
Nga Abdulla Diku
Ligji nr. 21/2024 nuk përfaqëson vetëm një ndryshim teknik të ligjit për zonat e mbrojtura. Ai ndryshon vetë filozofinë mbi të cilën ishte ndërtuar mbrojtja e natyrës në Shqipëri, duke hapur rrugën për ndërtime dhe zhvillime intensive në territore që deri dje konsideroheshin pasuri të paprekshme kombëtare. Ky ligj është i dëmshëm në të paktën tre drejtime themelore.
Së pari, ai favorizon interesa të investimeve të mëdha në dëm të interesit publik. Mundësitë reale për të zhvilluar resorte turistike brenda zonave të mbrojtura i kanë vetëm subjekte me kapital të konsiderueshëm, ndërsa bizneset familjare dhe komunitetet lokale mbeten jashtë kësaj gare. Për pasojë, përfitimet ekonomike përqendrohen në pak duar, ndërsa pasuritë natyrore, që janë pronë e të gjithë shqiptarëve, përdoren për interesa shumë të kufizuara private, dhe në përfitim të një grushti të vogël pasanikësh.
Së dyti, ligji do të shkaktojë dëmtime të pakthyeshme mbi natyrën. Ekosistemet nuk ndërtohen me beton dhe nuk rikrijohen me vendime administrative. Fragmentimi i habitateve, humbja e biodiversitetit, ndotja, presioni mbi burimet ujore dhe transformimi i peizazhit janë pasoja që mund të zgjasin për dekada ose të jenë të pakthyeshme.
Së treti, ai dobëson themelet e zhvillimit rural.
Në vend që të fuqizojë familjet vendase përmes bujtinave, agroturizmit, prodhimeve tradicionale dhe shërbimeve turistike lokale, ligji krijon kushte ku resortet e mëdha mund të dominojnë tregun turistik. Në një konkurrencë të tillë, bizneset familjare kanë fare pak mundësi të mbijetojnë. Banorët rrezikojnë të humbasin pavarësinë ekonomike dhe të shndërrohen nga sipërmarrës në punëmarrës tek resortet (megjithëse shumica e të punësuarve në disa resorte aktuale apo hotele – janë të huaj tashmë), ndërsa mungesa e perspektivës nxit edhe më tej shpopullimin e zonave rurale.
Mjafton të imagjinojmë një rast hipotetik në Theth. Nëse miratohet ndërtimi i një resorti turistik me 5 yje në zemër të zonës së mbrojtur, pasojat nuk do të kufizoheshin vetëm te natyra. Resorti, falë kapitalit dhe kapacitetit të tij, do të tërhiqte një pjesë të madhe të fuqisë punëtore lokale, do të siguronte për vete shumicën e produkteve bujqësore e blegtorale të zonës dhe do të përqendronte fluksin kryesor të turistëve. Përballë një strukture të tillë, një bujtinë familjare me disa dhoma, një restorant tradicional apo një fermë agroturistike do ta kishin pothuajse të pamundur të konkurronin. Në vend që turizmi të shpërndante të ardhurat te dhjetëra familje të Thethit, një pjesë e madhe e tyre do të përqendrohej te një investim i vetëm. Kështu, banorët do të rrezikonin të humbnin rolin e tyre si sipërmarrës të pavarur dhe të ktheheshin në shërbëtorë në resortin që ndërtohet pranë shtëpive të tyre.

Turizmi do bëhet industri atje dhe më të fortët (resortet) do ja dalin të mbijetojnë. Banorët do marrin rrugët e emigrimit. Një element që nuk mund të neglizhohet është ndërthurja e ligjit nr. 21/2024 me kuadrin ligjor për investimet strategjike. Në praktikë, këto dy ligje krijojnë një efekt të kombinuar: nga njëra anë lehtësohet realizimi i investimeve të mëdha, ndërsa nga ana tjetër hapet mundësia që zonat e mbrojtura të jenë pjesë e këtyre zhvillimeve. Kjo ndryshon thelbësisht filozofinë mbi të cilën u krijuan zonat e mbrojtura, të cilat nuk ekzistojnë për të tërhequr ndërtime intensive, por për të ruajtur biodiversitetin, peizazhin dhe interesin publik afatgjatë. Për këtë arsye, specialistët e fushës dhe komunitetet rurale e shohin kombinimin e këtyre dy ligjeve si një nga rreziqet më të mëdha për të ardhmen e trashëgimisë natyrore dhe shpopullimin e Shqipërisë.
Nuk është rastësi që këto dy ligje kanë ngjallur shqetësime edhe në nivel ndërkombëtar. Ato janë bërë objekt diskutimi në raport me përputhshmërinë e Shqipërisë me standardet evropiane për mbrojtjen e natyrës. Kjo sepse Bashkimi Evropian ka ndërtuar për dekada një politikë të qartë: zonat e mbrojtura nuk krijohen për t’u urbanizuar, por për t’u ruajtur. Përvoja evropiane ka treguar se zhvillimet intensive brenda tyre sjellin humbje ekologjike, sociale dhe ekonomike që më pas janë shumë të vështira ose të pamundura për t’u korrigjuar.
Prandaj, fakti që ligji 21/2024 është vënë në qendër të vëmendjes në procesin e përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian nuk duhet parë si një ndërhyrje politike, por si një paralajmërim se Shqipëria po largohet nga praktikat që vetë synon të adoptojë në rrugën e integrimit. Askush nuk nuk diskuton faktin nëse Shqipërisë i duhen investime. Sigurisht që i duhen. Por ne duhet ta kemi të qartë rrugën tonë se çfarë lloj zhvillimi duam. Një zhvillim që pasuron një numër të kufizuar investitorësh duke varfëruar natyrën, komunitetet lokale dhe nxitur emigrimin, apo një zhvillim që mbron pasurinë natyrore, fuqizon biznesin familjar (shtresën e mesme), mban gjallë zonat rurale dhe krijon mirëqenie të shpërndarë për brezat që do të vijnë? Zonat e mbrojtura nuk janë pronë e qeverive të radhës. Ato janë trashëgimi kombëtare dhe përgjegjësi ndaj brezave të ardhshëm.


