Kohët e fundit në mediet shqiptare po dëshmojmë një ravijëzim të emrave që mund të dalin përballë kryeministrit Edi Rama në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Në një kohë kur PD është e ndarë në dy kampe, me dy kryetarë të cilët siç e ka dëshmuar edhe një sondazh i fundit i realizuar nga “Barometri”, shumë pak janë ata që duan t’i shohin përsëri në krye, po hidhen për sugjerim emra të tjerë në media.

Me Sali Berishën të izoluar në shtëpi tashmë dhe Lulzim Bashën shumë pak të dukshëm në publik, dy janë emrat që po qarkullojnë në media prej disa muajsh (por sidomos në Prill), e në fakt janë dy persona të cilët kanë qenë më aktivë se të tjerët: Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi.

Ndërsa ishte e ftuar në emisionin “Kjo Javë” nga Nisida Tufa në “News24” më 21 Prill, Tabaku u pyet rreth zërave se ajo mund të jetë kandidate për kryeministre nga radhët e opozitës. Ajo nuk tha as PO, as JO. Përgjigja e saj ishte shumë diplomatike: “Po them që t’i lëmë kohë njerëzve të diskutojnë! E mendoj se duhet t’i lë lëmë kohë njerëzve dhe mendoj se Partia Demokratike ka nevojë për këdo në opozitë.”

Bardhi nga ana tjetër ka mohuar të ketë një interes të tillë. Më 12 shkurt të këtij viti, i ftuar në emisionin “5 pyetjet” me gazetarin Ilir Babaramo ai tha se nuk e kishte menduar ndonjëherë veten si kryeministër të vendit.

“Jo, nuk e shikoj veten si kryeministër. As nuk e kam menduar ndonjëherë këtë çështje sepse kjo nuk është një çështje dëshirash apo ambiciesh personale. Kjo është një çështje që do duhet ta vendosin me shumë përgjegjshmëri strukturat e partisë dhe sigurisht vullneti i shumicës së anëtarëve.”– u përgjigj Bardhi.

E më shumë se sa Bardhi, më e preferuar për momentin duket se është Tabaku, të paktën sipas sondazhit të “Barometrit” që e nxori atë si politikanen më të preferuar nga opozita.

A është kjo dëshirë e medieve për të prodhuar lajm, apo këto dy personazhe realisht kanë mbështetje në prapaskenë? Mbetet të presim.

Leave a Reply

  • (not be published)