
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, organizata Reporterët pa Kufij (RSF) publikoi Indeksin Botëror të Lirisë së Medias për vitin 2025. Indeksi, që përfshin 180 vende, mat lirinë e medias në bazë të pesë indikatorëve: konteksti politik, kuadri ligjor, konteksti ekonomik, siguria dhe mjedisi sociokulturor. Ndërsa Shqipëria ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm në këtë indeks, Kosova ka pësuar rënien më të thellë në rajon.

Shqipëria është renditur në vendin e 80-të për vitin 2025, duke u ngjitur me 19 vende krahasuar me një vit më parë. Ky progres shihet si një hap pozitiv, por RSF nënvizon se liria e medias në vend mbetet ende e brishtë dhe e kërcënuar.
Raporti thekson ndërthurjen mes interesave politike dhe atyre ekonomike, kuadrit ligjor të papërshtatshëm dhe ndërhyrjeve të partive në rregullimin e sektorit të medias. Gazetarët që raportojnë mbi tema si krimi i organizuar dhe korrupsioni shpesh përballen me kërcënime dhe dhunë, përfshirë edhe nga autoritetet. Pavarësisht se Kushtetuta shqiptare dhe angazhimet ndërkombëtare e garantojnë lirinë e shprehjes, mbrojtja e burimeve gazetareske mbetet e dobët. Krimi i organizuar, presioni politik dhe ndërhyrjet në pavarësinë editoriale vazhdojnë ta bëjnë klimën mediatike të pasigurt.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë komenton se: “Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë vëren faktin që Shqipëria është ngjitur me 19 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2025, por një vështrim i kujdesshëm mbi treguesit tematikë tregon një realitet të turbullt dhe larg përmirësimeve të qëndrueshme.
Treguesi politik: Shqipëria ka rënë nga vendi i 110 në 2024, në vendin e 119 në 2025, me një pikëzim nga 42.27 në vetëm 38.62, duke reflektuar një përkeqësim të qartë të klimës politike për median. Ky regres vjen si rezultat i: Politizimit ekstrem të institucioneve që rregullojnë median publike. Emërimeve partiake në krye të RTSH dhe AMA, që kanë cenuar pavarësinë editoriale. Frikësimit dhe delegjitimimit të gazetarëve kritikë nga të dyja kampet politike, sidomos në prag të zgjedhjeve. Kjo rënie është dëshmi se, pavarësisht ngjitjes në renditjen e përgjithshme, presioni politik është rritur dhe hapësira për gazetari të lirë po ngushtohet çdo ditë.
Treguesi ekonomik: Nga vendi i 142 në 2024, Shqipëria ka rënë në vendin 147, me pikëzim që bie nga 34.64 në 31.69. Kjo tregon thellimin e krizës në modelin e qëndrueshmërisë financiare të medias. Varësia nga fonde shtetërore dhe lidhjet e pronarëve të mediave me pushtetin politik po përkeqësojnë më tej mjedisin për gazetari të pavarur.”
Por më pas AGSH-ja nënvizon se: “Treguesi i sigurisë ka pësuar një rritje të ndjeshme nga vendi 112 në vendin 70, falë disa përmirësimeve në hetimin e sulmeve ndaj gazetarëve. Megjithatë, krimi i organizuar dhe mungesa e ndëshkueshmërisë mbeten rreziqe serioze. Treguesi legjislativ ka njohur përparim nga vendi 69 në 53, por mungesa e mbrojtjes së burimeve dhe vendimet gjyqësore që censurojnë raportimet për çështje publike ende janë problematike.”
Sipas AGSH-së, problem mbeten: “Ngjitja në renditje nuk duhet të përdoret për propagandë, por si një moment reflektimi për të kuptuar thellësisht defektet strukturore që kërcënojnë median në Shqipëri.”

Nga na tjetër Kosova ka pësuar një rënie të ndjeshme prej 24 vendesh, duke zbritur nga pozicioni 75 në 2024 në vendin 99 për vitin 2025, renditje kjo që e vendos Kosovën më keq se çdo shtet tjetër në Ballkan dhe përkrah vendeve afrikane në indeks. Ky përkeqësim është më i rëndi në 15 vitet e fundit.
Transmetuesi publik “RTK” rrezikon të politizohet gjithnjë e më shumë, ndërsa “Klan Kosova” është përballur me “ngacmime administrative” nga autoritetet. Në të njëjtën kohë, mediat në gjuhën serbe raportojnë diskriminim dhe mungesë të aksesit në informacione publike.
Avokatja dhe ekspertja e medias Flutura Kusari ka bërë një deklaratë në lidhje me situatën në Kosovë. “Kosova ka ra 24 vende në indeksin e lirisë së shtypit. Është më së keqi në rajon, në vendin 99, krah për krah me vende afrikane. Kur ne të gjithë presim reflektim, si reagon VV-ja? Reagon duke e targetu kryetarin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës Xhemajl Rexha, me qëllim që të fajsohet ai për rënien në indeks. Kjo qasje është e rrezikshme. Xhema është gazetar profesionist, me integritet të lartë dhe i cili që katër vite punon ditë e natë për mbrojtjen e gazetarëve dhe lirisë së shprehjes. Kështu nuk përmirësohet pozita e Kosovës në indeksin global. Përkeqësohet. Ky targetim i tij duhet të regjistrohet nga AGK.“- shkroi ajo.


