
Dy anëtarë republikanë të Kongresit amerikan i kanë dërguar një letër Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, ku shprehin shqetësimin për përkeqësimin e demokracisë në Shqipëri, aleate e NATO-s, dhe i kërkojnë Departamentit të Shtetit të përdorë kompetencat për kufizimin e vizave ndaj zyrtarëve shqiptarë të përfshirë në korrupsion të rëndë. “Ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë lidhur me gjendjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë, një aleate e NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara kanë investuar ndjeshëm në reformën në drejtësi në Shqipëri dhe kanë një interes të fortë për suksesin e saj. Zhvillimet e fundit tregojnë se përparimi është i brishtë dhe, në fusha kyçe, rrezikon të zhbëhet”, thuhet në letrën drejtuar Sekretarit Rubio.
Në mënyrë të veçantë, letra i kërkon Sekretarit Rubio të përdorë kompetencat e Departamentit të Shtetit, të parashikuara në nenin 7031(c) të ligjit vjetor për buxhetin e Departamentit të Shtetit, operacionet e jashtme dhe programet përkatëse, për të shpallur publikisht të padëshiruar për hyrje në SHBA zyrtarët shqiptarë dhe, nëse është e nevojshme, familjarët e tyre të afërt, kur ekzistojnë informacione të besueshme për përfshirjen e tyre në korrupsion të rëndë. Letra, e hartuar nga kongresmeni Joe Wilson, republikan nga Karolina e Jugut, dhe kolegu i tij republikan, kryetari i Nënkomisionit për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve, Keith Self, republikan nga Teksasi, i kërkon administratës amerikane t’u përgjigjet katër pyetjeve kryesore deri më 5 nëntor.
Përveç kërkesës që Departamenti i Shtetit të angazhohet për shqyrtimin e zyrtarëve shqiptarë, me qëllim përcaktimin nëse ndaj tyre duhet të zbatohen kufizimet e vizave, kongresmenët kanë pyetur se çfarë ndihme po i ofrohet Shqipërisë për përpjekjet më të gjera të reformës në drejtësi dhe nëse Ambasada e SHBA-së në Tiranë po bashkëpunon me autoritetet vendase për mbrojtjen e protestuesve dhe gazetarëve. Përfaqësuesit republikanë kërkojnë gjithashtu një përditësim mbi ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila u akuzua për ndërhyrje në procedurat e prokurimit publik për ndërtimin e rrugëve. Në dhjetor të vitit 2025, prokurorët i kërkuan Kuvendit t’i hiqte imunitetin, në mënyrë që ajo të mund të arrestohej, por kryeministri Edi Rama e cilësoi kërkesën antikushtetuese dhe Kuvendi nuk e ka lejuar vijimin e procedurës për arrestimin e saj.
Kongresmenët argumentojnë se institucionet antikorrupsion në Shqipëri nuk mund të kenë sukses në luftën kundër korrupsionit, nëse drejtuesit politikë mbrojnë zyrtarët ndaj të cilëve po zhvillohen hetime. Ashtu si protestuesit në Francë dhe në vende të tjera të Evropës, dhjetëra mijëra qytetarë në Shqipëri kanë protestuar mes akuzave për korrupsion qeveritar, mangësi në arsim, papunësi dhe mungesë mundësish. Lëvizja protestuese, e cila po zgjerohet në shkallë kombëtare, udhëhiqet nga studentë dhe qytetarë që kërkojnë gjithashtu llogaridhënie, fundin e korrupsionit dhe, siç shprehen ata, rivendosjen e institucioneve demokratike dhe të shtetit të së drejtës.
Protestat nisën në kryeqytet, Tiranë, dy javë më parë, me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Demonstratat u përshkallëzuan shpejt në dhunë, pasi protestuesit hodhën kokteje molotov drejt Ministrisë së Arsimit dhe u përleshën me policinë. Protestuesit shënjestruan gjithashtu selinë e Partisë Socialiste të Ramës në Tiranë, ku u përballën me forcat e policisë së rendit, të cilat ishin dislokuar për të mbrojtur pronat dhe objektet qeveritare. Rama fajësoi “duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë në Bashkimin Evropian dhe që promovojnë maskat që pretendojnë se përfaqësojnë studentët, por që në të vërtetë, më shumë se studentët, përfaqësojnë vetë krimin e organizuar”. Deri më tani, kryeministri ka refuzuar të japë dorëheqjen, por ka propozuar nisjen e një dialogu me protestuesit.
Trazirat në Shqipëri vijnë në një kohë kur vendi ka kohë që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, proces që nisi në vitin 2014, kur Shqipëria mori zyrtarisht statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Ndërsa raporti vjetor i Komisionit Evropian për vitin 2025 vlerësoi se Shqipëria kishte shënuar përparim të konsiderueshëm në reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar, akuzat e vazhdueshme për korrupsion ndaj qeverisë Rama, si dhe aktet e dhunës gjatë protestave të fundit, pritet ta ndërlikojnë rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.
Protestat studentore në Shqipëri pasqyrojnë protestat masive që u zhvilluan në Serbinë fqinje, ku një lëvizje politike e udhëhequr nga studentët rrëzoi nga pushteti Aleksandar Vuçiçin, liderin që kishte qëndruar për një kohë të gjatë në krye të vendit. “Disfata e Vuçiçit përballë një lëvizjeje të mbështetur nga studentët, pas gati dy vitesh protestash kundër korrupsionit dhe në kërkim të llogaridhënies nga qeveria, përbën një paralele të dukshme me trazirat me të cilat po përballet Rama në Shqipëri, ku protestat kanë vijuar prej më shumë se 150 ditësh”, tha për “Fox News” Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në OKB dhe në Shtetet e Bashkuara.
Ky shkrim është pronë intelektuale e “Foxnews”.


