
Në Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në Abu Dhabi u zhvillua samiti i “Forbes 2025”, ku liderë të njohur globalë, sipërmarrës, investitorë e të tjerë mblidhen për të diskutuar mbi tema të ndryshme. Mes të ftuarve ishte dhe Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Rama. Gjatë samitit ajo pati fjalën e saj, që nisi që nga përvoja gjatë periudhës së komunizmit. Ajo iu drejtua të pranishmëve të tjerë, se nëse do të kthehej shumë pas në kohë, nuk do e imagjinonte se do të ishte pjesë e këtij samiti. “Tre dekada më parë, nuk mund ta imagjinoja të takohesha me asnjërën prej jush. Sot, pas tre dekadash, jam mes 300 prej jush dhe kjo është një mrekulli për brezin tim që ka jetuar në komunizëm.”– tha Rama.
Mika Brzezinskit, kryetarja e samitit e pyeti lidhur mbi tranzicionin e Shqipërisë dhe rolin e saj në këtë proces. Rama nisi të rrëfente përjetimin e saj që nga fëmijëria, duke cilësuar periudhën e komunizmit një nga periudhat më të ashpra. “Shqipëria quhej Koreja e Veriut e Europës. Frika ishte si një ngjitës që e mbante shoqërinë bashkë. Kur ishim shumë të vegjël, prindërit na thoshin vazhdimisht të mos pëshpëritnim asgjë… të mos i besonim askujt dhe të mbanim kokën ulur. Në fund të viteve 1980, Shqipëria arriti një gjendje të varfërisë ekstreme për shkak të represionit të rëndë, izolimit të rreptë nga bota e jashtme dhe një ekonomie shumë të centralizuar, e cila në fund dështoi.”- tha ajo.
Ndërsa më pas Rama kujtoi eksperiencat e saj të para në punë, pak para se të binte komunizmi. “Nisa punën pak para se të binte komunizmi, kështu që pata katër vjet përvojë gjatë atij sistemi. Fillova punë në një kompani të madhe, ku punonin mbi 7,000 njerëz. Në fakt, pata fatin ta përjetoja këtë eksperiencë, sepse më dha mundësinë të shihja nga afër sesi gjithë propaganda për një ekonomi të fuqishme përfundonte në një periudhë me kushte shumë të vështira për punëtorët. E pashë këtë realitet në praktikë, me marrëdhënie të shtrembëruara mes punëtorëve, mes tyre dhe punës, si dhe mes tyre dhe pronës, e cila quhej pronë e përbashkët.“- u shpreh ajo.
Ajo rrëfen më pas se rënia e komunizmit ishte një periudhë e pasigurtë për këdo, pasi askush nuk e dinte se çfarë do të ndodhte më pas. “E kujtoj shumë mirë periudhën kur komunizmi ra, sepse ishim plotësisht në kaos. Nuk e dinim çfarë do të ndodhte. E vetmja dëshirë që na mbante gjallë ishte se ndodheshim në prag të çlirimit nga komunizmi. Dhe më kujtohet ajo pasiguri e madhe. Por, në të njëjtën kohë, besonim se sapo të çliroheshim nga komunizmi, do të përfundonim menjëherë si Europa apo Amerika. Në fakt, nuk ndodhi kështu.
“Tani, sa më shumë e mendoj atë periudhë, aq më shumë e kuptoj se nuk dinim asgjë për atë që po vinte. Dhe në fakt, askush nuk e dinte. Kur them askush, përfshij edhe ata që po shfaqeshin me parti të reja apo ata që ishin në krye të lëvizjeve të ndryshme. Me kalimin e viteve, kuptova se mësimet më të mëdha i nxorëm nga gabimet tona. Po mësonim rrugës. Dhe besomëni, të mësosh nga gabimet është shumë e dhimbshme dhe ka një kosto ekstreme për gjithë popullsinë.”– tha ajo.
Në fund ajo foli dhe për marrëdhënien me kryeminstrin Rama. “Ajo që kam mësuar ndër vite është të jem e duruar, t’i jap vetes kohë për të kuptuar më mire. Edi, me kohën, e ka rritur shumë durimin e tij, aftësinë e tij për të dëgjuar, dhe mendoj se kjo është një kombinim i mrekullueshëm sepse mund të jemi shumë të dobishëm për njëri-tjetrin.”– tha Rama.

Ndërsa përfundoi se në ditët e sotme Shqipëria ka bërë shume hapa përpara, duke përmendur faktin se Shqipëria ja ka dalë sot që të ulet në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. “Në tranzicionin tonë nuk kemi qenë vetëm, bota demokratike ka qënë dhe është me ne. Shqiptarët dhe Shqipëria ja kanë dalë sot të ulen në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Jemi vendi me rritjen më të madhe të turizmit në Europë. Vizitoni Shqipërinë. Nëse vini një herë, e dimë që do të na vizitoni përsëri.”– tha Rama, duke e mbyllur kështu fjalën e saj.


