos i jepnin përparësi Vuçiqit. Ja që pa taktizim e strategji nuk fitohet dot.
5. Sidoqoftë, tash do të vijnë përballjet reale me temat – e aty duhet të tregojnë se janë ndryshe nga Vuçiqi përndryshe shpejt u rikthehet situata e njëjtë. Veç të tjerave, patjetër që duhet të dorëzojnë Radojçiqin, e të ecin më shpejt drejt njohjes së Kosovës, për një fqinjësi të mirë dhe një rajon që zhvillohet.
6. Askush të mos mendojë se dominotë bien vetë. Duhet puna afatgjatë organizative, menaxhimi i energjive e i burimeve që të mos shterojnë shpejt, shtrirja gjeografike, bashkimi solidar mes brezave, profesioneve, bindjeve të ndryshme politike, po edhe mendimi strategjik e taktik, që të fitohen beteja të tilla. Asnjë domino nuk bie “për inerci”.
7. Rrjeti ballkanik putinist i “russkiy mir” dhe i “srpski svet”, ku përfshihet Lista Serbe dhe partia e Dodikut, mund të kenë mbetur të goditur rëndë.


