
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë në “Çim Peka LIVE” në “SYRI TV”, ka dhënë arsyet se pse mori vendimin për të shpërndarë parlamentin, pas moszgjedhjes brenda afateve kushtetuese të presidentit të ri të Kosovës. “Një formalizim do të thoja të një fakti ekzistent i cili qartë parashihet në kushtetutë dhe për të cilin ne të gjithë, e gjithë skena politike kemi pasur qartësi të plotë kushtetuese deri në natën e fundit. Pra, në qoftë se i shihni deklaratat publike, qoftë të kryeministrit Kurti, qoftë të zyrtarëve të tjerë të partisë më të madhe në vend, qoftë edhe çdo zyrtari tjetër institucional apo edhe të opozitës, që të gjithë një zëri janë pajtuar që në qoftë se nuk kemi president me 5 mars, atëherë vendi automatikisht shkon në zgjedhje, ka shpërndarje të parlamentit. Pra, ky është një fakt kushtetues që më herët asnjëherë nuk e ka kontestuar askush.
“Sikur dikush të mendonte që ky dekret është nxjerrë për ndonjë interes personal, sikur dikush të mendonte që vërtet vlerësimi ynë ka qenë që bën të ketë edhe 60 ditë shtesë, a nuk do të më përshtatej pikërisht mua që t’i kem edhe ato 60 ditë shtesë? Nuk ka, nuk ka këtu nervozizëm të momentit, sepse edhe arsyeja pse unë nuk kam dalë në publik deri pasi u kalua afati kushtetues ka qenë për shkak se unë nuk kam dashur në asnjë moment të ndërhyjë në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri”, tha Osmani.

Lidhur me emrat ajo shprehet: “Ka qenë shumë e qartë që partia fituese ka vendosur të shkojë me emra krejtësisht të tjerë, që të përkrahë emra krejtësisht të tjerë, që mos të përkrahë kandidaturën time dhe përkundër kësaj, unë nuk kam dalë në publik dhe ta tregoj këtë fakt të.Unë kam qenë e bindur deri në momentin e fundit, pajtim për cilindo emër.
Dhe ju e dini, kanë qarkulluar emra të ndryshëm, kryesisht nga parti të caktuara, mirëpo në asnjë moment nuk kam ndërhyrë, nuk kam dalë publikisht, sepse për mua ka qenë e rëndësishme që të kem mundësi që një presidenti të ri t’ia bart detyrën dhe këtë ia kam përcjellë edhe Lëvizjes Vetëvendosje që unë jam gati që jo vetëm t’ia bart detyrën presidentit të ri, këdo që ata e zgjedhin, por në të njëjtën kohë të jem kontakt i atij presidenti edhe për muaj e vite të tëra, t’i bart kontaktet, t’i bart të gjitha mundësitë të cilat i kemi ndërtuar bashkë me ekipin tim gjatë këtyre pesë viteve në presidencë dhe të sigurohemi që projektet e rëndësishme që kanë filluar në mbështetje të Kosovës, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, t’ia bartim presidentit të ri”.
E pyetur se pse ajo nxitoi të dalë herët në mëngjes me një deklaratë, OSmani tha: “Arsyeja e vetme pse unë kam dalur në mëngjes ka qenë sepse ne kemi pasur të paralajmëruar vizitën në familjen Jashari dhe është dashur që të nisem nga Prishtina në orën 9:00 të mëngjesit, prandaj edhe kam dalë në konferencë rreth orës 8:45, sepse pastaj gjatë tërë ditës unë nuk do të kisha mundësi që të shpalos para popullit të Kosovës arsyet e këtij vendimi, i cili po e përsëris, nuk ka qenë i imi.”

Duke pretenduar për prapaskena politike, duke deklaruar se ndërkohë që ajo po përpiqej të siguronte votat e nevojshme, prapa shpinës së saj po punohej me kandidatë të tjerë. Osmani shprehet se vetëm dy net para skadimit të afatit, asaj iu bë një propozim befasues: të futej në garë formalisht si kandidate kundër Glauk Konjufcës. Duke hedhur poshtë çdo pretendim se ka kushtëzuar rikandidimin e saj, Osmani thekson se kërkesa e saj e vetme ishte që të testoheshin numrat në Kuvend. Osmani thekson se ishte e bindur se do t’i siguronte 81 deputetë në sallë, bazuar në garancitë individuale që kishte marrë nga deputetët, të cilët, sipas saj, nuk kishin ndërmend të bojkotonin procesin. “Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kishin ngritur dorën dhe kishin marrë pjesë në votim edhe për Slavko Simiqin,” argumentoi ajo, duke sugjeruar se nuk kishte arsye për të mos e votuar atë.
Presidentja Osmani: Absolutisht nuk e kam kushtëzuar asnjëherë. E tëra që kam kërkuar, apo më mirë të them, propozuar, është që të më jepet një shans që të shkojmë në sallë dhe ta provojmë. Ta shohim sa deputetë po mblidhen, meqënëse unë kisha nga diskutimet individuale me deputetët, kisha garanca prej tyre se ata nuk do të bojkotojnë, sepse llogariteni tash, deputetët e Kuvendit të Kosovës e kishin ngritur dorën dhe kishin marrë pjesë në votim edhe për Slavko Simiqin. “M’u tha, eja dhe futu si kandidate vetëm formalisht, si oponente e zotit Konjufca, me të cilin unë kam pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Dhe ta shohim se si po rrjedh. Por unë kur i pyeta pse kemi nevojë unë dhe zoti Konjufca të jemi kundërshtarë? Kënd e përkrahni ju? A e kam unë përkrahjen tuaj në një votë të tillë? Natyrisht që një përkrahje e tillë nuk m’u dha sepse unë jam presidente e Republikës dhe do të ishte absurd”-u shpreh presidentja.
Sa i përket aludimeve për një komplot mes saj dhe Edi Ramës për ta rrëzuar Kurtin, deklaroi se këto teori konspirative kanë çuar deri në thirrje publike për pushkatimin e saj. E pyetur nga moderatori Peka në lidhje me një narrativë që qarkullon, sipas së cilës ajo kishte një marrëveshje me kryeministrin Rama për të siguruar votat e PDK-së për zgjedhjen e saj si presidente, Osmani i hodhi poshtë me forcë këto pretendime. Osmani theksoi se e gjithë puna e saj gjatë mandatit presidencial i është kushtuar mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe demaskimit të Serbisë si agresore.
“Të barazohem me Vuçiçin, kjo është e rrezikshme, sepse ka rezultuar edhe me thirrje publike për pushkatim,” tha presidentja, duke shtuar se për këto kërcënime janë njoftuar institucionet e rendit. Presidentja Osmani sfidoi të gjithë akuzuesit, nga kryeministri deri te deputeti i fundit, që të paraqesin fakte dhe dëshmi për përfshirjen e saj në çfarëdolloj “komploti apo skenari” me kryeministrin Rama.
“Tani të barazohem me Vuçiçin, kjo po e them është e rrezikshme sepse ka rezultuar edhe me thirrje publike për pushkatim. Sot gjë që siç e dini gjuha e atillë linçuese në vitet e pasluftës në Kosovë ka rezultuar me më të keqen. Natyrisht që këto konspiracione, këto shpifje, këto sulme në asnjë moment nuk do më zbrapsin. Por i ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës. Ndiheni e kërcënuar nga ky mesazh sot, nga kjo thirrje apo kjo analogji që në Turqi pushkatohen?”

“Unë i bëj thirrje që të gjithëve, nga kryeministri deri tek deputeti i fundit, le t’i paraqesin faktet. Ku i keni faktet? Ku i keni dëshmitë që presidentja e Republikës së Kosovës është involvuar në ndonjë lloj komploti, në ndonjë lloj skenari e aq më pak me kryeministrin Rama. Raporti im institucional me kryeministrin është i tillë. Dihen dallimet që i kemi pasur me të. Akoma qëndroj në çdo milimetër, në qëndrimet që i kam thënë edhe për Open Balkans, edhe për çështje të tjera. Por ne si Republikë e Kosovës kemi qenë këto vite në një situatë sfidash të mëdha. Na janë dashur aleatë të Kosovës.”
Osmani, ka deklaruar se do të vendosë për të ardhmen e saj politike pas datës 4 prill, kur edhe i përfundon mandati në këtë pozitë.
Ajo theksoi se çdo hap i ardhshëm do të bazohet ekskluzivisht në atë që ajo e konsideron “interesin më të madh të Republikës së Kosovës”. Sipas Osmanit, deri më 4 prill, ajo do të vazhdojë të kryejë detyrën e presidentes “me nder” dhe pas kësaj date, paralajmëroi se do të bëjë “një vlerësim të ri” të situatës politike për të përcaktuar se cili veprim i shërben më së miri vendit.
“Në bazë të këtij dhe vetëm këtij kriteri, do ta marr vendimin për rrugën përpara,” u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se e ardhmja e saj është e lidhur ngushtë me zhvillimet aktuale.
Në fund të intervistës, Osmani u ndal gjithashtu edhe te vendimi i Gjykatës Kushtetuese për një masë të përkohshme pezullimi të dekretit të saj për shpërndarjen e Parlamentit të Kosovës, pas mosarritjes së kuorumit në Kuvend për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, i cili sipas saj, “jep pak kohë për t’u sqaruar gjërat” para një vendimi përfundimtar. Ajo theksoi se përparësi mbetet kontributi për vendin dhe vënia e interesit shtetëror mbi gjithçka tjetër.
Ky shkrim është pronësi inteletuale e “Syri.net”


